Të përballesh me vështirësitë, të mospërkulesh nga dhimbja, por të ecësh përpara, është shumë herë më mirë se sa të dorëzohesh e t’i lësh “forcat e errëta” të të mundin. Përvoja e jetës ia ka sjellë në lëkurën e saj të provojë ndjesi dhe sfida aspak të lehta, sidomos në rolin e një nëne. Por duke e parë sesa nëna dorëzohen përballë një fëmije me probleme të aftësive ndryshe, ajo e ka mundur problematikën e saj, duke e pranuar fatin dhe duke i dhënë një dimension të ri jetës së saj. Violeta Gjoni, mësuese e specializuar për fëmijët me aftësi ndryshe, rrëfen se si iu desh të diplomohej në një fakultet të dytë, pikërisht për t’ju gjendur pranë me literaturën e duhur bijës së saj dhe të gjithë atyre fëmijëve që kanë aftësi të veçanta.
Për Violetën: “Ka shumë prindër të “sëmurë” nga krenaria, që i izolojnë fëmijët, duke mos e pranuar faktin. Ashtu ata izolojnë veten, duke pasur regres në çdo aspekt të jetës”. Për Gjonin, thelbi i progresit qëndron te ndërgjegjësimi i familjes mbi ecurinë e një problemi. “Nuk është turp, nëse ke një paaftësi ti apo një pjesëtar i familjes, qoftë fizike a mendore”. Ajo që e ndez edhe më shumë debatin, është mungesa e mësuesve të tillë të emëruar nga drejtoritë arsimore përkatëse, nga ku nevoja për aftësimin e fëmijëve sidomos me çrregullim të spektrit autik, i bën edhe më të ndjeshme rastet.
Pse i jeni futur pikërisht kësaj fushe?
Mund të them se është pleksur pasioni dhe rastësia bashkë. Kam rreth 15 vite në fushën e aftësisë ndryshe. Dërgoja vajzën për fizioterapi në Qendrën Rehabilituese Fizike “Pranvera”, e cila financohej nga Comuniteti International i Capodarcos të Fermos në Itali. Aty kam filluar si animatore e pastaj, duke u formuar dhe më shumë profesionalisht me trajnime, si këtu dhe jashtë vendit. Por, më shumë se rastet dhe diversiteti i tyre, puna ka bërë të mundur nxjerrjen në pah të ekuilibrit personal, në je personi i duhur të përballesh me këtë fushë të vështirë apo jo.
Cili ka qenë rasti i parë që keni trajtuar dhe si jeni ndjerë?
Rasti i parë ka qenë shtysa brenda familjes që unë u dashurova me këtë profesion. Di të them se ndjesia është sikur je një person superior, sikur ti je e përzgjedhura, je ti që do i shpëtosh nga ai udhëkryq, je ti që u fal dashuri pa kushte. Ato fëmijë të bëjnë për vete. Vështrimet e tyre të tundojnë, të largojnë nga stresi i përditshëm. Të jetosh me ta do të thotë të pranosh të heqësh maskat, të cilat pa dashje a me dashje ia vëmë vetes. Pra, të jesh vetvetja. Është e pamundur që me gjithë njohuritë të mos lësh mbresa te këta persona, pasi paaftësia e tyre i pengon ato të logjikojë me skema mendimesh që të diktojë shoqërinë. Ato shfaqen ashtu siç janë, pa u shtirur dhe i pranojnë të tjerët pa kushte, ashtu fare thjeshtë.
Po rasti më i vështirë që keni trajtuar?
Të gjitha rastet në vetvete janë të vështira, por t’i kapim në atë këndvështrim ama, profesionisti duhet ta njohë mirë rastin, diagnozën dhe ai takim i parë me çdo rast, sidomos me “të vështirët” në qoftë se do i konsiderojmë kështu, është si një shuplakë që ti të reagosh nga ankthi apo destabilizimi që ke. Pra, të hapësh sytë e t’i thuash vetes: Ti që je vetë kaq i zgjuar, kaq i shkëlqyer, çfarë bën me ndjeshmërinë tënde? Ku shkoi humanizmi yt? Përballë ke një person që është i ndryshëm nga më “normalët”. Ai nuk zhvillohet si ne, duhet të synojë drejt kontekstit të normalizimit, integrimit shoqëror, nuk ka vend për dështime. Gjej mundësinë për të bërë diçka! Ka një mundësi a metodë. Duhet të zbulosh te vetja kompleksitetin tënd, tensionimet e tua, dinamizmin tënd dhe kur i krahason me të tjerët, bindesh se vërtet nuk ka dështim, prandaj dhe unë nuk e ndryshoj profesionin tim. Unë e dashuroj këtë dhunti!
Cilat kanë qenë përfitimet në këtë formim profesional, duke veçuar Masterin “Pedagogji e specializuar sociale”, që pak a shumë është plotësuese e gjithë formimit tuaj akademik ndër vite?
Masteri Profesional, i pari që u hap në Tiranë te Fakulteti i Shkencave Sociale ka qenë një pikë mbi “i” jo vetëm përfituese, por dhe plotësuese e gjithë zhvillimeve akademike ndër vite. Pavarësisht burokracive politike që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, duke u shfajësuar që nuk ka buxhete për këto kategori mësuesish të arsimit special, në vend të tyre emërohen nëpër institucionet arsimore, “Mësuese të Biokimisë”. Ndërkohë që, mësuesit e arsimit special janë të trajnuar për dy vite me të gjitha njohuritë e mundshme deri te identifikimi i problemit dhe trajtimi i tij. Mësuesi i arsimit special është i kompletuar me çdo detaj si: logopedia, psikomotriciteti te personat me aftësi ndryshe.
Për çfarë kanë nevojë realisht kjo kategori fëmijësh? A ndjehen ata të gjithëpërfshirë?
Për çfarë nuk kanë nevojë thuaj. Duke parë dhe qendrat jashtë vendit dhe si funksionon këtu, duhet të vendosësh duart në kokë. Nuk ka nga t’ia nisësh, si nga pagesa e ulët që marrin, dhe kjo bllokon çdolloj shërbimi që mund t’i japim këtyre personave me 100 mijë lekë të vjetra, se shumicës po jua heqin dhe kujdestarinë se si mund të plotësosh kërkesat më minimale të mbijetesës e jo të shërbimeve sociale edukative etj. E kështu lihen mënjanë, duke menduar se janë të tepërt, por kostoja u shkon më shumë kështu sesa t’u krijojnë mundësinë të gjithëpërfshihen në zhvillimin e jetës sociale. Atëherë edhe kostoja do të jetë më e ulët.
Cili është mesazhi për nënat?
Mos u dorëzo edhe kur dhimbja-plagë ka zënë vend e nuk shërohet kurrë. Mos u anko, por lufto në rrugën tënde plot vështirësi. Mos u dorëzo nga vështrimet e të tjerëve mbi plagën tënde, e as mos u mëshiro. Mos ia hidh fajin “fatit”, e as Zotin mos e pyet “përse mua”. Ai ty të përzgjodhi më të duruarën, ai e dinte se jo çdokush ecën pa u ankuar gjithë kohës për dhimbjen. Ai me këmbënguljen tënde do të ndihmojë t’i largojë ato shkrepa që rrugën ta kanë zënë. Mos u dorëzo se veç zemra e nënës nuk dorëzohet kurrë.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.118
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.