Në fokus

December 21, 2017 | 9:23

Dëshmi/ Laureta Borri: T’i veshësh pasionit, ëndrrën…

Nga Orjona TRESA / Foto: Ilir AGASTRA

Një mision, që në krye të herës ishte gati i pamundur për të. Por, në kthesat kritike ku jeta të përball, rigjetja e vetvetes i erdhi si “një shpëtim” falë avantazhit më të mirë që e përmbushte qëllimin final. Bota floreale u bë burimi i lumturisë dhe plotësimit vetjak.

untitled

Laureta Borri, krahas gjuhë-letërsisë, që shënjoi udhën e saj profesionale, u gjend krejt papritur në një rrugëtim krejt ndryshe çka diploma i ofronte. Me mprehtësinë e biznesit, ajo i dha jetë një investimi, i cili vitet e para kërkoi shumë vullnet, punë dhe këmbëngulje, për t’ia dalë në një treg shumë pak të njohur të 8 viteve më parë, atë të një dyqani lulesh. Në konceptin e asaj që kish ndërtuar në kokë, që të ecte përpara, duhet të fuste shpirtin e saj.

“Unë kam koncepte të tjera, qoftë nga ndërtimi i një buqete, kurore të thjeshtë apo të ndërlikuar, të ndara kryesisht më vete. Aty do të fusësh shpirtin e klientit dhe atë që ti mendon se do ta lidhë me personin kujt ia dhuron. Duke bashkëpunuar, gjërat dalin shumë të mira”.

Lumturia qëndron në vlerësimin e së bukurës, e në rastin e të dhuruarit lule, për Lauretën merr një trajtë edhe më vlerësuese. Kështu zbukuron jetën tënde, por edhe të atyre që i do fort.

“Brezi i ri ka ndryshuar shumë. Ka djem apo vajza që bëjnë buqeta për ta nisur ditën bukur. Por edhe një buqetë apo vetëm një lule para tryezës së punës për të nisur një javë të mbarë, pse jo dhe ditën bukur, funksionon”.

Përzgjedhja është kërkesë nga klienti, ndërsa kulturalisht Lauretës i është dashur të gërshetojë tendencën me informacionin e plotë që bota e luleve ofron.

“Unë kam një shprehje të bukur. Tre gjëra të bukura kam bërë në jetë, dy fëmijët e mi dhe dyqanin, sepse është një aktivitet ku çdo gjë është bërë nga duart e mia. Më dhimbset siç më dhimbsen fëmijët e mi. Më ka sjellë shumë lumturi. Sot e them me plot gojën. Po, është profesioni im! Jam lindur për këtë punë, për të bërë një gjë që unë ndihem mirë në radhë të parë, lumturoj shumë njerëz rreth e rrotull. Për 8 mars më vjen një mesazh shumë i bukur nga një kliente. ‘Sa fytyra të lumtura ke bërë sot!’ Pavarësisht lodhjes, stresit, kënaqësia është e pamat”.

Atë e kanë rritur sfidat në të qenit jo thjesht sipërmarrëse, por edhe si nënë apo bashkëshorte.

“Nuk do të kisha njohur kaq shumë njerëz sesa në ndonjë profesion tjetër. Mund të jetë 50 klientë në ditë ku secili ka problematikën e vet, të mirën apo të bukurën e vet. Rastet më të vështira janë ato për kurorat e atyre që ndahen nga kjo jetë”.

Ajo sot e ka jetën me ngjyra, kjo dhe sepse lulet kanë efektin e tyre terapeutik, qoftë nga era apo nga ngjyra.

“Sot kërkoj gjëra ndryshe, të veçanta. Ndër bukuritë e punës kujtoj periudhën kur 4 vite rresht, një zotëri vinte çdo fundjavë e merrte një buqetë standard me 5 zambakë. Ishte serioz e nuk guxoja ta pyesja. Guxoj për festat e fundvitit t’i bëj një dhuratë, ashtu siç bëj me klientët e rregullt. Mendova t’i dhuroj lulen e Krishtlindjes në shenjë mirënjohjeje. Përse? Më pyeti. Për kënaqësi, ia kthej. Të premten e ardhshme ai vjen sërish në dyqan e vendosa ta pyes: Ndjesë, por kujt ia çoni këtë buqetë? Dhe ai më rrëfeu: nënës sime. Ajo kishte ndërruar jetë 4 vjet më parë. Mbeta pa fjalë. Dhe këtë e bëri për 6 vite me radhë”. 

MJAFTON NJË LULE PËR TA NISUR DITËN MBARË

“Jeta është bërë shumë e zymtë, që sa ngrihemi herët, të bllokuar në parkim, trafiku i frikshëm, fëmija nuk e di a ka mbërritur mirë në shkollë dhe shkon në një ambient zyre që nuk e di sesi do të jetë, i bardhë, gri apo i zymtë. Ulesh para kompjuterit dhe ngjyra ndryshon rrjedhën, ndjesitë. Një tulipan, qoftë gonxhe, i cili çel ashtu siç jeta vazhdon. Kam dy farmaciste që kalojnë nga dyqani e u bëjnë foto luleve dhe ikin. Kjo për ta nisur ditën bukur”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.119

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top