Marrëdhënie

October 7, 2016 | 7:55

Tradhtia vështirë për t ’u pranuar

Marrë shkas nga një studim i Agjencisë Kombëtare të Shkencave në Amerikë, se përse speciet evoluuan në marrëdhënie drejt monogamisë, përgjigjja ishte interesante. Kur mashkulli qëndronte për një periudhë të caktuar me një femër (ndërkohë që supozohet që mashkulli “tradhton” për të lënë sa më shumë pasardhës”) dhe sakrifikonte drejt të qenit besnik, kjo për të vetmen arsye që të vegjlit mos të vriten nga meshkujt e tjerë, pra për rolin mbrojtës gjatë prindërimit.

Sigurisht që në nivelin e zhvillimit të “homosapiensave” të ditëve tona, kjo do përkufizohej që: unë po rri besnik që qenieve të mia mos t’u vijë fundi, askush mos t’i lëndojë fëmijët, as fizikisht as psikologjikisht. Pra, për shkak të fëmijëve, mashkulli eci drejt monogamisë. Këtë ai e quan privilegj dhe dhuratë ndaj femrës. Pra, ai po heq dorë pikërisht nga ajo që do më shumë, nga “lënia e sa më shumë pasardhësve” dhe kjo është në të mirë të femrës së tij, pasi i siguron mbrojtjen e fëmijëve. E, në fakt, është një fenomen që shoqëria përgjithësisht e konsideron të turpshëm, por a ka arsye ai/ajo që të tradhtojë? Kur tradhtojnë dikë, këta individë ndihen të ndershëm me veten e tyre. Duke u plotësuar në gjënë që duan, pasionin, dashurinë, të qenit në simbiozë me personin që po tradhtojnë. Person që supozohet se i fal pikërisht atë që i mungon në çift, komunikimin, mirëkuptimin, bashkimin, plotësinë. Personalisht e shoh tradhtinë më tepër të “fuqizuar” nga rrethana të vazhdueshme në disfavor të gruas/burrit të dëshpëruar, ndoshta edhe me depresion, e cila kërkon ngushëllim për jetën e tij/saj boshe, të paplotësuar në shumë dimensione, sidomos në mungesat e vazhdueshme të marrëdhënies në çift, duke theksuar këtu mungesën e intimitetit, komunikimit etj.

Këshilla: Si mund ta bëjmë më harmonike lidhjen ?

Theksi kryesor do qëndronte te komunikimi dhe çdo çift ka mënyrat e tij. Kur diçka nuk shkon apo shihni ndryshime nga partneri, është mirë që të bisedohet në lidhje me shqetësimin. Pasi nëse humbet bashkëbisedimi dhe komunikimi bëhet i mbyllur, kjo u lë vend dyshimeve, të cilat, nga ana e tyre, nuk përmirësojnë situatën ku ndodheni. Le ta konsiderojmë anije “martesën”. Ju ndodheni në të njëjtën anije për të “shijuar” udhëtimin së bashku dhe jo për të bërë çmos që mos shihni “bukurinë e gjithçkaje që ju rrethon” duke u konfliktuar, duke luftuar për pushtetin në çift (se cili do të jetë kapiteni) apo duke bërë gjithçka tjetër, e duke harruar arsyen pse vendosët fillimisht të hipnit në atë anije. E thënë ndryshe, drejtoni timonin e anijes në drejtim të njëjtë, pasi duke u përpjekur secili ta çojë në drejtim të kundërt, pamja që prisnit të ishte kartolinë e një parajse, me det të qetë, do ju kthehet në det plot dallgë, nga ku s’do dilni pa u lagur. E nga lagia varet dhe sa shumë do e “ftohni” marrëdhënien tuaj. Ndaj mbani mend qëllimin tuaj të fillimit dhe bëni gjithçka me vepra apo fjalë në lidhje me përmbushjen e tij. Toleroni dhe bëni shpesh gjëra që e lumturojnë partnerin. Do të shihni rezultat shumë të shpejtë. Mos jini egoistë, shpesh narcizizmi e dëmton marrëdhënien. Shiheni me sy pozitiv partnerin dhe respektojeni atë. Nxirrni në pah gjithçka pozitive të tij. Bëjani evidente vazhdimisht! Ndonjëherë ne marrim përsipër misionin e pamundur të ndryshojmë njerëzit, botën dhe ta kthejmë gjithçka e gjithkënd në funksionin tonë. Ndërkohë, kjo nuk është e realizueshme, pasi do të na vendoste në një pozicion të qendërzuar. Jo gjithçka rrotullohet rreth teje. Ndaj mos prit ta gdhendësh karakterin e partnerit ashtu siç do ti. Themeli tashmë është vënë. Çatinë mund ta ndërtoni bashkërisht! Nëse një “tullë” në shtëpinë tuaj nuk është vënë siç njëri nga ju do të dëshironte, mos u merakos. Flit me partnerin! Thuaji si do e dëshiroje. Gjeni një mes të artë aristotelian. Pranoje atë për gjithçka të mirë dhe të keqe që ka. Premtimi që bëhet para Zotit është ta duash në të mirë dhe në të keq. Jo gjithmonë jeta ecën vaj. Jo gjithçka është ashtu siç ti do. Secili nga partnerët në bashkëjetesë i rritet përgjegjësia, i rriten angazhimet, përballet me sfida jashtë shtëpie, apo është duke luftuar për të arritur diku a diçka. Jini inkurajues të mirë për njëri-tjetrin. Mbështesni, ndërtoni, bëni ato që partneri do të dëshironte të bënte për ju. Siguria që i jepni njëri-tjetrit ju bën më të mbrojtur nga sëmundjet dhe nga problemet e botës jashtë. Vitet kalojnë dhe shpesh thuhet se partnerët kthehen në motër dhe vëlla. Ndaj bëni gjithçka që të mos e humbisni pasionin. Kësaj pike i mëshoj fort. Kontakti fizik është shumë i rëndësishëm.

Pengesat që hasni gjatë rrugëtimit të përbashkët në çift mund të bëjnë që të harroni të shprehni sa e doni partnerin tuaj. Pavarësisht gabimeve, konflikteve, marrëzive të ndryshme të bëra gjatë jetës mos harroni të thoni: “Të dua”. Është fjalë magjike, ajo ndryshon për mirë gjithçka.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top