Lindja e një fëmije është një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe emocionale në jetën e një gruaje. Por përveç gëzimit dhe emocionit të madh, shumë nëna përjetojnë një periudhë sfiduese që shpesh kalon pa u kuptuar siç duhet, depresioni pas lindjes.
Statistikat tregojnë se rreth 80% e grave përjetojnë forma të lehta ose të moderuara të trishtimit pas lindjes, ndërsa një përqindje e konsiderueshme zhvillon depresion të mirëfilltë që kërkon ndërhyrje profesionale.
Çfarë është depresioni pas lindjes?
Depresioni pas lindjes (i njohur ndryshe si postpartum depression) është një çrregullim emocional që shfaqet zakonisht në javët ose muajt e parë pas lindjes së fëmijës. Ai mund të përfshijë simptoma si:
Trishtim i vazhdueshëm
Mungesë energjie dhe lodhje e thellë
Humbje interesi për beben ose për aktivitetet e përditshme
Ndjenja faji, paaftësie ose pavlefshmërie
Vështirësi në gjumë (pavarësisht lodhjes)
Ankth, nervozizëm, ndonjëherë edhe mendime të rënda për veten ose beben
Këto simptoma nuk janë një shenjë dobësie apo mungese dashurie për fëmijën – ato janë pasojë e ndryshimeve të mëdha hormonale, fizike dhe emocionale që ndodhin pas lindjes.
Pse ndodh dhe cilat janë shkaqet?
Shkaqet janë të ndryshme dhe shpesh ndërthuren:
Ndryshimet hormonale pas lindjes, veçanërisht rënia e shpejtë e estrogjenit dhe progesteronit
Lodhja fizike nga shtatzënia dhe kujdesi për beben
Ndryshimet sociale dhe psikologjike, si humbja e pavarësisë, izolimi, mungesa e gjumit dhe ndjenja e presionit për të qenë një “nënë perfekte”
Histori personale ose familjare me probleme të shëndetit mendor
Këshillimi psikologjik, një ndihmë që shpëton jetë
Sipas të dhënave të fundit, rreth 80% e nënave kanë nevojë për këshillim psikologjik pas lindjes, qoftë edhe për periudha të shkurtra. Ky këshillim ndihmon në:
Normalizimin e emocioneve dhe ndarjen e ndjenjave pa gjykim
Zbulimin e simptomave të hershme të depresionit
Ofrimin e strategjive për menaxhimin e stresit, ankthit dhe përgjegjësive të reja
Mbështetjen në ruajtjen e marrëdhënieve të shëndetshme me partnerin, familjen dhe beben
Çfarë mund të bëjë familja dhe shoqëria?
Mos e gjykoni nënën për emocionet që përjeton! Depresioni pas lindjes është real dhe i trajtueshëm.
Dëgjojeni me empati, ofroni ndihmë praktike dhe mbështetje emocionale!
Inkurajojeni të kërkojë ndihmë profesionale, pa ndjerë turp apo frikë!
Kujdesi për nënën është kujdes për fëmijën
Në një shoqëri ku përqendrohemi shpesh vetëm tek foshnja, është koha të kuptojmë se shëndeti mendor i nënës është po aq i rëndësishëm. Nënat kanë nevojë për përkujdesje, mirëkuptim dhe mbështetje jo vetëm në ditët e para pas lindjes, por gjatë gjithë rrugëtimit të tyre të ri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.