Rastet e dhunës në institucionet arsimore dhe edukative janë kthyer në një shqetësim serioz. Sado që roli i psikologut ka për qëllim zgjidhjen e problematikave, të cilat në kohët moderne janë të panumërta, ende ai mbetet në pozita të dobëta. Sidomos në shkolla, ku ka një mungesë të theksuar besimi për ruajtjen e të fshehtave të nxënësve. Kjo pasiguri, por dhe vetë roli i mësuesve dhe prindërve kërkon një reformim më shumë se institucional për parandalimin e menjëhershëm të dhunës mes nxënësve, nëpërmjet masave të ndryshme. Jeta Shkurti, psikologe tashmë me një përvojë 15-vjeccare, e nxit debatin duke theksuar se rreziku për jetën e fëmijëve në gjithë gjerësinë e saj duhet të shqetësojë më shumë, e më pas të vendosim objektivat drejt një plani veprimi ku secili të luajë rolin që i takon.
Fenomeni i bulizmit, një problematikë që duhet të na shqetësojë…
Bulizmi në shkollë i referohet të gjitha formave të shfaqjes së tij në mjediset e shkollës. Mund të jetë bulizëm mes moshatarëve, mes nxënësve të rritur, mes më të vegjëlve, mund të jetë mes mësuesit dhe nxënësve ose anasjelltas. Bulizmi është një nëntip i sjelljes agresive tw qëllimshme, e dëmshme, dhunuese e të drejtave të të tjerëve, ku ekziston një çrregullim forcash mes bulit dhe viktimës dhe ku shënjestra (viktima) nuk e mbron dot veten, pasi kjo sjellje përsëritet herë pas here. Ky fenomen ndodh kudo në botë, nuk ka dallime gjinore e moshore dhe format e tij janë të larmishme. Bulizmi shfaqet kudo ku gjen terren të përshtatshëm. Me këtë nënkuptoj pamjaftueshmërinë e edukimit dhe të modeleve pozitive në familje, shoqëri e media. Bullët dhe viktimat aktivizohen që në fëmijëri të hershme. Dikush bëhet i tillë për shkak të abuzimit me të nga familjarët apo moshatarët. Dikush për shkak se ka mësuar se sjellja tiranizuese e çon në rezultat afatshkurtër të kënaqshëm. Ka pasur raste që bullët, për mungesë të diagnostikimit të çrregullimit të sjelljes, kanë degraduar si rrjedhojë në agresivitet, duke zgjedhur një target të caktuar. Në gjykimin dhe përvojën time, bulizmi në shkollë ka nevojë të trajtohet me prioritet, pasi bazuar në statistika, bullët e shkollave ka të ngjarë të jenë ata që më vonë mbushin rajonet e policisë dhe dhomat e burgjeve.
Pse ndodh më shumë tek adoleshentët?
Në fakt bulizmi shfaqet herët në moshën parashkollore e vazhdon më tej. Qëkur fëmijën e ekspozojmë në ambiente me fëmijët e tjerë, ai përpiqet të vendosë dominimin e tij. Në rast se gjatë ndërveprimit një fëmijë i targetuar nënshtrohet përmes një goditjeje apo të bërtiture nga fëmija dominues, dhe në këtë situatë nuk shfaqet asnjë i rritur të ekuilibrojë forcat, atëherë kemi potencialisht një bull në formim e sipër. Ose nëse një grup fëmijësh që janë duke luajtur dhe refuzojnë vazhdimisht të pranojnë në grup një fëmijë tjetër, duke i thënë që “ti nuk di të luash dhe nuk je i aftë për asgjë”. Edhe këtu kemi bullët potencialë. Ose nëse e pranojnë në lojë, i caktojnë fëmijës së targetuar rolin e një kafshe ose personazhi “mumje”. Fëmija i targetuar nga ky grup fëmijësh “të fortë”, tërhiqet dhe shfaq shenja izolimi dhe trishtimi të thellë. E më vonë, në adoleshencë, bulizmi rëndohet e sofistikohet. Me shfaqjen e muskujve dhe rritjen e nivelit hormonal, adoleshenti bull është një rrezik potencial për ndërtimin e shkatërrimin e marrëdhënieve sociale. Grushtet e tij janë më të fuqishëm për të tiranizuar një moshatar. Bulizmi indirekt përmes përhapjeve të thashethemeve prej një vajze bulle, është shkatërruese për jetën e shoqes së saj në shkollë. Bulizmi kibernetik (dërgimi i mesazheve, përhapja në rrjete sociale e fotove apo videove) ka shkatërruar jetën e shëndetin e shumë adoleshentëve, ku për pasojë në vendin tonë ashtu si edhe në botë ka pasur vetëvrasje për këtë shkak. Bulizmi verbal (thërritja me emra, talljet, nofka, fyerje) ka rezultuar fatal për një adoleshent nga Berati vitin e kaluar. Bulizmi seksual (shaka të pakëndshme, komente, për pjesët seksuale të trupit, tallje për orientimin seksual, etj), ka çuar në largime dhe braktisje të shumë nxënësve nga shkolla.
Sa me faj bëhen aktorët përgjegjës, përfshirë nxënës, mësues, prindër? Si mund të përmirësohet ky raport?
Më tepër se t’ia vishja fajin të gjithë këtyre aktorëve, do të preferoja ta klasifikoja si neglizhencë kronike gjatë shkallëve të edukimit dhe shpërndarje përgjegjësie. Zakonisht ndihemi mirë në ndërgjegje kur përballemi me një problem të vështirë për të cilin nuk jemi vetëm ne përgjegjës. Në rastin konkret të bulizmit, shkolla ia hedh topin familjes, familja shkollës e të dyja së bashku shoqërisë. Është e vërtetë që, ne si shoqëri kemi përqafuar një mendësi të caktuar që një fëmijë me tipare bulli ta quajmë harrakat, të cilin ”koha do e pjekë”, ose “kur të martohet do ndryshojë”, ose “ushtria do e fusë në brazdë”. Dhe të gjitha këto argumente bazohen në një të ardhme. Ndërsa në të tashmen, ne vetëm identifikojmë faktin dhe nuk japim zgjidhje. Do të ishte e këshillueshme që të gjithë aktorët të arrinin së pari në mendimin e unifikuar që bulizmi është rrezik për jetën e fëmijëve në gjithë gjerësinë e saj. Më pas të vendosnin objektivat e një plani veprimi, ku secili të luante rolin që i takon.
Sa ndikim ka roli i psikologut, apo edhe ai shpërfillet?
Që prej vitit 2004 me përfshirjen e psikologut shkollor në organikën e institucioneve të arsimit, ka pasur disa rekorde pozitive të përmirësimit e trajtimit të problematikave psiko-pedagogjike. Psikologu, përmes takimeve informuese me mësues e prindër, seancave të këshillimit individual e në grup, ka shërbyer më tepër si lehtësues dhe parandalues i fenomeneve të ndryshme, përfshirë bulizmin. Por ende mbetet për t’u theksuar që, psikologu shkollor nuk ka arritur të fitojë ende statusin e duhur në shkollë. Ende shumë nga psikologët e shkollave nuk kanë krijuar figurën e tyre të profesionistit në shërbim të nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Ende sot nxënësit nuk kanë njohuri rreth veprimtarisë së psikologut të shkollës së tyre, pasi ky psikolog nuk paraqitet çdo ditë në shkollë, ose sepse ndodhet në një shkollë tjetër ku e kanë caktuar ose është duke bërë një punë të dytë në orar të punës, p.sh. jep mësim në fakultet ose shkon një xhiro nga gjykata. Disa kolege të mia, shumë të afta, vuajnë shkollave të largëta e problematike prej vitesh duke u përpjekur të ndërtojnë imazhin etik e profesional të tyre, por për fat të keq puna e tyre mbetet si pëlhura e Penelopës. Mendoj se ekziston në masë mosbesimi ndaj psikologut si profesionist, për shkak të atyre psikologëve që abuzojnë me detyrën e tyre dhe shkelin hapur etikën.
Dikush ka thënë se: “Për ta luftuar fenomenin në shkollë, duhet të mësuar vetërespekti”. Në fakt, nga duhet t’ia nisim?
Pjesa që më dhemb më shumë kur flas për bulizmin janë viktimat e fenomenit. Ata janë kategoria më vulnerabël, janë të frikësuar, të druajtur, të vetmuar dhe mendojnë se janë të humbur në këtë betejë forcash për shkak të vetëvlerësimit të ulët. Nuk ka një formulë se si të mos bëhesh një viktimë e një bulli. Pasi bullit mund t’i mjaftojë vetëm një detaj për të të vënë në shënjestër dhe askush nuk mund të jetë i vetëmonitoruar në atë masë për të parashikuar detajet që mund të tërheqin një bull. Mjafton një emër i vjetër, një ngjyrë e caktuar e lëkurës, një foto e hedhur në FB, një koment i pafajshëm, një mënyrë e të ecurit, një veshje e caktuar, një çantë e mbajtur ndryshe, një përkatësi krahinore…etj, që të mjaftojë për t’u targetuar. Dhe vjen një ditë, kur viktima ka duruar e duruar për shumë kohë dhe ka akumuluar mllef, inat, zemërim dhe papritmas vendos të hakmerret. Por si hakmerret? Duke u kthyer në një sulmues të egër ndaj jetës së tij ose jetës së bullit. Kjo është pika së cilës i trembem të ndodhë dhe do doja të mos ndodhte kurrë. Prandaj, nëse duam të kemi sukses për të arritur diçka, mendoj se duhet të kemi një ekip të mirë, të cilët të kenë të njëjtat aspirata. Edhe pse janë adoleshentë, ata janë edhe fëmijë. Dhe fëmijët kanë ende nevojë për guidë zhvillimi. Përgjegjësinë e guidës duhet ta ushtrojnë të rriturit. Bërja bashkë për një qëllim e prindërve, mësuesve, psikologëve, përfaqësuesve të komunitetit, të plotfuqishmit të zonës, inspektorit të policisë, administratorit të njësisë është fillimi i krijimit të ekipit. Ky ekip duhet të funksionojë realisht, jo vetëm në letra. Ata duhet të jenë shqisat dhe truri për gjithçka që ndodh mes fëmijëve të zonës që mbulojnë. Duhet të jenë ata hartuesit e planeve të veprimit anti-buling, duhet të jenë ata organizatorët e aktiviteteve ndërgjegjësuese e trajnuese ku të përfshijnë bullët e identifikuar, viktimat dhe soditësit e fenomenit. Duhet të jenë ata krijuesit e rregullave anti-bull dhe t’i bëjnë thirrje të gjithë adoleshentëve të zonës së tyre t’i bashkohen miratimit të kësaj rregulloreje. Duhet të jenë ata të gjithë së bashku hartuesit e një plani mbikëqyrjeje për adoleshentët e identifikuar si bull dhe të jenë ata të parët modelet e sjelljeve prosociale dhe anti-agresive. Parandalimi i fenomenit është më efektiv dhe konstruktiv sesa trajtimi i pasojave.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.118
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.