Në fokus

January 4, 2018 | 9:00

Dëshmi/ Ergys Mërtiri: Post-festat në Shqipëri, më shumë dëm se dobi!

untitled

Sipas jush, festat në vendin tonë sa i promovojnë vlerat?

Festat janë një aktivitet që gjendet në të gjitha kulturat dhe shoqëritë njerëzore. Natyrisht, si të tilla ato nuk janë kot, por janë mekanizma të rëndësishëm me funksione sociale. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në rregullimin e shoqërisë, kultivojnë solidaritetin shoqëror, përforcimin e vlerave, objekteve identitare dhe ndjenjës së përkatësisë, si dhe ndikojnë në rritjen e shpresës dhe optimizmit, duke i motivuar njerëzit të çlirohen sadopak nga hallet, streset apo ankthet që krijohen si pasojë e vështirësive e problemeve që i rrethojnë në jetën e përditshme. Të gjitha këto duket se nuk gjejnë aktualizim në mënyrën sesi organizohen e kremtohen festat, kryesisht në shoqëritë moderne, e aq më tepër në shoqërinë shqiptare, të modernizuar në një mënyrë shumë disfunksionale e problematike. Jashtë çdo lloj përfytyrimi funksional, shqiptarët i shohin festat më shumë si një arsye për hare (në mos harbim) dhe më së shumti, një sebep për të ngrënë e pirë. Vlerat e vetme të përftuara prej tyre, për shumicën e njerëzve, përfundojnë në stomak dhe asnjë efekt social i vlefshëm nuk përftohet prej tyre. E vetmja vlerë, përtej atyre materiale, mund të thuhet se është ajo e njëfarë shprese të rreme që festa të tilla arrijnë të krijojnë, por sidoqoftë, kjo ndodh më shumë tek ata që festojnë në mënyrë më familjare dhe intime. Fakti që njerëzit mblidhen së bashku në familje, për të shtruar një darkë, të paktën arrin t’i bëjë bashkë disa njerëz, por përtej kësaj, në një nivel më të gjerë komunikimi, nuk duket se realizohet asgjë me vlerë. 

Si do ta cilësonit shoqërinë shqiptare në këtë rrugëtim 26-vjeçar ndryshe, sa i takon konceptit dhe argëtimit mes festash?

Një popull që ka kaluar një regjim aq të tmerrshëm e destruktiv sa ai i Enver Hoxhës, natyrisht që e ka të vështirë të ketë vëmendje ndaj vlerave. Për 50 vjet, shqiptarët kanë luftuar për mbijetesë në kushte të një mizerabiliteti ekonomik, i cili ka rrënjosur barbarinë te një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare. Nga ana tjetër, izolimi total nga vendet përreth ka prodhuar një shkretëtirë të madhe kulturore, duke i lënë njerëzit në errësirë, ndërsa falsiteti i propagandës morale e ideologjike të regjimit shuajti çdo respekt për ndonjë veneracion etik e human. Një shoqëri e dehumanizuar për dekada me radhë, nën represionin e një eksperimenti sociologjik të tillë si ai i njeriut të ri, ka shteruar energjitë shpirtërore e kulturore të shoqërisë, duke lënë pas njerëz të etur vetëm për konsum, si nevojë për të kompensuar varfërinë dhe pangopësinë materiale të trashëguar. Kësisoj, thuajse të gjitha festat në Shqipëri nuk arrijnë të përcjellin kurrfarë motivimi apo përforcimi vlerash, por kremtohen egërsisht në funksion të pangopësisë gastronomike dhe etjes për argëtim. Shqiptarët duket se nuk kanë kurrfarë interesi për të promovuar ndonjë vlerë dhe këtë e konstaton në përditshmërinë e asaj që ngjall interes publik gjatë këtyre viteve. Shqiptarët nuk shfaqin asnjë interes për rivlerësimin e historisë, për dënimin e krimeve të së shkuarës, për drejtësinë sociale, për mbrojtjen e jetës, dinjitetit apo pronës së individit, për ruajtjen e vlerave shoqërore, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mjedisit apo hapësirave publike, etj. Në mënyrë drastike, shumicës së shqiptarëve u intereson vetëm xhepi dhe egoja e tyre personale. Edhe festat, në përgjithësi demonstrojnë vetëm qarkullimin e të mirave materiale nga xhepi në stomak.

Në një nga analizat tuaja, thoni se e keni të vështirë të hetoni shenja lumturie në fytyrat e njerëzve që gëzojnë në këtë mënyrë, pa kuptim, pa motiv, pa emocion.

Natyrisht, ky shpërthim nevoje për konsum që konstatohet lehtësisht, sidomos gjatë festave të fundvitit, apo edhe kjo dëshirë e etshme për shpërthime lodrash zjarri, e mbetur pasion ndoshta që nga ’97-a, nuk na rrëfejnë portretin e njeriut të lumtur. Njeriu i ri, i konvertuar në qenie konsumatore, është qenia më e palumtur në botë. Harbimi është vetëm një rendje e dëshpëruar për të vrarë sadopak palumturinë, duke e kërkuar gëzimin, aty ku nuk është: Në turmë e hare, pasi është vrarë më parë qenia sociale dhe përmasa shpirtërore e meditative. Festat bëhen të tilla për shumë arsye, por, në gjykimin tim, një prej atyre më thelbësore është niveli i lartë i robërimit që individi i sotëm ka ndaj mediave e shoqërisë së konsumit, sidomos në shoqëri të varfra ekonomikisht e kulturalisht si kjo e jona. Shoqëri të tilla kanë një nivel të lartë ndikimi prej mjeteve të komunikimit, e sidomos televizionit, në krijimin e modeleve dhe vlerave. E duke qenë kështu, natyrisht që këto shoqëri janë të kushtëzuara fort nga konsumizmi dhe ajo që mund ta quajmë diktaturë e tregut.

Çfarë u mungon shqiptarëve realisht?

Unë mendoj se fillimisht shqiptarëve u mungon një trashëgimi funksionale, mbi bazë të së cilës të përcaktojnë dhe koordinatat kryesore të orientimit të tyre. Duke dalë nga një sistem që synoi një transformim rrënjësor inxhinierik të trashëgimisë kulturore e vlerave shoqërore, shoqëria shqiptare ndërpreu rrjedhën e natyrshme të saj drejt një modernizimi më të butë dhe të qëndrueshëm. Kjo i bën shqiptarët një popull pa identitet, të gatshëm të implementojnë çdo marrëzi që i ofrohet nga shoqëria e spektaklit të konsumit e medias, duke u bërë ndër kombet më të infektuar nga globalizimi kulturor. Për këtë arsye, mendoj se është e nevojshme që elitat intelektuale t’i vendosin në fokus këto fenomene, të prodhojnë mendim në lidhje me transformimet kulturore që po zhvillohen në shoqërinë shqiptare, dhe efektet sociale që ato sjellin. Por fatkeqësisht, ashtu si edhe shoqëria, një pjesë e mirë e këtyre elitave vuajnë nga mosinteresi për trajtimin e problemeve, ndërsa politika mbetet shqetësimi primar i tyre.

Ju vetë si preferoni t’i kaloni festat e ndryshme?

Personalisht jam njeri që nuk para më pëlqejnë festat, ndonëse jam gjithmonë i gatshëm të marr pjesë në gëzimet e të afërmve. Sido që të jetë, di që vendimet tona në familje merren në funksion të fëmijëve. Ata dinë të festojnë edhe më mirë, ashtu siç dinë edhe më mirë se si të gëzojnë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.116

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top