Marrëdhënie

July 22, 2016 | 8:37

Dëshmi/ Nora Malaj: Vjehrrën e kam si nënë

Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit dhe Shkencës, me një të kaluar të pasur në fushën akademike si pedagoge, sociologe dhe juriste, rrëfehet së fundi për një marrëdhënie shumë të veçantë në një këndvështrim tejet njerëzor dhe personal për nënën e bashkëshortit të saj! Pikërisht kështu preferon ajo ta quajë, pa përdorur termin klishe’ të “vjehrrës”, të cilën e ka konsideruar si nënën e saj pas plot 28 viteve bashkëjetesë, vite që numërohen më shumë në prani të saj sesa në familjen e origjinës.

Sa vijnë në jetë, meshkujt njihen me nënën si të vetmen dhe më të shtrenjtën figurë femërore. Më pas ata takohen me një tjetër figurë femërore që është e dashura e jetës. Sa ngjasoni me vjehrrën tuaj?

Është një nga pyetjet më të bukura dhe më interesante, që realisht në fushën e psikologjisë luan një rol të rëndësishëm për sa i përket modeleve të ngjashme për femrat dhe meshkujt në zhvillimin e cikleve të jetës së tyre. Personalisht, qoftë së jashtmi, por edhe si temperament, nuk kam shumë ngjashmëri me nënën e tim shoqi. Unë jam më e hapur dhe sociale karshi njerëzve. Sa i përket karakterit, kemi gjëra shumë të përbashkëta. Jemi karaktere të forta që të dyja, por mënyra se si e manifestojmë sjelljen tonë është e ndryshme. Në fakt, jemi shumë të drejta, nuk i biem kujt në qafë me të padrejtë. Të dyja kemi një cilësi të përbashkët, nuk na pëlqen të merremi me thashetheme dhe llafe…. Asnjëherë nuk kemi parë jashtë shtëpisë sonë dhe realisht që të dyja jemi munduar dhe mundohemi që çdo kontribut ta japim në familje. Vjehrra ime, fatmirësisht, ka disa cilësi shumë të mira, që unë tanimë, pas 28 vitesh që rrimë bashkë, vite që janë më shumë sesa kam ndenjur me prindërit e mi, ia kam marr hua dhe i kam bërë të miat. Këto cilësi pozitive më kanë ndihmuar në situata të ndryshme për të përballuar vështirësitë dhe sfidat e jetës. Ime vjehrrë është këshilluese shumë e mirë dhe vëzhguese e zonja. Ka elegancë dhe sqimë, dhe do ta quaja një grua që ka një vetëvlerësim për t’u marrë në konsideratë, tipare këto që jo gjithnjë i gjen te gratë e këtij brezi. Edhe në këtë moshë, afro 83-vjeçare, ajo ende lexon në gjuhë të huaja dhe është një mbështetëse shumë e mirë në të gjitha nismat e mia. Me një fjale, e kam aleate besnike!

Ju ka ndodhur që bashkëshorti t’ju kërkojë t’i ngjani nënës së tij?

Nuk ma ka kërkuar drejtpërsëdrejti, por unë e kam kuptuar… Fillimisht, kur unë u martova, shkova në shtëpinë e tim shoqi. Prindërit e tij kanë studiuar jashtë ashtu si dhe babai im, ndërsa ime më i ka kryer studimet e larta në Shqipëri dhe pak a shumë niveli social ishte deri diku i përafërt, ndonëse prindërit e bashkëshortit janë shumë më të mëdhenj se prindërit e mi. Në shtëpinë ku u linda, ka pasur shumë gëzim dhe shumë miq si rezultat i transferimit të tim eti nga Tirana në Durrës për arsye të profesionit të tij. E gjithë familja u shpërngul në Durrës. Prindërit e mi, duke qenë se ishin të rinj në moshë në atë periudhë, e ndërtuan raportin njerëzor mbi bazën e shoqërisë dhe miqësive të punës, pasi Durrësi na mbajti larg për shumë kohë nga të afërmit tanë. Kur shkova në shtëpinë e bashkëshortit gjeta një atmosferë tjetër, një familje me pak hyrje-dalje dhe me një jetë më të mbyllur në raportet sociale. Kjo më bëri që unë të gjeja mekanizmin e të përshtatesha sa më mirë, por edhe të isha në gjendje që të përballoja situata të ndryshme, pa ndryshuar thelbin, por duke përpunuar dhe përshtatur sjelljen time.

A mund të na e përshkruani marrëdhënien që keni ndërtuar me vjehrrën tuaj?

Momenti i parë i njohjes me të ka qenë shumë mbresëlënës dhe deri diku i veçantë. Im shoq është djalë i vetëm, apo djalë dëshiri, siç thonë këtej nga Shkodra, dhe natyrisht që unë do të isha nusja, por që duhet të kisha edhe disa cilësi që prindërit e bashkëshortit të mos zhgënjeheshin. Në fakt, im shoq ka qenë gjithnjë autoritar. Raportet i ka shumë të qarta dhe vendimmarrjet i bën me shumë pjekuri. Unë atëherë isha vetëm 20 vjeçe dhe nuk kuptoja asgjë se ç’do të ndodhte. Dija vetëm që e doja. Më kishin pëlqyer shumë prindërit e tij kur i takova për herë të parë te daja e tim shoqi dhe kaq. Ah… kishte dhe diçka tjetër shumë esenciale! Unë nga ime më isha rritur me dashurinë për gjyshet e mia dhe sidomos për gjyshen nga babai, pasi ime më e donte pa fund, sa unë nuk arrija ta ndaja kush për të ishte nënë e kush vjehërr. Ndërkohë që ne, unë dhe ime motër, ishim rritur me çelës në qafë dhe më kujtohet që ditët më të bukura për ne ishin kur vinin gjyshërit në shtëpinë tonë dhe kur ne ktheheshim nga shkolla e gjenim çdo gjë të ngrohtë. Shtëpia merrte një ngrohtësi e dritë aq të madhe, sa ëndërronim që ata të vinin sa më shpesh. Ndoshta këto ishin arsyet që unë në pavetëdijen time, në mënyrë të pavullnetshme, të isha e përgatitur që nesër fëmijët e mi të mos rriteshin si unë. Pra, isha përgatitur për të bashkëjetuar me prindërit e bashkëshortit. Më kujtohet kur atë ditë, mami (vjehrra, nuk më pëlqen hiç ky emër) më ftoi të pinim një çaj, vetëm ne të dyja te Pallati i Kulturës i asaj kohe. E prita me shumë emocion. Kur u ulëm për të pirë çajin, im vjehërr më thotë: “Si do që të jemi bashkë, si nuse e vjehërr, apo si nënë e bijë?”. Realisht ngela pak e habitur dhe më pas i thashë si me humor: “Po të vesh unë spaletat e nuses e ti të vjehrrës, kam frikë se do fitoj unë, ndaj më mirë ti të nënës e unë të bijës dhe jemi të dyja të fituara…” Ajo më pa, qeshi dhe më tha: “Tani po që ti je vajza që unë prisja”. Dhe kështu kemi kaluar 28 vjet së bashku… Edhe kur kemi bërë fjalë, kemi vepruar si nënë e bijë… si në çdo familje, por pa na dëgjuar askush dhe pa mbajtur asnjëherë mëri… Sinqerisht, tani nuk mbaj mend edhe përse mund të kemi bërë fjalë…

Doni të thoni se për vjehrrën tuaj keni qenë pikërisht nusja ideale për djalin e saj?

Nëna e bashkëshortit tim është e kursyer në lëvdata, por ajo ka krijuar një lidhje shpirtërore me mua, sidomos tani që edhe mosha bën të vetën… Në fakt, ajo nuk më sheh si nuse, por si vajzë, dhe për këtë gjë jam e lumtur dhe besoj jam me fat që pata mundësi ta dëgjoj nga goja e saj që në takimin tonë të parë… Ajo është ndier dhe ndihet gjithmonë mirë me mua. Tani që jam në fushatë në Shkodër dhe ndodhem larg, kur shkoj në shtëpi, të dy, edhe vjehrra edhe vjehërri, kanë një gëzim të paparë… Edhe pse të moshuar, kam luksin të shijoj ende një kafe nga duart e vjehrrës… Ka shumë forma nëpërmjet të cilave shprehet dashuria… qoftë edhe nga gjestet e vogla. Bërja e kafesë është një formë e veçantë…

A mendoni se marrëdhënia që ndërton djali me nënën që në vogëli mund të ndikojë në të ardhmen për marrëdhënien që do të ndërtojë me partneren e jetës?

Natyrisht që po! Nëna luan një rol kyç në jetën e një mashkulli, si në formimin e tij, por edhe në karakter. Në mënyrën se si sillet me gruan dhe me të afërmit më pas, si di të sillet në shtëpi dhe sa i aftë është për të marrë vendime. “Nëse do të zgjedhësh një mashkull për të ndërtuar jetën, shihi nënën dhe nëse do të zgjedhësh një vajzë për të qenë i suksesshëm, shihi babanë… dhe të mos harrojmë edhe mjedisin ku ai ose ajo jeton… Ne jemi produkt i prindërve tanë, por edhe i kohës që jetojmë!”

Botuar në revistën Psikologjia, nr.73

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top