Marrëdhënie

February 9, 2016 | 8:29

Dëshmi/ Ramona Tullumani: Çdo ditë një Shën Valentin “të vogël”

1Nga: Orjona Tresa

Dashuria… e kush më bukur se artistët ka bërë që ajo të flasë, të shprehë dhe të krijojë emocione përmes fjalës, notave muzikore apo ngjyrave në kanavacë. Interpretime nga më të ndryshmet përcjellë në realizime fantastike. Ndërsa ajo, e pagëzuar nga fati në të qenit “e mbështjellë” nga kjo gjini, ka veshur jo pak herë “kostumin” e të dashurës, gruas apo femrës që në përjetimin artistik ka ditur të përçojë mes notave operistike kulmin e një historie romantike. Për dashurinë e saj, në jetën reale, ajo ka zbërthyer rebusin e kodit individual, duke u “dorëzuar” pa kushte, ashtu sikurse të papriturat dinë të vijnë, dhe kur është fjala për ndodhi të bukura, dinë të ta rrëmbejnë zemrën. Është njohur në periudha të ndryshme, atëherë kur ishte fare e re, e studionte për kanto në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Mandej shoqja e saj, e cila ishte kushërira e bashkëshortit të ardhshëm, do të bënte të mundur njohjen e tyre. Sopranoja Ramona Tullumani, rrëfen në ngacmimet e së shkuarës se ishte krejt një rastësi, diçka e pamenduar dhe për më shumë një fillimnisje e mbarë dhe e bukur, e cila dukej se u përjetua nga ajo, gati si një shfaqje teatrale brenda një jete.

Dashuria…, fillimi, marrëdhëniet në çift, janë gjëra shumë të ngatërruara. Herë vë në përdorim maturinë, e herë instinktin, kulturën familjare apo ashtu rrëmbimthi instinktet. Herë të duket vetja si fëmijë. Them që ka qenë një rastësi, por dhe e shkruar. Herën e parë kemi qenë në një nga baret e Tiranës. Paradite. U tërhoqëm në mënyrë shumë të çuditshme. Diçka bëri që ne të takoheshim sërish. Të shiheshim edhe më shpesh. Madje kemi pasur dhe konflikte të vogla për shkak të dy natyrave të ndryshme”.

Kontakti i parë pas kohës së Liceut ndodhi në internet. Kishin kaluar vite dhe kjo dukej se ishte mënyra më e mirë për të komunikuar më lirshëm, pse jo, të shkëmbenin idetë dhe t’i ofronin njëri-tjetrit mendime rreth projekteve që ndiqnin paralel. Eltoni si gazetar, ndërsa Ramona po përpiqej me nënën e saj të bënin një libër biografik për gjyshin, të nderuarin, baritonin e parë të TKOB Ramiz Kovaçin. Por siç e thotë dhe Bethoven në veprat e tij muzikore, “Dashuria mund gjithçka”, dy të rinjtë do të thyenin barrierat dhe zyrtarisht do të linin një takim i cili do t’i kalonte kufijtë e parashikimit. Ndodhi që, ajo, Ramona, në një prej pasditeve të 4 viteve më parë, të dëgjonte me endje dhe të jepej pas raportit që do të krijonte me Eltonin. “Kemi biseduar me orë të tëra. Nga ora 18’00 e pasdites kapërcyer 23’00, të mbrëmjes. Tek unë ndodhi një alkimi. Diçka që na tërhoqi shumë shpejt dhe shumë fort. Në dy mendje të dy. Të dy persona të kundërt që e gjetëm veten në kombinim perfekt”. Pas 8 vitesh afërnjohjeje, sot ata janë të martuar. Ndajnë të pandashmen bashkë dhe e përjetojnë me intensitetin e barabartë dashurinë për njëri-tjetrin. Siç vlerëson dhe sopranoja, çdo ditë është e veçantë dhe e shënuar, sikundër Shën Valentini, dita që njihet në të gjithë botën si “Padroni i të dashuruarve” mbart te ata romancën, qëllimin e vërtetë të dashurisë. Jam natyrë që mërzitem shpejt nga gjërat që vijnë të njëjta, thekson Ramona, andaj tek ajo variacionet janë zinxhiri i një jetëgjatësie dhe pasioni të gjallë. Kjo dhe për shkak të profesionit, kulturave të ndryshme që ka përftuar që në vogëli. Ndaj dhe për këtë, ajo vlerëson se te të dy ka përpjekje për t’i bërë gjërat ndryshe.

Mua më duket sikur kemi një Shën Valentin të vogël çdo ditë, dhe nuk kam atë veçantinë  e gjësë së jashtëzakonshme. Nuk jam e dhënë pas surprizave, por e vetmja gjë në këtë ditë është që mund të qëndrojmë bashkë e të shkojmë diku, brenda apo jashtë shtetit nuk ka rëndësi. Ndihem me fat dhe e përkëdhelur. Eltoni është mjaft i kujdesshëm dhe i vëmendshëm. Një vit më parë bëmë një udhëtim bashkë për Shën Valentin. Ishim në bregdet. Mua më pëlqen deti në dimër. Nuk e dua vapën. Mendova që në këtë ditë të bëja diçka. Shkuam në Vlorë. Prenotuam në një hotel shumë të veçantë që ishte gati afër bregut të detit. Ishim në një suitë në katin e fundit, ku mund të shihje perëndimin e diellit. Ishin dhe ditë të bukura, plot diell. Çdo gjë ishte vetëm për ne të dy. Hoteli ishte shumë i shkretë. U kënaqa tej mase. Ishte dita më e këndshme për mua!”

Botuar në revistën Psikologjia, shkurt 2012

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top