Marrëdhënie

August 22, 2016 | 8:34

Dëshmi/ Delina Fico: Dashuria do kohën e vet!

Të qenët e vërtetë nuk ‘e tremb’ aspak nga paragjykimet apo mendimet e të tjerëve. Në gjërat që do dhe bën, ajo është e drejtpërdrejtë dhe nuk lë hije dyshimi të mëpasme se përse ndodhi kështu apo ashtu. Pasioni, dashuria dhe sinqeriteti në gjithçka për jetën që e rrethon, e bëjnë Delina Ficon të jetojë pa e kursyer kohën dhe dritën. Një lloj pavarësie që ajo e shijon në çdo gjë, me të mirat e të këqijat gatuar së bashku. E njohim si një aktiviste të mirë të shoqërisë civile, sikundër kjo ‘i vesh’ figurën dhe rolin e një femre të zgjuar, të sigurt dhe të shpejtë në pozitat e kudondodhura. Sot ajo i gëzohet ndjenjës së lumtur në krah të Bledar Çuçi, ministër për Çështjet Vendore.

Përkushtimi në raportin në çift. Cilat janë sipas jush ‘armët’ për ta mbajtur ‘gjallë’ një lidhje, pavarësisht ulje-ngritjeve që koha na i rezervon?

Unë mendoj se një lidhje nuk duhet marrë asnjëherë si e qenë, si diçka që është aty dhe nuk ndryshon. Është shumë e rëndësishme që të mos harrosh asnjë çast sa e rëndësishme është kjo marrëdhënie për ty dhe të investosh në të. Është tepër e rëndësishme të mos harrosh ta shohësh me dashuri dashurinë dhe t’i kushtosh kohën dhe energjinë që duhet, gjë që nuk është gjithnjë e lehtë në kontekstin e njëqind gjërave që të duhet të bësh në jetë. Nuk besoj shumë te truqet apo lojërat me një dashuri: është e rëndësishme të jesh i vërtetë dhe të japësh me sinqeritet dhe besim më të mirën në një marrëdhënie, duke i kujtuar vetes se ke nevojë të marrësh, por edhe të japësh dashuri, respekt dhe vëmendje të vërtetë.

Sa ndihmon elasticiteti apo spontaniteti në një lidhje sa i takon mbarëvajtjes së saj?

Të jesh spontan është një vlerë e bukur, që mund edhe të mos e kenë të gjithë njerëzit. Por, një gjë mund ta bëjmë të gjithë: ta shikojmë një marrëdhënie për atë që është, një gjë e gjallë, që ndryshon dhe që ndërtohet çdo ditë dhe që ka nevojë të ushqehet me emocion, ngjarje, fjalë, ngjyra, dritë çdo moment. Një nga gjërat më shkatërruese që mund t’i bësh një marrëdhënieje, është që të kërkosh të rrijë në vend: t’i kërkosh të të japë të njëjtin emocion, të të thotë të njëjtat fjalë, të përsërisë të njëjtat gjeste si pesë vjet më parë. Një marrëdhënie e gjatë kërkon të jesh me të edhe në ditë kur ajo s’ka shumë vëmendje për ty, sepse ka diçka tjetër që merr përparësi, si p.sh. një prind i sëmurë, një moment shumë i ngarkuar me punë, edhe në ditë kur ajo është e gjitha e jotja.

Sa kujdeseni në situata të ndryshme për të qenë më pranë partnerit, për ta bërë lidhjen sa më joshëse në sytë e të dyve?

Unë di shumë mirë të jem emocionalisht pranë të dashurit tim, si dhe çdo njeriu që dua në jetë. Por nuk di mirë të bëj ndonjë përpjekje ekstra për të joshur dikë. Unë besoj shumë tek dashuria e thellë, e vërtetë, dashuria për zemrën, dritën, mendjen, trupin e partnerit, dhe besoj se nëse e lë të lirë këtë dashuri dhe e jep atë pa kushte, kjo mjafton.

Kripa’ e jetës është edhe të grindesh nga pak. Sa e shëndosh kjo, sipas jush, marrëdhënien?

Unë vetë s’e kam problem të grindem, por rrallë dhe jo me gjithsej. Mendoj që të jep mundësi të nxjerrësh jashtë vetes çfarëdo bezdie ose meraku që ke, e pastaj je rehat. Por, jo çdo njeri e ka qejf këtë. Ka mjaft burra që e urrejnë konfrontimin.

Ruajtja e intimitetit është po kaq e rëndësishme në një marrëdhënie të shëndetshme…

Jo tamam. Si natyrë, nuk jam shumë e lidhur me të kaluarën, edhe kur ajo është e bukur. Unë jetoj vërtet në të tashmen dhe më tërheq ajo që s’kam bërë ose s’kam prekur, pra, e ardhmja. Ndaj kam më shumë dëshirë të bëj diçka të re ose të papritur me të dashurin tim, jo diçka të ditur apo të pritshme. Sidoqoftë, në këtë jetë që jetojmë, fatkeqësisht, kemi gjithnjë shumë pak kohë që t’i kushtohemi dashurisë aq sa do të duhej.

Psikologu i njohur Randi Gunther thotë se: përbërësit e një marrëdhënieje të fortë janë disa deklarata të shkurtra…

E para ishte fjala dhe fjala mbetet e para. Të ruash një komunikim të ngrohtë, të ngarkuar me emocion të vërtetë me njeriun që do, është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme të ruash gjithnjë një linjë komunikimi, që është kodi i veçantë mes ju të dyve. Unë e dua fjalën dhe jam shumë e hapur për komunikim. Po ashtu, jap dashuri me shumë kënaqësi e pa u menduar dy herë, ndaj për mua kjo gjë vjen natyrshëm. Por, e di që ka njerëz, sidomos burra, që thonë: Unë të dua, por s’ta them. Nuk e kuptoj këtë lloj dashurie dhe nuk do të jetoja dot me një njeri të tillë. Unë dua ta ndjej me gjithsej ngrohtësinë që vjen nga dashuria, përmes fjalëve apo një përqafimi.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.79

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top