Editorial

January 4, 2018 | 8:52

Me këmbë të mbarë!

1

“Me këmbë të mbarë!”. Është ky një urim i përzemërt që sjell më shumë frymë pozitive dhe na bën të kapemi fort pas të mirës. Një slogan pas të cilit shpresojmë që e nesërmja do të jetë më mirë se e sotmja, se një vit i sapoardhur do të jetë më i shëndetshëm e më i frytshëm se ai që lamë pas.

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Shumë besojnë se kur viti i ri nis me ndryshime pozitive, ashtu do të jetë deri në fund. Besëtytnitë na çojnë dhe në kahun tjetër, në raste të kundërngjashme, ku priremi të besojmë se fillimi jo i mirë i janarit do të zgjasë deri në 31 dhjetor. Por çfarë ka vend për të besuar në fakt?

Të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ajo që duhet të vijë mbarë e të besohet si e tillë nga vetë ne, duhet të shoqërohet me vullnetin tonë për të kuptuar së pari rëndësinë e të mirave të jetës. Mandej, cilësitë e mira, duhet të na shoqërojnë në çdo hap, për të parë në vazhdimësi dritën e shpresës dhe të ardhmes më të mirë, që dëshirojmë aq shumë.

Në vlugun e ngjarjeve, fatkeqësive, ndryshimeve globale dhe një jete shoqërore të luhatshme në ekzistencën e saj, ajo që duhet të na frymojë së brendshmi për t’i ndërruar udhën pakënaqësive, është kultivimi i vlerave. Për mua, durimi është qasja më e volitshme, e shëndetshme për vetë individin, por po aq edhe për rrethin e tij shoqëror. Ky është një virtyt, i cili nuk të lë kurrë në baltë, nuk të lë kurrë vetëm, e mbi të gjitha, të bën t’i kanalizosh mendimet, vendimet, pritshmëritë e tua me metrin e inteligjencës. Të qenit i duruar nuk është aspak altruizëm. Edhe pse shumëkush mund ta keqpërdorë apo ta trajtojë si dobësi. Përkundrazi, është një vlerë që i jep personalitetit tënd më shumë madhështi, pranon atë ç’ka mund të jetë e tepërt, e pakompromistë, me doza qetësie dhe pritjeje për t’i dhënë zgjidhjen e duhur. Ndoshta për këtë kemi nevojë më shumë. Jo më kot të parët e përdornin aty ku duhej shprehjen fort të njohur tashmë: “I duruari, i fituari”. Është pikërisht kjo shprehje, e cila bart të njëjtin mesazh në të gjitha kohërat. E po t’i bashkëngjisim këtij durimi dhe qetësinë, një tjetër virtyt paqësor, sinergjia e tyre na bën t’i kapërcejmë lehtësisht çastet e vështira.

E pra, ditët marramendëse, të vrullshme dhe të ngjeshura me aktivitete gjithfarëllojesh sapo kanë nisur në këto ditë të para të vitit. Më shumë durim për cilindo prej jush. E pas gjithë kësaj, ashtu siç ndodh me fundin e një viti, po shtoj dhe urimin për një vit të ri me angazhime e arritje për të gjithë, më pak stres, hatërmbetje e sa më shëndetplotë, sigurisht.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com