Marrëdhënie

August 26, 2016 | 9:15

Dëshmi/ Dorela & Vedat Ademi: Sekreti?! Të mos mbash inate

Në fillimin e një lidhjeje serioze ka një lloj force për të besuar mbi të ardhmen në çift, një shtysë e brendshme që ndikon në arritjen e disa pritshmërive. Sidomos, kur e ke ndarë mendjen se partneri që të qëndron në krah, është njeriu i duhur i jetës për ty. Ka një por, që për psikologët ka të bëjë me vendosjen e disa pikave kyçe, pararendëse për një lidhje të rëndësishme. Gjithçka bazohet mbi theksin për mospërsëritjen e atyre gjërave, të cilat në të shkuarën nuk kanë shkuar mirë.

Në jetë ka njerëz të ngjashëm, të cilëve mund t’u besosh për vlerat që kanë, e kjo i lidh fort dy individë për t’i rezistuar viteve bashkë. Ata u njohën krejt rastësisht, në një prej ambienteve ku deliri i tyre ishte muzika. Ajo e rritur në një ambient muzikantësh, bija e një kompozitori, motra e kitaristit që luan në bandën e bashkëshortit, ndërsa ai një artist më shumë se kaq. Dorela, një vajzë tiranase, e rritur me principe krejt ndryshe nga Vedati, mitrovicaliu që do t’i rrëmbente zemrën dhe do të tjetërsonte tek ajo disa tipare në lidhjen në çift. Prej mbi një dekade ndajnë ndjenjën si dy individë që dinë të respektojnë hapësirat e njëri-tjetrit dhe të jenë po kaq bashkëpunëtorë në idetë dhe realizimet e qëllimeve të gjithsecilit. Tanimë dhe prindër të një djali. Do të pyesnit se sa ka ndryshuar marrëdhënia e tyre? Natyrisht, ardhja në jetë e një fëmije është një motivim madhor. Por përpos kësaj, objektivat drejt arritjes personale dhe jo vetëm, nuk kanë ndryshuar. Sa i takon çiftit, edhe ata ruajnë të njëjtat vlerësime për njëri-tjetrin. Për Vedatin: “Dorela është e njëjta, qëkurse e kam njohur. E mirësjellshme, e ndjeshme, pozitive, një emocion që e mban gjallë lidhjen. Nuk është e domosdoshme që partnerët të jenë tipa të njëjtë. Mjafton që ata të kenë interesa të përbashkët dhe të kuptohen mirë me njëri-tjetrin. Çdo marrëdhënie njerëzore është komplekse në tërësinë e saj”. Sipas këngëtarit: “Pa grua nuk ka jetë”, e kësaj i vesh mishërimin e plotësisë. “Një marrëdhënie varet nga afërsia që partnerët kanë me njëri-tjetrin, nga koha që kalojnë së bashku, kujdesi dhe vëmendja ndaj çdo detaji që i jep rëndësi rolit të secilit. Të tjera kritere, si toleranca apo mirëkuptimi, janë në favor të jetëgjatësisë së marrëdhënies. Çdo çift ka debate, apo diskutime për ngjarje a situata, për të cilat njëri apo tjetri është dakord në mënyrën e tij. Unë dhe Dorela e kemi treguar që jemi tipa të durueshëm dhe që lëshojmë pe. Nuk na zgjat shumë inati”.

Ata vazhdojnë të jenë besnikë të mbrëmjeve së bashku, ritualeve që përshkojnë axhendën e një artisti, pa lënë mënjanë detyrat e familjes. “Përpiqem ta ndihmoj Dorelën në disa punë shtëpie. Të dy kontribuojmë rreth gjërave të përbashkëta që kemi në shtëpi. Për shembull, enët e kuzhinës nuk kam dëshirë t’i laj, por sa i takon gatimit e bëj me shumë kënaqësi. Kur bashkëshortja vjen vonë në shtëpi, për shkak të impenjimeve në punë, unë i shtroj drekën ose darkën, gatuaj receta interesante dhe e mirëpres me shumë dashuri. Shpeshherë bëj pazare, blej produkte të nevojshme për shtëpinë. Kësisoj jap ndihmesën time si bashkëshort”.

Dorela është një ekonomiste me përvojë, ndërsa për Vedatin interesi në këtë fushë është në doza të vogla. Për fat, siç e thotë dhe vetë ai: “Të paktën, duke pasur profesione të ndryshme, nuk bëhemi xhelozë për njëri-tjetrin”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.83

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top