Marrëdhënie

April 5, 2016 | 10:32

Dëshmi/ Anjeza Shahini: Prindërit e mi këmbëngulës

Mamaja, gjithmonë është gati të më kritikojë, nëse kur këndoj me shket ndonjë notë, ndërsa babi ka qenë menaxheri dhe këshilltari im më i mirë. Të dy më kanë ndihmuar shumë, jo vetëm në muzikë, por edhe në çdo vendim që unë kam marrë në jetë.

Ata donin një djalë në fakt, por u lindi një vajzë. Ndaj dhe Anjeza Shahinin në familje e trajtuan si “dalin e vogël”. Nuk e thërrisnin në emër, por me nofkën “çuni” i shtëpisë. Por kjo mesa duket ka pasur një vlerë që vlen të merret në konsideratë. E ka bërë komunikimin mes saj dhe prindërve të lirshëm. Këngëtarja kujton me nostalgji, që kur, i ndjeri babai i saj, i kërkonte të flisnin, asaj shpesh i dukej vetja si shoku i tij. Nga ana tjetër, mes saj e nënës është krijuar një marrëdhënie shoqesh.

***

Këngëtarja gjatë fëmijërisë, ka pasur fatin të ndihet herë e llastuar, e herë e përmbajtur. Pasi në vëmendjen e prindërve, ishte gjithnjë një vend i rezervuar për Anjezën. “Nuk ka më mirë, se sa të ndihesh fëmijë përpara prindërve të tu, sado e fortë apo e llastuar të jesh”, thekson këngëtarja. Duke folur sot nga pozicioni i fëmijës, ajo ndjehet krenare që është rritur nga dy prindër si ata… të cilët kanë sakrifikuar shumë dhe për më tepër kanë qenë bashkudhëtare në rrugën e suksesit, që tanimë e ka afirmuar Anjezën si një këngëtare të zonjën dhe me zë brilant. Një fjalë e vetme, nuk mjafton për t’u shprehur gjithë mirënjohjen dhe respektin që ata meri  tojnë. “Kam pasur fëmijëri të lumtur… kujtoj momentet kur u ngjitesha pas për t’i shoqëruar nëpër aktivitetet ku ata shkonin, në gëzimet familjare”…

***

“Më pas, me kalimin e moshës, në adoleshencë, ata më tregojnë se këtë fazë të jetës sime thuajse nuk e kanë ndjerë fare. Edhe unë vetë e kam përjetuar fare pak si të tillë. Angazhimi kryesor për mua ishte muzika dhe aktivitetet artistike, që nuk më lejonin të mendoja për veten. Maksimumi, ato shenja të vogla të adoleshencës, i kanë njohur motra dhe shoqëria ime, të cilat ndonjëherë duronin nervozizmin tim”, tregon Anjeza Shahini. Për të kaluar një adoleshencë pa probleme, nuk ekzistojnë as rregulla të arta, nuk funksionojnë as modele rritjeje… thjesht nevojitet një menaxhim i drejtë mes lirisë së tepërt dhe kufizimit të saj, që shpesh prindërit e gjykojnë të nevojshme për ta bërë karshi fëmijës së tyre. Këtë kanë bërë edhe prindërit e këngëtares, që duket se kanë hasur edhe në miratimin nga ana e saj.

***

Ishin prindërit që i dhanë shtysën kryesore të bijës për të përqafuar artin, dhe për të shkelur bindshëm në rrugën e suksesit në muzikë. Ata ishin vetë shembulli, duke i pasur të dukshme dhuntitë ndaj artit… mamaja si këngëtare, dhe i ati… i cili ndonëse pikturonte bukur, mund të ishte bërë sot edhe një shahist i suksesshëm. Por, në fund, të dy ndoqën rrugë krejt të ndryshme nga pasionet e tyre, dhe këtë “peng” u duk se e realizoi më së miri, vetë Anjeza, që nuk u dorëzua lehtë, por u vu në ndjekje të pasionit, me hapa edhe më të sigurt se prindërit e saj.

***

Tani: “Mamaja, gjithmonë është gati të më kritikojë, nëse kur këndoj me shket ndonjë notë, ndërsa babi ka qenë menaxheri dhe këshilltari im më i mirë. Të dy më kanë ndihmuar shumë, jo vetëm në muzikë, por edhe në çdo vendim që unë kam marrë në jetë. I vlerësoj për gjithçka kanë bërë për mua”.

Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top