Marrëdhënie

October 27, 2017 | 9:32

Dëshmi/ Enkelejda Kamani: Dashuria gjendet në detaje

Ata janë dy zëra të veçantë për skenën operistike shqiptare, sakaq një çift kaq simpatik për lidhjen e tyre të dashurisë. Enkelejda Kamani dhe Klodian Kaçani prej shtatë vitesh janë në një histori të bukur, e cila nisi falë ndjesisë përçuese që arti i tyre përcjell. Një njohje e afërt, një zgjedhje, që për sopranon e re ishte fat ta përjetonte në jetë. Sot ata i gëzohen lidhjes përmes ngjarjeve të përbashkëta në muzikë, opera, një kimie që u ngjiz falë skenës dhe arritjeve në udhëtimin e tyre të përbashkët artistik. Ta ushqesh dashurinë, duke qenë pranë njëritjetrit, është e veçanta e marrëdhënies që ata i gëzohen çdo ditë.

untitled

Të duash tjetrin për të dashur veten. Në fakt për ju, dashuria është një gjë që lind vetë, vjen natyrshëm apo kërkon pak impenjim nga secili prej partnerëve?

Përkufizimi i dashurisë në çift që kam në jetë, është ajo që kam për Klodin sigurisht. Dashuria na ka zgjedhur në fakt pasi përputhshmëria mes nesh ishte një nga gjërat më të natyrshme të marrëdhënies tonë. E them këtë pasi mendoj se ka patur kimi që në kontaktet e para, e dashuria vjen si rrjedhojë e një sërë gjërave të bëra bashkë. Vëmendje më shumë se impenjim do ta quaja, kërkon patjetër një marrëdhënie, e besoj jo vetëm e jona. Sa jemi ëndërrimtarë, jemi edhe racionalë. (Ndoshta unë më pak më shumë se Klodi).

Si nisi lidhja juaj?

Kemi qenë akoma studentë asokohe. Tepër të rinj. Unë 18 e Klodi 21 vjeç. Na njohu muzika, kanto. Bëhej një konkurs kombëtar për zërat e rinj, e kemi rastisur të dy në publik. Filluam të dilnim, e sot kemi rreth 7 vite bashkë, por koha që ikën, është ajo gjë që vëmë më re pak të them të drejtën.

Ç’mendon për shprehjen: “Është e pamundur të mos dashurohesh kur takon personin e duhur”?

Nuk besoj se ka receta të shkruara, standarde në dashuri apo mes dy njerëzve. Të ishte kështu, të tërë do të dashuroheshin me njeriun e duhur. Besoj që kemi pasur dhe pak fat me njëri-tjetrin. Por në këtë kuptim, shprehja është shumë e saktë në gjykimin tim, pasi e pata të pamundur mos ta doja Klodin!

Marrëdhënia jote sentimentale është: gjithnjë pranë, plot dashuri dhe vëmendje, pasion e bashkëpunim apo liri personale dhe mbështetje?

Ne nuk bëjmë pjesë tek ato çifte që kërkojnë kohë individuale për të pasur një marrëdhënie më të shëndoshë në çift. Vëmendja e Klodit nuk më ka munguar asnjëherë, e nëse nuk do ishte kështu, nuk besoj se do funksiononte. Dashuria gjendet në detaje, kështu që është e pashmangshme. Pasioni na ndihmon të jetojmë për gjithçka në njëfarë mënyre. Nëse nuk jemi bashkë në gjithçka, atëherë nuk do të kishte kuptim të ishim ekskluziviteti i njëritjetrit. I vetmi moment që kërkon liri personale, është atëherë kur duhet të studiojë secili për produksionet e radhës. Vetëm atëherë unë bëhem pak më shumë seç duhet individualiste, por gjithnjë e gjejmë mirëkuptimin e njëri-tjetrit fatmirësisht.

Keqkuptimet janë ana tjetër e medaljes gjatë këtij rrugëtimi, sa ju kanë ndihmuar për ta kuptuar njëri-tjetrin?

Jeta na ka ofruar të luftojmë për të njëjtat qëllime dhe ëndrra. Çdo vështirësi apo sukses që jeta më ka sjellë, nuk e kujtoj të ketë ndodhur, e Klodi mos të ketë qenë aty, përkrah meje. Sigurisht, marrëdhëniet kanë ulje-ngritjet e tyre. As ne nuk i kemi shpëtuar kësaj, por kemi qenë gjithnjë dakord e për një qëllim, të qenit çift!

A jeni të kënaqur me sasinë e kohës që kaloni së bashku?

Praktikisht, akoma nuk jemi mërzitur apo lodhur me njëri-tjetrin, pasi ndajmë të njëjtën shtëpi, të njëjtin ambient pune, të njëjtat rrugë të jetës. Ndihem me fat dhe e lumtur për këtë fakt pasi jo çdo çift mundet të kalojë kohë mjaftueshëm me njëri-tjetrin.

Sa e vështirë është ta mbash lidhjen gjallë duke qenë në të njëjtin profesion?

Ky profesion të them të drejtën është tepër i vështirë. Unë jam në hapat e parë të karrierës sime pothuaj, por këtë mundet të ta vërtetojë çdo këngëtar në karrierë. Është profesion që kërkon mjaftueshëm qetësi dhe përkushtim. E të ndash këto me dikë që ka të njëjtin profil me tëndin, logjikisht besoj vetëm e lehtëson një bashkëjetesë. Për ne, deri më tani nuk ka qenë aspak problem, pasi edhe ngarkesat nuk kanë qenë të asaj forme, sa mund të na largonin pak nga njëri-tjetri. Akoma nuk na është dashur të distancohemi prej njëri-tjetrit për periudha të gjata.

Çfarë pëlqeni më shumë te njëri-tjetri?

Klodi tek unë ka vlerësuar gjithnjë karakterin dhe seriozitetin. Ndërsa unë tek Klodi do veçoja çiltërsinë e tij. Natyra diellore, pozitiviteti që e karakterizon, kanë qenë disa nga gjërat që më kanë bërë ta dua çdo ditë e më shumë, tipare të cilat më janë bërë shpatulla ku të mbështetesha gjithnjë e sigurt. Por mbi të gjitha, më pëlqen vokali që i ka dhuruar natyra.

Mendoni se shqiptarët janë të çlirët të dashurojnë pa kushte?

Mendoj se nuk ka dashuri pa kushte. Kushtet në njëlloj mënyre përfaqësojnë karakterin e secilit, limitet, dobësitë. Me to dashurohemi besoj. Gjithçka në njëfarë mënyre është përshtatje, pasi përputhshmëritë absolute nuk ekzistojnë. Por çdo lloj kushti tjetër, jo i ngjashëm me këto që përmenda më sipër, të cilat mund t’i kanosen dashurisë, atëherë secili bën llogaritë me atë që ndjen vetë. Në këtë kuptim, nuk besoj se ky mund të jetë një fenomen vetëm shqiptar.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com