Mirëqenie

August 26, 2016 | 9:35

Shqetësimet psikomatike…Kur trupi flet

Çfarë fshihet pas një shqetësimi fizik që mund të përjetojmë? Kemi hetuar dhe kemi gjetur një përgjigje në çelësin psikomatik të shqetësimeve më të zakonshme, për të kuptuar sinjalet që na dërgon trupi ynë…

Kur trupi mbrohet nga ndjenjat e dhimbshme dhe të padurueshme shfaqet shqetësimi i disa organeve. Është mekanizmi i veprimit të shqetësimeve psikomatike. Ankthi, vuajtja, ndjenjat shumë të dhimbshme për t’u duruar, gjejnë një rrugë të menjëhershme shkarkimi nga trupi, duke u shndërruar në një apo më shumë simptoma. Më poshtë do të gjeni interpretimin e mundshëm të kuptimit të shqetësimeve më të zakonshme psikomatike.

Nën këndvështrimin psikomatik, migrena mund të tregojë nevojën për të çliruar kontrollin e tepruar dhe për rrjedhojë dëshirën për t’i lënë më tepër hapësirë intuitës. Në fakt, zakonisht, ata që vuajnë nga dhimbja e kokës kanë një mendje të kthjellët dhe racionale (më tepër nga sa duhet), e cila duhet të mbajë gjithçka nën kontroll pa hequr dorë asnjëherë. Ata që vuajnë shpesh nga gastriti, urthi apo shqetësime të tjera të stomakut, janë të detyruar t’i “përtypin” ofendimet. Motoja e këtyre njerëzve është “kur më gjuajnë me shpullë, u ofroj edhe faqen tjetër”, por njëkohësisht grumbullojnë inat dhe mëri të thella brenda vetes. Në këtë mënyrë, detyrojnë stomakun të kryejë një “tretje” të ngadaltë dhe të vështirë të mërisë. Praktikisht janë viktimë e diplomacisë së tepërt. Në psikomati, lëkura përfaqëson simbolikisht kufirin ndërmjet vetes dhe të tjerëve. Kur ka një problem, mund të shfaqen probleme (jo domosdoshmërish puçrra, por edhe ekzema dhe të tjera probleme pa asnjë shkak).

Personat që kanë këto probleme, nuk i kanë të qarta kufijtë e tyre. Për t’u mbrojtur, ata mundohen të rrinë sa më larg njerëzve të tjerë. Gjithashtu mund të jetë edhe tregues se duke qenë se nuk kanë mundësi, të duan të jenë më afër personave që i kanë për zemër. Problemet me zorrët dhe kapsllëkun mund të jenë tregues i një afërsie të tepruar me gjërat materiale, por mund të përfaqësojë edhe frikën se mos të tjerët u kuptojnë frikën dhe ndjenjat, nga të cilat nuk mund të largohen dot. Ndërsa koliti mund të jetë një problem që u shfaqet njerëzve që zakonisht bëjnë debate, që nuk e “mbysin” dot inatin dhe agresivitetin dhe, për pasojë, më vonë ndiejnë përçmim për veten dhe për veprimet e tyre. Zorrët e këtyre personave ngarkohen simbolikisht me ndjenja faji, ndaj ata vuajnë nga dhimbjet e kolitit. Djersitja e tepërt e pjesëve të trupit që kanë gjëndra djerse (duart, këmbët, sqetullat) prek kryesisht njerëzit e ndrojtur, emotivë, që vuajnë nga ankthi dhe janë të vetmuar. Këta persona kanë vështirësi të krijojnë marrëdhënie ndërpersonale. Shqetësimet kryesore të aparatit qarkullues lidhen me mungesën e qarkullimit të dashurisë dhe lumturisë te njerëzit. Rrahjet, aritmia, ndjesia e dhimbjeve, shqetësimet vazomotorike etj., mund të vijnë si pasojë e braktisjes, ndarjes së parakohshme të personave të dashur dhe për të cilët kemi interes.

Shqetësimet më të mëdha, mund të lidhen me stresin psikik të vazhdueshëm bashkë me disa karakteristika të personalitetit, mes të cilave konkurrenca, ambicia dhe agresiviteti. Cistet dhe problemet gjenitale prekin kryesisht dy tipe femrash: ato që vuajnë nga ankthi dhe ato që gjatë gjithë kohës janë të acaruara dhe irrituara. Këta persona stresohen me lehtësi dhe pikërisht për këtë grumbullojnë tensionet në trup dhe përgjithësisht në zonën gjenitale. Aparati i frymëmarrjes përfaqëson shkëmbimin ndërmjet ambientit të jashtëm dhe atij të brendshëm. Shqetësimet që manifestohen janë astma, marrin frymë me vështirësi dhe tregojnë mungesën e shijes së jetës, humbjen e dëshirës për të jetuar, por edhe frikën nga vdekja.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top