Psikofakt

November 1, 2017 | 10:01

Nga Klodiana Beshku: Letër djalit tim të dytë

Klodiana Beshku, Pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, UT.

Klodiana Beshku, Pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, UT.

Zemër e vogël, që kur ke ardhur ti, familja jonë sikur është plotësuar, sikur i është vendosur copëza e puzzle-it që mungonte apo ajo karrigia e katërt në tavolinë.

Ti ke shumë nevojë për mua, e vëllai yt i madh, dhe ai vetë shumë i vogël për të merituar epitetin “i madh”, e ndien më shume se kurrë këtë. Ndonjëherë më duket vetja si ato orët në pikturat surrealiste të Dalì-së që tërhiqen e shformohen nga të gjitha anët, për t’u riformësuar në gjendjen e time të mëparshme vetëm në darkë kur juve të dyve ju ka zënë gjumi, si tani.

Unë nuk e kisha menduar kurrë që një zemër mund të jetë kaq e madhe sa të mbaje brenda kaq shumë dashuri. Para se të lindje ti isha e frikësuar pasi mendoja se dashurinë që kisha për vëllanë tënd do të më duhej ta ndaja me ty. Vetëm pasi të mora në krahë kuptova se dashuria nuk përgjysmohej, por dyfishohej e shumëfishohej në mijëra sy, veshë, ndjesi, orë pa gjumë, shqetësime, buzëqeshje e përqafime.

Sa shumë të tilla do të ketë akoma derisa të rritesh sadopak.

Ti je shumë i vogël, por unë kam vendosur të mos të të konsideroj të tillë gjithmonë. Nga unë nuk do të dëgjosh ndonjëherë fjali si: “Dëgjoje vëllain se është më i madh”, e as atij nuk do i them kurrë “hapi rrugë vëllait se është më i vogël”. Ju të dy jeni të barabartë. Vëllai duhet dëgjuar nëse ka të drejtë e ai duhet të të mirëkuptojë nëse i duket e arsyeshme.

Kur të më ankohesh se përse vëllai i madh nuk të merr me vete, nuk do i dal në mbrojtje e as nuk do i lutem që ta bëjë. Kjo duhet të ndodhë nëse do ju bëjë të ndjeheni më mirë. Kur të më pyesësh se përse të mëdhenjtë janë më të zotë, do të të them që asgjë nuk është e pamundur, mjafton vullneti.

Në shtëpinë tonë nuk do të ketë punë grash e punë burrash. Ne të gjithë do i bëjmë bashkë ato të shtëpisë e secili ato të vetat. Mami e ka të rëndësishme të ëndërrojë për një të ardhme më të mirë.

Kur të më pyesësh se përse vajzave nuk iu pëlqejnë makinat, do të të përgjigjem ashtu si vëllait tënd para disa ditësh mbi vajzat që nuk pëlqejnë dinozaurët: Ka vajza që i pëlqejnë. Është thjesht çështje shijesh. Mami ëndërron një botë të barabartë e pa ndarje në bazë të gjinisë.

Ama, kur të më pyesësh kë do më shumë, do të të përgjigjem: Ty! Të njëjtën përgjigje do i jap edhe vëllait tënd ndaj të njëjtës pyetje. Ju duhet të mendoni se jeni të veçantë për mua secili më shumë se tjetri. Vetëm mamatë me dy djem mund ta kuptojnë këtë gënjeshtër të bardhë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top