Në fokus

August 10, 2016 | 9:38

Dëshmi/ Elia Zaharia: Them shpesh ‘faleminderit’

Në moshën 30-vjeçare mban titullin Princeshë e shqiptarëve, njëherazi e vlerësuar për rolin si presidente e Fondacionit “Mbretëresha Geraldinë”. Kontributi i saj është po kaq i devotshëm edhe në aktrim, ku jo pak herë është vlerësuar me çmime. Bija e aktores së njohur Yllka Mujo, për shumëçka në arritjet e derisotme, vlerëson Perëndinë, engjëjt mbrojtës që i dërgon. Falë tyre merr energji, të cilat shndërrohen në suksese. Siç pohon vetë aktorja, “jo vetëm suksesi, por edhe mësimet që jeta na jep vlen t’i themi ‘faleminderit’, pasi gjithmonë rrëzohemi për t’u ngritur më të fortë dhe më të ndërgjegjshëm. Sidoqoftë, më së shumti i jam mirënjohëse Zotit për besimin dhe shpresën, prindërve për sakrificat e pashtershme e dashurinë pa kushte, të fejuarit tim për dashurinë, mbështetjen, frymëzimin, miqve për të vërtetën, që kanë qenë e janë pranë meje në stuhi dhe kohë me diell, teatrit për pasionin dhe hulumtimin brenda vetes, por edhe librave për kuriozitetin që më ngjallin dhe për dimensionet ku më shëtisin”. Në jetën e saj, fjala që përdor dhe e ndjen më shumë kur e thotë është ‘faleminderit’. Madje sipas Elias, “një nga kënaqësitë është ta shpreh mirënjohjen sa herë më jepet rasti. Mendoj se kam pasur fat, pasi jeta më ka dhënë dashuri dhe kjo për mua është bërë edhe burim krijimtarie…”. John Wooden thotë: “Talentin ta jep Zoti. Ji modest. Famën ta japin njerëzit. Ji mirënjohës. Mendjemadh bëhesh vetë. Ki kujdes”… Fatkeqësisht vitet e fundit hyjnë në lojë të tjera kritere, ndaj kur suksesi nuk vjen nga puna, por nga falsitetet që vetë mjedisi përreth t’i krijon, atëherë të duket çdo gjë dhuratë e thjeshtë dhe detyrimisht nuk e vlerëson drejt. Nga përvoja me artistë të ndryshëm, them me bindje se ata më të rëndësishmit janë edhe më modestët, dhe kjo në sytë e mi i bën akoma edhe më të mëdhenj! Të ruash modestinë është respekt për veten, për punën dhe tregon dinjitet. Talentin ta jep Zoti dhe kjo nuk është meritë e jotja, ndaj për çfarë vlen mendjemadhësia? Famën ta japin njerëzit, pra ndaj kujt tregohesh mosmirënjohës? Njeriu për mua në çfarëdolloj pozicioni të jetë, është mirë të qëndrojë me këmbë në tokë, vetëm kështu ka peshë!

Fama si princeshë dhe aktore… Elia Zaharia thotë se kur i ka hyrë rrugës se artit nuk e kish ëndërruar famën (fama është finalja), por procesin. Asaj i pëlqen të gjendet në teatër pafundësisht, e kur merr në dorë një pjesë teatri dhe e lexon, nuk përfytyron për asnjë çast duartrokitjet e publikut, por përjeton ato ndjesi që pjesa zgjon brenda saj. “Ky profesion, që mendoj se është absolutisht më i bukuri në botë, të shërben si pasqyrë ku mund të shohësh shumë thellë brenda shpirtit dhe fantazisë. Është një mënyrë pasionante për të njohur veten, për të pasuruar edhe gjërat në dukje fare banale. Këto janë motivi im. Kur u njoha me Princ Lekën, isha thjesht një vajzë që po njihte një djalë dhe çdo ditë zbuloja se ai takim frymëzonte anën time më me dritë”. Statusin që ia jep ‘Familja Mbretërore’ ajo përpiqet ta vërë në shërbim të kauzave ku vetë ajo beson. Siç është dhe fondacioni “Mbretëresha Geraldinë”, për të cilin Elia thotë se investon gjithë energjinë e saj në shërbim të komuniteteve në nevojë. “Ju premtoj që merrem personalisht me çdo projekt, e shoh në çdo detaj dhe nuk e jetoj aspak në mënyrë pasive mundësinë që më është dhënë. Brenda meje të gjitha këto kanë krijuar mirënjohje të pafund, pasi dashuria dhe përkushtimi me të cilat u shkoj gjërave deri në fund, më është kthyer po me dashuri. Pra, karma. Kur rikonstruktuam shkollën në fshatin Gjalish të Matit, një nga mësuesit e asaj shkolle qau. Ai më tregoi se nuk e mendonte kurrë që do e mbanim fjalën. Thellë-thellë i jam mirënjohëse atij dhe të gjithë atyre nxënësve që kanë mësuar me borën që hynte nga dera dhe dritarja, pa libra, pa ngrohje, pa banka, me çati e mure të çara. Heronjtë e vërtetë janë ata. Këto realitete kthehen në motiv për të luftuar dhe të bëjnë njeri prej vërteti”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.79

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top