Marrëdhënie

October 7, 2016 | 7:52

Depresioni klinik në çift, si ta shërojmë!

Depresioni klinik bën pjesë te çrregullimet e humorit. Ai prek mirëfunksionimin e individit në disa sfera, si ajo afektive, e mendimeve dhe e sjelljes. Duke ju referuar (DSM-IV R) episod depresiv madhor kemi kur individi për një periudhë dyjavore ka humor depresiv në shumicën e kohës, priret drejt mungesës së interesit apo shprehjes së kënaqësisë pothuajse në gjithë angazhimet ditore. Po ashtu individi ka probleme me gjumin (pagjumësi) apo përgjumësi (hipersomni). Personi humbet apo shton në peshë. Ai mund të jetë i shqetësuar apo të ketë një ngadalësim psikomotor pothuajse përditë. Episodi depresiv madhor shoqërohet me lodhje apo humbje energjie, ndjenjën e të qenit i pavlerë, rënie të aftësisë për të menduar, mendime të përsëritura rreth vdekjes apo ide vetëvrasëse.

Jonida Ucaj Ponari Psikologe

Jonida Ucaj Ponari
Psikologe

Që të diagnostikohesh me depresion, pesë prej simptomave më sipër duhet të jenë të pranishme. Shenja, të cilat, në fakt, sjellin dëmtim të marrëdhënieve sociale, profesionale apo fushave të tjera të rëndësishme të jetës. Lidhur me pyetjen, duke qenë se njëri nga bashkëshortët është vazhdimisht me këtë gjendje të rënduar mendore dhe shpirtërore, pa energji për jetën, pa motivim, me ide të errëta, ai tërhiqet dhe nga jeta sociale duke i shmangur kontaktet. Këta persona, të cilët e kanë humbur sensin e jetës, kanë dhe pakësim të dëshirës për të kryer marrëdhënie seksuale. Shmangia e vazhdueshme e njërit prej partnerëve sjell krisje të raportit në çift, e cila fillon dhe bëhet dita-ditës edhe më problematike. Nëse depresioni zgjat për një periudhë të gjatë kohe dhe partneri/a shikon ndryshim në sjellje dhe nuk ja atribuon këtë fakt depresionit, por hamendësimeve të tjera, si ai/ajo nuk më do më, ai/ajo është i interesuar për ndonjë tjetër, ai/ajo po më lë pas dore. Cili mendoni se është hapi i radhës? Për arsyen se partneri juaj ka depresion dhe rrjedhimisht u ka lënë vend “mungesave të ndryshme” në çift, ti i/e lodhur nga mosndryshimi i gjendjes, kalon në një raund tjetër atë të “gjuajtjes dhe ripërzgjedhjes së një partneri të ri”. Për shumë arsye e ke të vështirë ta braktisësh personin me të cilin je lidhur, bashkëjeton apo je martuar dhe e gjen veten duke u dashuruar më dikë tjetër dhe duke tradhtuar. Nga depresioni klinik ka më shumë gjasa të preken personat që kanë predispozitën gjenetike, ato që po kalojnë ngjarje të vështira jetësore, si vdekja e një familjari apo miku. Individët, të cilët jetojnë në një klimë stresuese apo ndikohen nga probleme sociale si varfëria, dhuna, janë më të prirë drejt tij. Persona që kanë qenë pré e ngacmimeve ose presioneve të ndryshme, që kanë luftuar shumë dhe janë përballur me sfida të vazhdueshme, persona që kanë dështime të njëpasnjëshme, janë më të prekurit nga ky çrregullim. Ndryshimet hormonale, si p.sh hipoteroidizmi, gjithashtu sjell depresion. Por po kaq e rëndësishme është dhe mënyra e të menduarit dhe këndvështrimit të botës. P.sh, kur e shikon gotën gjysmë bosh dhe ke tendencën t’i shohësh gjërat negativisht, kjo rrit tek ty probabilitetin për të zhvilluar depresion. Gjithashtu individët, të cilët po përjetojnë divorcin, janë më rriskuar nga depresioni.

 

Çfarë e dëmton familjen e sotme shqiptare?

Shoqëria shqiptare është përshtatur me ndryshime të dukshme këto 24 vitet e fundit, ku demokracia ka fuqizuar rolin e gruas në shoqëri. Duke i dhënë asaj mundësi të barabarta në shumë drejtime, ajo është përpjekur gjithë këto vite për të arritur afirmim, ka ngritur zërin për të drejtat e saj. Por, duke qenë një shoqëri me rrënjë të ngulitura thellë në mentalitetin “maskilist”, ku pushtetin kryesor e kanë meshkujt në shumë sfera të jetës, paçka përpjekjeve maksimale të femrave, ende kemi një projektim të pavetëdijshëm të mënyrave të vjetruara patriarkale të sjelljes, që janë përcjellë brez pas brezi në linjën mashkullore. Këtu u referohem fenomeneve dominuese si dhuna me të gjitha format e shfaqjes së saj, që ende është e pranishme në shoqërinë dhe familjet shqiptare. Ajo është ndër faktorët kryesorë predispozues të divorcit. Dhuna dhe frika nga pasojat e saj e dëmton rëndë familjen. Gratë vazhdimisht hasin pengesa e probleme shpesh dhe artificiale gjatë rrugës së tyre, pikërisht nga mentaliteti mashkullor dhe dhuna, qoftë fizike apo psikologjike, është krim. Dhuna nuk favorizon gratë, i mbyt ato, u ul motivimin për të ecur përpara. Është pengesë e fortë në përpjekjen për të kapur role apo pozicione kyçe në shoqëri. Ajo është ende plagë e shoqërisë shqiptare e reflektuar në shumë instanca. Kriza ekonomike, jetesa e shtrenjtë, pasiguria e vendit të punës, të gjitha këto rrisin ankthin brenda kornizës familjare dhe sigurisht kjo projektohet dhe reflektohet në lindjen e shumë problematikave. Ndryshimi i roleve, duke e pozicionuar gruan në të njëjtën peshore me burrin, ku ajo punon po aq sa burri. Ajo sjell të ardhura të barabarta në familje dhe ndërkohë sërish kryen rolin e pazëvendësueshëm të gruas në shtëpi, ku kujdeset për mirëmbajtjen e saj dhe rritjen e fëmijëve. Gratë kanë filluar të krijojnë pavarësi ekonomike, por mashkulli shqiptar ende e ka të vështirë ta pranojë këtë. Thellë, në pavetëdijen mashkullore, mendoj se ata kanë ende të ruajtur idenë e primatëve të parë, meshkujt që siguronin ushqimin për fëmijët dhe nëna kujdesej për të vegjlit. Duke siguruar dhe femrat të mirat materiale, atij i largohen atributet mashkullore dhe mund t’i preket një pjesë e rëndësishme, “egoja” e tij. Mashkulli mund të mendojë se ndihet “i paaftë”, ose njësoj si femra, përderisa sjell po të njëjtat të ardhura në shtëpi, edhe pse brez pas brezi ka qenë shumë më aktiv. Ndërkohë femra, duke filluar të ndihet e barabartë, pasi punon si burri, kontribuon ekonomikisht në familje, kërkon ndihmë pasditeve në rolin e nënës (burrat e kanë të gdhendur idenë që ky rol i takon gruas dhe nuk përfshihen). Ajo përpiqet shumë që t’i realizojë të gjitha dhe kjo i lë shumë pak vend marrëdhënies me bashkëshortin. Mungesa e kohës cilësore ndikon në ndryshimin e komunikimit në çift, ndjenjat dhe pasioni bien, pasi nëna merret me fëmijën dhe shtëpinë, e burri duke e gjetur veten jashtë loje, ndihet i neglizhuar dhe fillon të mendojë që nuk është ndër përparësitë e bashkëshortes. Ai shmanget duke gjetur një mënyrë alternative zëvendësimi të kënaqësisë, që mund të jetë ndonjë film në dhomë, apo me shumë gjasa kompjuteri, apo ndonjë tjetër formë argëtimi jashtë shtëpie. Gruaja mendon që burri është indiferent dhe s’do ta ndihmojë dhe lindin konfliktet, të cilat rrisin nivelin e stresit dhe problemeve në çift. Martesa apo lidhja vazhdimisht është nën ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm. P.sh xhelozia, mungesa e besimit, e shkatërron lidhjen. Stili i jetesës shpeshherë nuk ta jep mundësinë të kalosh kohë cilësore me partnerin, pasi jeta ecën me ritme të shpejta.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top