Ankthet dhe shqetësimet që vijnë si rezultat i festave të fundvitit nuk duhet të ngatërrohen me depresionin sezonal, i cili shfaqet në fund të ditëve të pushimeve. Depresioni që shfaqet në periudhë festash sigurisht që lidhet me ashpërsinë e stinës së dimrit, shkurtimin e ditës dhe me mungesën e mjaftueshme të dritës, por ka disa shkaqe më të thella: Njerëzit me pak miq e familjarë mund të ndihen vetëm e të izoluar, kurse njerëzit me një rreth më të madh familjar e shoqëror, të stresuar për përgatitjen e festës së madhe.
Shkaqet e depresionit
Familja: Klisheja e mbledhjes së madhe familjare, të gjithë të lumtur e të bashkuar, jo gjithnjë është e pëlqyeshme. Për disa, familja është burim problemesh. Mbledhjet familjare jo gjithmonë janë të suksesshme, disa konflikte të vjetra që mund të hapen, kujtime të padëshiruara etj.
Analizë për veten: Në fund të vitit njerëzit janë të prirur të reflektojnë mbi veten dhe zhvillimet e tyre personale. Rezultatet e bilancit mund të nxisin xhelozi që kërcënon mirëqenien tone psikologjike. Mosrealizimi i objektivave vetjake dhe suksesi i të tjerëve, mund të na bëjë të fundvitit të ndiheni të padobishëm, të tensionuar dhe të trishtuar.
Vetmia: Disa njerëz nuk kanë mundur të krijonë një familje ose, mund të ndodhen larg familjeve. Për rrjedhojë në atmosferën festive ata janë vetëm. Ndjesia e vetmisë i pushton njerëzit. Është e vështirë të gjendesh në një ambient ku të gjithë gëzojnë e qeshin, në prani të njëri-tjetrit në vigjilje të festave, ndërsa je i detyruar të mbyllesh në vetmi, pa pasur mundësinë e trokitjes së një gote vere apo shkëmbimin e bisedave të ngrohta.
Nostalgjia: Nostalgjia e kohës që kalon, humbja e rinisë, kujtimet e fëmijërisë, kohës kur ishit i lumtur dhe prisnit me padurim dhuratat e surprizat familjare… mund të shkaktojnë problem. Ja një arsye pse festat e kanë humbur emocionin e dikurshëm dhe kjo situatë ju bën të ndjeni keqardhje për veten tuaj.
Shpenzimet: Janë një barrë e madhe për ata njerëz që nuk i kanë mundësitë ekonomike. Dhuratat kanë koston e tyre dhe nëse ke fëmijë përgjegjësia është akoma më e madhe për t´i bërë ata të ndihen të lumtur me surprizat që presin nga familjarët.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.