Marrëdhënie

April 5, 2016 | 10:10

5 pika për t’u mbështetur/ Të jeni prindër ZEN

Midis stresit, rrugës përkundër rrjedhës së kohës, ndjesisë së fajit… mamatë dhe baballarët, ndihen shpesh nën presion. E sakaq, kërkimi i rrugës që mundëson vendosjen e një raporti të mirë prindër -fëmijë, mbi terrenin e vështirë të edukimit është një dëshirë e zakonshme. Të jeni prindër ZEN? Të gjithë do të donin. Po si? Vetëdija e të qenit i rritur, i vendosur dhe i aftë për tu përballur me çdo problem, është hapi i parë për tu bërë prindër ZEN. Nuk është fjala për të kërkuar përsosmërinë. Përkundrazi, pikërisht kjo nuk vlen. Por mund të jeni elastikë dhe të vendosur njëkohësisht, pa u bërë të ashpër. Ja disa këshilla që për t’i orientuar prindërit drejt ekuilibrit, harmonisë dhe përpikërisë…

1. Hiqni dorë nga ideja e përsosmërisë

Është më mirë të jeni prindër mjaftueshëm të mirë. Ndaj çlirohuni nga ideja e prindit ideal. Nuk vlen të luash rolin e prindit model, duke vënë një maskë dhe duke dhënë një imazh të ndryshëm për veten. Artificet, herët a vonë do të minojnë besimin e fëmijët te prindi. Kemi defekte, qoftë si bashkëshortë, qoftë si prindër. Duhet të pranojmë të shkuarën, zgjedhjet, gabimet, pa pretenduar të rishkruajmë historinë tonë vetjake. Asnjëherë s’duhet të mendoni se fëmijët tuaj duhet të bëjnë atë që ju s’keni mundur, për të arritur majën. E madje të kultivoni autenticitetin do të thotë të përballeni në mënyrë të sinqertë me jetën në të gjitha aspektet e saj.

2. Përfshini partnerin

T’i thuash fëmijës: të mos e marrë vesh mami/ babi, krijon konfuzion. Kjo s’do të thotë se duhet të jeni dakord për çdo gjë me partnerin, lidhur me fëmijën tuaj, por dialogu është i rëndësishëm. Sigurisht ka dallime mes dy prindërve, qoftë edhe në mënyrën se si kujdesen për fëmijët. Fundja, bijtë s’kanë nevojë për dy nëna ose dy baballarë. Sidoqoftë, që të dy partnerët duhet të jenë të përfshirë, sipas mënyrave të gjithsecilit, në procesion e rritjes së fëmijëve.

3. Të jeni shembull

Fëmijët, më mirë se nëpërmjet çdo gjëje, mësojnë nëpërmjet transmetimit të përvojave personale.Të jeni prindër ZEN do të thotë të mos pretendoni nga fëmijët diçka që vetë nuk e praktikoni. Si mund të pretendojmë prej fëmijëve që t’i kushtohen librave, ndërsa vetë preferojmë të rrimë para televizorit? Jepeni ju më parë shembullin tuaj. Fëmijët janë të prirur të imitojnë sjelljet e prindërve.

4. Organizohuni qetësisht

Për të funksionuar menaxhimi familjar, nevojitet organizim. Hapi i parë është për të marrë përgjegjësi çdo anëtar i familjes. Mjafton një pusullë e ngjitur në derën e frigoriferit, për të përcaktuar prioritetet dhe detyrat e gjithsecilit prind apo fëmijë. Aspekti tjetër themelor është qetësia. Nuk është fjala për të qenë thjesht gjakftohtë apo për të duruar tekat e fëmijëve, por për të vënë në pah çdo gjë që është e lejueshme dhe çdo gjë që nuk është. Një prind i qetë dhe i vendosur është për fëmijën një guidë, një port i sigurt.

5.Mos e shpërfillni jetën në çift

Një nënë është njëkohësisht edhe një grua, e një baba është njëkohësisht edhe një burrë. Nuk jemi qenie me një dimension dhe shfaqja e këtij aspekti i bën fëmijën të rriten kureshtarë dhe mendjehapur. T’i japësh vëmendje partnerit gjithashtu i jep siguri fëmijës. Mësojini të trokasin në derën e dhomës së gjumit… Dhe, hapi i fundit: mos u ndjeni në faj nëse fëmijët tuaj ua lini në dorë ndonjëherë dadove dhe gjyshërve

KONCEPTE ÇELES

Filozofia ZEN na mëson që veprimet janë më domethënëse se fjalët. Nuk mund të pretendojmë nga fëmijët, atë që ne vetë nuk e vëmë në praktikë. Të çlirohemi nga imazhi i prindit ideal është hapi i parë për të vendosur me fëmijët një raport të hapur. Organizimi është baza a familjes ZEN. Ndarja e detyrave premton të qenit prindër të mirë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top