Në fokus

October 13, 2017 | 11:11

Dëshmi/ Valbona Treska: Meshkujt më aktivë në fuqizimin e rolit të femrës

Nga Orjona TRESA / Foto: Vlasov SULAJ

Të vlerësosh përvojat e femrave! Është kjo një mundësi e re për shoqëritë në zhvillim, sidomos për një shoqëri ende të brishtë si kjo e jona. Femra shqiptare duket se po i jep një kontribut të shëndetshëm vendit në formimin dhe përcaktimin thelbësor të disa kritereve të drejta, por po aq edhe shembuj të vyer në të gjitha dimensionet e saj. Një shembull me vlera, hapat e së cilës shënojnë mbi një dekadë, është dhe Valbona Treska, një femër që sa e përkushtuar në karrierë, është dhe një bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar në jetën e saj.

untitled2

Sapo ka marrë një pozicion të ri në rrugëtimin e saj të gjatë profesional, atë të Presidentes të Urdhrit të Psikologëve. Ndërkaq, përvoja e saj 12-vjeçare në fushën e psikologjisë, e ka bërë të jetë një emër i rëndësishëm pranë gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë në vend, kryesisht fokusuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Fokus i punës janë jo vetëm zgjidhjet e martesave, numri i të cilave i ka kaluar të 2000 rastet përgjatë këtyre viteve, por edhe me vlerësimet për shpërblime dëmi moral dhe ekzistencial, heqjet e përgjegjësive prindërore, birësimet, urdhrat e mbrojtjes etj. Teza e saj doktorale ka qenë pikërisht në fushën e divorceve dhe përjetimit të tyre nga fëmijët. Me përvojë gjithashtu si psikologe pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, ajo është gjithaq pedagoge pranë “AU”. Që prej vitit 2011 Kryetare e Shoqatës së Psikologëve Ligjorë si dhe ka studion e saj në trajtimin e rasteve dhe ofrimin e shërbimit psikologjik.

Angazhimi juaj prek një fushë prej së cilës shumë kërkojnë të gjejnë shpëtim për problematikat që hasin me veten. Sa i vështirë është për ju ky profesion dhe si ia dilni ta menaxhoni në raport me familjen, fëmijët?

Nuk ka profesion pa vështirësi. Është e thjeshtë të gjykosh nga jashtë punën që bën tjetri. Në tërësi, profesionet që kanë në fokus individin janë të vështira dhe kompleksiteti shtohet kur individi kërkon ndihmë, sepse ndodhet në një moment të vështirë të jetës me veten e të tjerët. Psikologut i duhet të përballet me të gjithë ngarkesën emocionale që klienti shfaq, me ankthin, pasigurinë, mendimet e shtrembëruara. Përpos këtyre, në sytë e klientit, shpeshherë psikologu perceptohet si shpëtimtari i problematikave të tij. Të gjitha këto janë elemente që shtojnë dukshëm dozën e vështirësisë, por edhe të përgjegjësisë në këtë profesion. Në vitet e para të ushtrimit të tij e kam patur shumë të vështirë të ndaja problemet e klientëve nga përditshmëria ime. Shpesh flija dhe zgjohesha me problemet e tyre, çka bënte që edhe të isha e ngarkuar psikologjikisht gjatë ditës. Vite të tëra pune me dhjetëra raste në ditë më kanë mësuar tashmë të bëj një ndarje të qartë të jetës sime personale dhe familjare nga ajo profesionale. Është diçka që nuk mësohet mot-a-mot nga librat, kështu që padyshim, në këtë pikë eksperienca bën të sajën.

Keni marrë së fundi një detyrë që kërkon shumë më tepër përkushtim dhe mbrojtje mbi të gjitha, të profesionit të psikologut. Si do ta vlerësonit këtë hap?

Ndonëse u futa në garën për Presidente të Urdhrit të Psikologut nga dëshira e madhe për t’i dhënë një tjetër dimension punës së psikologut në Shqipëri, padyshim që, përveç dëshirës, kisha bërë më parë të gjitha llogaritë me veten lidhur me përgjegjësinë e madhe që do të më duhej të merrja mbi supe. Në një vend ku një pjesë e mirë e shoqërisë ndodhet në kushtet e mbijetesës, është luks të duash të mirëpozicionosh rolin e psikologut në shoqëri. Jam e qartë që shumë e perceptojnë këtë profesion si të dorës së dytë, për të mos thënë ndonjëherë edhe të panevojshëm, por duhet të kuptojmë të gjithë se, nëse duam të bëjmë një shoqëri të funksionojë, duhet të forcojmë hallkat e zinxhirit që na lidh me njëritjetrin. Fuqizimi i rolit të psikologut, rritja e cilësisë së shërbimit në të gjithë vendin do të thotë funksionim më i mirë i individit, si rrjedhim funksionim më i mirë i shoqërisë. Qëllimi im, por edhe i të gjithë ekipit në krye të këtij institucioni është përmirësimi i cilësisë së jetës së individit në rrafshin psiko-emocional, çka do të mund të sjellë zbutje të problematikave të përditshme që hasim të gjithë së bashku.

untitled-1

Si e shikoni ju femrën shqiptare sot? Ku duhet të përmirësohet ajo?

A nuk mendoni që, pikësëpari, përmirësimi duhet të nisë nga qëndrimi i meshkujve karshi femrave? Çfarë duhet t’u themi femrave që të përmirësojnë më shumë, për aq kohë sa ato mbajnë barrën më të madhe të përgjegjësive në familje? Në këtë pikë, do doja të kisha mirëkuptimin e meshkujve, të cilët mendojnë se, duke siguruar të ardhurat financiare për shtëpinë, kanë realizuar me sukses të gjitha detyrimet. Gjithsesi, në krahasim me vetëm një dekadë më parë, vlerësoj se roli i femrës është katapultuar dukshëm cilësisht në mënyrën se si ajo zë aktualisht vend në familje e më gjerë në shoqëri. Por vlerësoj, se ky është një pozicion më shumë i fituar me forcë prej tyre sesa i dhuruar dhe i mirëpritur nga meshkujt. Pa dashur të bëj feministen më shumë se ç’duhet, por realisht vlerësoj se meshkujt duhen të luajnë rol më aktiv në përmirësimin dhe fuqizimin e rolit të femrës në familje, punë dhe shoqëri. 

Në punë femrat janë të përgatitura, organizatore, këmbëngulëse e ndonjëherë edhe më të zonjat se sa kolegët e tjerë meshkuj.

Kemi pa fund raste të grave jo vetëm të afta në poste drejtuese, por edhe profesioniste të zonja, aktiviste të shoqërisë civile dhe nëna të shkëlqyera. Po të vazhdoja mendimin e mësipërm për femrat, do të thoja me plot gojën se shprehja “Dy kunguj nën një sqetull nuk mbahen”, përjashton definitivisht femrat, të cilat janë të zonja të mbajnë njëkohësisht punën, karrierën, familjen dhe të edukojnë të vegjlit. Në shumë raste në fund të ditës, këto femra paragjykohen se vërtet kanë arritur suksese në jetë, por nuk mund ta kenë bërë këtë pa ndihmën dhe mbështetjen e një burri. Ç’është më e çuditshmja, këto paragjykime bëhen kryesisht nga femrat për femrën, sepse njihet botërisht që lufta brenda llojit është shumë më e ashpër. Po t’i shtojmë kësaj edhe bindjen e meshkujve se punët e mira dhe me përgjegjësi dinë t’i bëjnë mirë veç ata, mundësitë e një femre për t’u vetërealizuar tkurren. Paragjykime dhe stigmatizime të tilla masive të shoqërisë sonë janë të dhimbshme dhe frenojnë kapacitetin femëror që të zhvillohet e të fitojë terren në shoqëri. Është e rëndësishme të stabilizosh marrëdhënie me gratë e tjera, të ngritura mbi mbështetjen dhe ndryshimin e përvojave: mund të jenë një shumëfishues forcash, një instrument për ndryshimin e të gjithave. Individi ka tendencë të identifikohet dhe krahasohet me të ngjashmin. Në këtë rast femra me femrën. Të njohësh dhe kuptosh botën femërore, të ndihmon të njohësh e kuptosh më mirë veten. Shpesh, gjatë punës vë re plot elemente të ngjashme me të tjerat, për mënyrën e funksionimit dhe të ndjesive që përjetojmë. Kjo të bën që të mos ndihesh vetëm dhe padyshim, të motivon që të ecësh përpara. Nga ana tjetër, e gjithë përditshmëria të përball me marrëdhënie si me meshkuj ashtu edhe me femra. Me të dy gjinitë, ruajtja e marrëdhënieve dhe balancave ka vështirësi, sepse në fund të fundit, qenia njerëzore në vetvete është shumë komplekse në raport me qenie të tjera njerëzore. Në raport me femrat do të ishte e tepërt të anashkalonim xhelozitë e vogla e të mëdha që shfaqen shpesh brenda llojit, që nga detajet për paraqitjen e jashtme e deri te xhelozitë për sukseset e mëdha në jetë. Nga ana tjetër, femrat janë shumë më empatike se meshkujt dhe dëgjuese të kujdesshme, që kanë qejf të analizojnë detajet e t’i nxjerrin fundin diskutimit, çka përfundimisht ndihmon në arritjen e rezultateve. Kjo përsa i përket ndikimit të femrave në punën time. Sa i takon familjes, kam hasur një ndryshim rrënjësor të raporteve femra-meshkuj nga familja ime biologjike në familjen që kam krijuar. Në familjen e parw, ka mbizotëruar gjithmonë bota femërore, pasi jemi tri femra në mazhorancë (unë, motra dhe nëna) në raport me babain. Padyshim që kemi patur një zë shumë të fortë në vendimarrje. Mesa duket, kjo ka ndikuar thellësisht në personalitetin tim. E kundërta ndodh në familjen që kam krijuar, ku unë jam realisht pakicë në raport me dy djemtë e mi dhe bashkëshortin. Por sa mirë që personaliteti i formuar nuk ndryshon dukshëm pas të 20-ve, çka ka bërë që të vazhdoj të jem zë i fortë edhe me tre meshkuj. Gjithsesi, pavarësisht personaliteteve dhe karaktereve të ndryshme brenda familjes, të dy me bashkëshortin përpiqemi të balancojmë vendimmarrjet e të përfshijmë sa të mundemi edhe djemtë. Të paturit të një pozicioni të mirëformuar brenda familjes i ndihmon ata të modelojnë këtë mënyrë komunikimi edhe nesër kur të jenë madhorë, apo kur të krijojnë familjet e tyre.

Miqësia mes femrave është një nga motorët ku ecën e gjithë bota…

Femrat dhe meshkujt janë komplementarë të njëritjetrit. Nuk do të ecte bota përpara as vetëm si pasojë e shoqërisë së femrave e as si pasojë e shoqërisë së meshkujve. Gjithsesi, egoja del më shumë në pah kur bëhet fjalë për të ngjashmin, në këtë rast për vetë femrat karshi femrave. Studentët qeshën disa ditë më parë kur po u shpjegoja se femrat përpiqen aq shumë për pamjen e tyre të jashtme më shumë, sepse janë objekt gjykimesh nga vetë femrat se nga meshkujt, të cilët shpesh nuk i vënë re fare detajet. Përpos kësaj, unë kam bindjen se, krahasimi në çdo aspekt me të ngjashmin tënd, të motivon të përmirësohesh dhe përmirësimi sjell përfundimisht rezultate pozitive në të gjitha drejtimet.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.117

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top