Në fokus

November 1, 2017 | 10:05

Dëshmi/ Dhurata Lazo: Muzika klasike, shëruesja e shpirtrave

Piano është gjithçka bota e saj ridimensionohet. Instrumenti pas të cilit ka dhënë jetën e saj. Është objekti dhe subjekti më i ngushtë ku derdh pasionin dhe nga ku lindin ndjenja sublime. Gjithçka e përkufizon ngushtë me pianon, pazgjidhshmërisht me udhëtimin e saj 43-vjeçar plot pasion e përkushtim. Mbi tastierën e këtij instrumenti fisnik nuk ka frikë të tendosë e “godasë” me shpirt, nota që tinguj zbrazin në ajër, e krijojnë atmosferën magjike që arti muzikor ndez. Shpirti ushqehet bukur!

untitled

Për Dhurata Lazon, pianisten, që prej 27 vitesh jeton larg vendlindjes së saj, muzika është ushqimi i përditshëm, është gjuha e shpirtit prej nga ku kanë marrë zgjidhje shumë situata a probleme të vështira. E rritur dhe edukuar qysh herët me pianon në qytetin e Gjirokastrës, ky instrument do të bëhej arma e saj më e mirë në rrugëtimin artistik dhe profesional. Personazhe të tillë, të bëjnë ta duash edhe më shumë artin, muzikën, kur përpara një bisede të lirshme, të entuziazmojnë dhe të krijojnë një atmosferë magjike, pas së cilës gjithçka merr kuptim drejt një lirie unike e të patjetërsueshme. Po, po. Unë e dua muzikën.

Ashtu si Shopen ka bërë të bien në dashuri shumë njerëz pas muzikës së tij, në këtë dimension mori udhë edhe biseda jonë. Dhurata thotë se gjithnjë ka jetuar me pasionin për pianon. “Di që nuk mund të jetoj dot pa profesionin tim, i cili më ka ndihmuar në shumë e shumë gjëra të tjera, sepse muzika klasike, që besoj të gjithë duhet të bëjnë paksa, të pasuron, të bën më të ndjeshme, më pozitive”. E kjo e bën t’i ngacmojë egon dhe motivin për të punuar. Pra e frymëzon në arritjet e saj. “Sigurisht që bota e artistit është diçka që ndryshe nga profesionet e tjera, sepse është vetë profesioni që na bën të dukemi sikur jemi ndryshe nga të tjerët. Unë për vete ndjehem paksa bebe në këtë drejtim”, pohon Lazo. Por sa ka ndikuar e gjithë kjo gjendje e krijuar vit pas viti emocionalisht? Sa ia ka rritur vetëbesimin në jetë? “Koncertet janë të ndryshme. Herë jam soliste e herë me orkestër. Herë tjetër jam me muzikë dhome. Çdolloj muzike është shumë e bukur. Për mua, kritiku më i mirë është publiku. Kur e emocionon publikun, kur ka një bashkëpunim të fortë shpirtërisht me publikun nëpërmjet artit të bukur të tingujve, aty ndjen emocionin më të madh, dhe jo se ndihesh e realizuar, por ai është kulmi i koncertit. Që të kapësh shpirtrat e publikut duhet të kesh bashkëbisedim përmes artit”.

Diplomimi në një nga shkollat e rëndësishme të artit, shkolla e Shopenit, ka qenë një nga përvojat më të mira të pianistes Dhurata Lazo. Ajo ka qenë gjithashtu pianistja e parë që ka marrë pjesë në Varshavë dhe ka luajtur në universitetin e Shopenit, saktësisht te salla e tij, ku ka mbajtur dhe një recital. “Të them të drejtën, publiku polak është pak jo i përshtatshëm nëse u vjen një i huaj dhe u interpreton Shopenin. Janë shumë konservatorë. Por mua, ajo që më ngriti, ishte sepse kisha studiuar me një emër të njohur, pedagog polak. Ne nuk duhet të jemi fanatik edhe pse shkollat dhe stilet janë të ndryshme. Në fund të fundit, ti mbyll sytë, dëgjon muzikë dhe ndjen”. E nëse e pyet Dhuratën se cili zhanër muzikor i ka dhënë më shumë pushtet mbi piano, ajo e ka të qartë dhe e pohon pa hezitim: “Muzika romantike. Tani po luaj Bet’hoven në stilin klasik, por muzika romantike e Shopen ka qenë një nga përvojat e mira më të mira, sepse aty gjeta gjuhën time se çfarë doja. Shopen mund të luaj gjithë jetën”.

Muzika, si terapi te psikologu

Të gjithë e kanjë një këshillues të mirë kur janë të mërzitur. Dikush rend pas një miku, e dikush e gjen shërimin tek gjërat e vogla. Një artiste e ka më të thellë se kaq ndjenjën. Dhurata Lazo pohon të të qajë, e ka terapinë më të mirë kur ndodhet në çaste të brishta. “Qaj si bebe, pastaj çohem dhe shkoj studioj piano. Vetëm arti më ka ndihmuar në të gjitha problemet e jetës time. Kemi një rrugëtim, që kur krijojmë familje, e cila është gjëja më e vështirë, pasi duhet të jesh në të njëjtën kohë edhe nënë. Unë kam dy djem, janë të rritur, por kam edhe nënën, për të cilën duhet të kem kujdes. Kam qenë shumë e ndihmuar nga familjarët. Lotët janë një shpërthim ndjenjash. Kur kam mall është shija më e ëmbël. Muzika klasike ndihmon shumë, madje duke dëgjuar Moxart, që është një muzikë kristal, e pasur, e pastër, shumë e thjeshtë për ta dëgjuar, e bukur, ajo ndihmon, rrit dhe zhvillon emocionet, ndihmon anën psikike. Shumë të sëmurë nëpër spitale të tilla vendosin Moxart. Unë vetë kam ndihmuar dikë me CD time me një sëmundje shumë të keqe, e cila më thoshte: dëgjoj çdo ditë Shopen dhe me qetëson. Është terapi, si të shikosh tablonë e një gruaje nudo. E njëjta gjë është edhe muzika, një shpirt i lirë, një shpirt ‘nudo’”. Por sa i nevojshëm është psikologu në art dhe a e ka praktikuar atë? Për Dhuratën, “artistët në përgjithësi kanë një lloj sindrome, që jetojnë shumë lart edhe poshtë. Kanë nevojë dhe ata për psikolog. Unë them që vetë arti është psikologji. Tjetër gjë kur lexon për anën pozitive të jetës, apo për detaje të vogla që ne nuk i vëmë rëndësi, por ato ta zbukurojnë jetën. Edhe një buzëqeshje është art terapi. Por psikologjia dhe arti janë të lidhura pa shumë leksione të ulura përballë psikologut”.

Këshilla e karrierës sipas Dhurata Lazos

Vetëm, vetëm me punë arrihet çdo gjë. Sado të talentuar të jeni, vetëm punë e këmbëngulje dhe mbi të gjitha me pasion të fortë. Që të bëhesh artist është sakrificë e fortë. Unë nuk e quaj dot veten pianiste, edhe pse jam e tillë. Ka aq shumë për të mësuar dhe studiuar akoma sa ia lë kohës.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.118

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top