“Nëse ka diçka të shenjtë, trupi i njeriut është i tillë” sipas Walt Whitman. Ngjashmërisht me perceptimin e tij, kjo marrëdhënie sa e vërtetë dhe plot ndjenjë, shndërrohet në të tillë edhe për aktorin Florian Agalliu. Ai është i vërtetë, ashtu siç mund të jetë para pasqyrës, ku sensualiteti plotëson personalitetin e një njeriu, e padyshim theksohet edhe më tepër kur trupi ndihet më i lirë nga veshjet dimërore dhe ngrohja e motit. Vera është stina që e bën të joshet e të joshë me ‘armët’ e tij më të mira fizike. Fizike sepse, sipas aktorit, tërheqja nis nga tiparet më të dukshme të cilat ndjellin, nga ato që të bëjnë të harrosh gjëra shumë më të rëndësishme. “Në verë për shkak të diellit të fortë as lëkurën time nuk e duroj dot. Sapo hyn korriku gjëja e parë që bëj është të pres flokët sa më shkurt dhe të rri lakuriq kudo që mundem”. E kjo, natyrisht, në periudhën e plazhit nxit edhe më shumë sensualitetin, sepse, siç vlerëson Floriani, “vera është stina më e preferuar për flirtet, pasi tërheqja seksuale është më e madhe, sidomos kur e sheh tjetrin si objekt seksual gjysmë të zhveshur, dhe e gjithë kjo pamje të lë shumë pak kohë të mendosh për pritshmëritë që ke për femrën ideale që do të doje të kishe në krah. Harron shpirtin e pastër, çiltërsinë e zgjuarsinë dhe thua: – Varja, shiko bukurinë, pa zgjuarsia shkon e vjen”. Ai nuk ka nevojë për nxitës siç mund të jenë kremrat apo parfumet, pasi mbi të gjitha, Flori pëlqen te një femër origjinalitetin e saj në kufijtë e natyrales, të vërtetës. “Personalisht jam anti vajra, parfum dhe anti shumë të tjera. Më pëlqen shumë aroma origjinale e femrës. Me një parfum të mirë kushdo mund të jetë tërheqëse, sepse ai është misioni i vetë parfumit. Misioni i vërtetë i mashkullit është të gjejë aromën perfekte, dhe për çdo mashkull ka një aromë, se do ishte absurde po të ishte njëlloj për të gjithë. Këto janë ato gjëra që bëjnë diferencën kur përpiqemi të gjejmë dikë dhe të dashurohemi. Unë besoj se e kam gjetur!”. Stina e nxehtë, përveç bezdisë që japin temperaturat e larta, ka dhe anën pozitive, që është ushqimi i shëndetshëm. Ka më shumë mundësi zgjedhjesh! “Falë sportit dhe zgjedhjes së ushqimit kam arritur ta transformoj trupin dhe energjitë e mia. Sapo afrohet stina e verës, vëmë re një dyndje nëpër palestra, a thua se letargjia e dimrit zhduket si me magji dhe do bëjmë mrekullinë me një muaj ushtrime. Trupi ka nevojë për kujdes gjatë gjithë vitit. Duhet të merremi vazhdimisht me sport dhe gjithashtu të kujdesemi për mënyrën e të ushqyerit. Po ju jap një shembull. Imagjinoni sikur babai t’ju dhuronte një makinë në moshën 16-vjeçare dhe t’ju thotë se duhet ta mbani mirë se keni për ta pasur për gjithë jetën. Ç’do bënim ne? Do ta ruanim nga gërvishtjet, do ta mbushnim me karburant të mirë e vaj cilësor, do e kontrollonim te mekaniku disa herë në vit… Kështu, pra, duhet të bëjmë edhe me trupin tonë, pasi do ta kemi gjithë jetën. Në stinën që jemi, shtojini edhe diellin, pak plazh e ndonjë koktej dhe suksesi është i garantuar”.
Botuar në revistën Psikologji, nr. 74
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.