FB

November 24, 2023 | 12:29

Dëshmi/ ZEF DEDA: Valsi i bukur i jetës sonë

Nga Orjona TRESA

Jemi rritur me rolet e tij, që kur ishim fëmijë e deri më sot, ku i pathyeshëm, e zotëron ende skenën, të pazëvendësueshme për jetën e tij. Një artist me të gjitha vlerat; një bashkëshort i padorëzuar e këmbëngulës në misionin fisnik të familjes; një baba që me shenjtëri ruan me fanatizëm lidhjen me dy djemtë e tij; një gjysh që zemrën ia ka forcuar edhe më shumë dashuria për nipin dhe dy mbesat, një mik, shok dhe shkodran me të gjitha tiparet e një njeriu fisnik dhe të qytetëruar që vendi ynë ka. E bëra këtë prezantim si shenjë mirënjohjeje për një nga figurat më përfaqësuese të kombit tonë, një model pas të cilit brezat duhet të ndalen e të mirëlexojnë mençuritë e vlerat e këtij personaliteti, Mjeshtri të Madh, që cilësitë e mësipërme i ka ruajtur fort dhe pse jo, mund të bëhen mësim për këdo e ka të shenjtë jetën. Mes angazhimesh kulturore, familjare dhe bashkëshortore, si e gjen kohën Zef Deda t’i realizojë të gjitha, pa i hyrë në hak asnjërës?

untitled

Formimi kulturor dhe aftësia për të marrë pjesë në spektakle të ndryshme, kërkon që të jesh korrekt me skenën, duke e ndarë mënjanë kohën e pjesëmarrjes nga problemet familjare e bashkëshortore. Partnerja duhet trajtuar me kujdes dhe mirëkuptim për të pasur rezultate të mira familjare e bashkëshortore. Më vjen në mendje një thënie e psikologut të artit, Stanislavski, i cili thotë: “Kur hyn në teatër hiqe xhaketën e shtëpisë (me hallet e problemet) dhe vish xhaketën e teatrit (roleve, tipave dhe karaktereve për interpretim) dhe përsëri kur del nga teatri, hiq xhaketën e teatrit (të roleve, tipave dhe karaktereve që ke interpretuar) dhe vish xhaketën e jetës për të marrëdhëniet me familjen dhe bashkëshorten. Jepi! Ta priftë Zoti mbarë, pa i ngatërruar xhaketat.

Flasim për martesën tuaj. Si është jeta bashkëshortore për komedianin Zef? A ju ka prishur ndonjëherë punë humori (profesioni)?

Për me dashtë një vajzë, të cilën do ta kesh pranë gjithë jetën si shoqe të mirë, si bashkëshorte të mirë, propozimi ka ardhur krejt seriozisht, me gaz dhe hare. Është aprovuar nga të dyja palët me dëshirë e me gjithë zemër, plot dashuri, gjithmonë seriozisht, sepse seriozisht duhet marrë puna për të krijuar familjen dhe mbarëvajtjen e saj. Gjithçka ka vajtur mbarë dhe mirë, pa e përzierë humorin në këtë seriozitet të madh të jetës në çift. Ai gjithmonë na ka shoqëruar rrjedhshëm, me dëshirë dhe simpati për atë çka mund ta bëjë të gëzueshme jetën tonë të bukur me Rozin, e cila i është përshtatur mrekullisht Zefit dhe profesionit të tij.

falemi

Cili është sekreti për një marrëdhënie të gjatë dhe të qëndrueshme?

Tani, krejt sekret nuk është, por unë po ta tregoj ty, e ti mos ia dëfto askujt se ma kopjojnë. Atëherë: Në marrëdhënien tonë bashkëshortore na shoqëron mirëkuptimi, puna e përbashkët me marrëveshje të paqtë, gadishmëria për t’i bërë ballë sfidave të jetës dhe dashuria e pafund deri në palcë për njëri-tjetrin, sa edhe kur kemi debat për ndonjë problem që s’po i gjejmë zgjidhje e na mundon, e temperaturë e nervave na shkon “600 gradë”, i fusim një puthje të gjatë dhe e ftohim komplet këtë temperaturë nervash të ngritura dhe shpërthejmë në një të qeshur me lot. Pas saj vazhdojmë valsin e bukur të jetës. Përgjatë këtyre viteve jeta ju ka përballuar me risi dhe ndryshime në funksion të familjes. Në këtë rrugëtim padyshim ka dhe pengesa.

Si i keni kapërcyer në çift këto etapa?

Jeta është e shkurtër, eh… por është shumë e gjatë kur nuk gjen zgjidhje asgjë, kur nuk administrohet asgjë, kur nuk preokupohesh për asgjë, kur nuk fiton asgjë dhe shkon gjatë, e mërzitshme, pa frute të këndshme për familjen. Të bukurat e jetës në çift dihet se fillojnë që te fejesa e martesa, te kënga e vallja që nis, në arritje të bukura të ndërtimit të familjes dhe ndjeshmëria e gëzimi për këtë arritje pa fund, shëtitjet, pushimet në vendet e bukura ekzotike, pjesëmarrja në eventet e ndryshme të qytetit, eventet kombëtare dhe ato dërkombëtare. Realizime të suksesshme të interpretimeve të mia. Kulmi vjen me ardhjen në jetë të fëmijëve, dy djemve të mi, Juliani dhe Mario. Rritja e tyre, shkollimi, një përkujdesje plot dashuri nga ana jonë, arritjet e tyre, formimi në shkollë me dije e kulturë. Rezultati solli të vetën, atë që ata u bënë të aftë e na shndritën shpirtin e na gëzuan zemrën, duke punuar e u aktivizuar fort mirë në profilet e tyre. Juliani me aktrimin dhe Mario si kompozitor. Të gjitha këto i quaj risi të forta, ndonëse kemi kaluar 25-vjetorin e martesës së argjendtë, uh… më fal. Kanë kaluar 39 vjet. Sa shpejt kanë kaluar, plot ngjarje, gëzime, mundime, impenjime, rezultate të mira, lumturi. Edhe 11 vjet po të jemi shëndoshë, festojmë 50-vjetorin e artë. Sa vite kanë kaluar, sa shpejt kanë shkuar?! Ndaj thashë, sa e shkurtër është jeta.

Ç’keni hequr nga vetja për hir të bashkëshortes apo familjes? Sa e rëndësishme është të sakrifikosh për atë që do?

Sa isha adoleshent dhe i ri, me gjithë aktivizimin tim shumë të fortë në skena dhe ekrane, sukseset pafund dhe rritjet profesionale më bënë që të jem i gjallë e i lirshëm. I pandalur e i pafre në entuziazëm, me dëshirën e madhe për të qenë i lirë në veprimet e mia shoqërore edhe liberale deri në njëfarë mase, për ta gëzuar jetën shpejt. Si me thënë, a thua se po mbaron pasnesër. Unë u angazhova në krijimin e familjes në kulmin e karrierës dhe suksesit, me seriozitetin më të madh. Pra, u martova 27 vjeç. Lind pyetja. A ka kund sakrificë më të madhe? Me ja lidhë këmbët vetes?! Po ky kapitull i ri që u hap, më nxiti të punoj më fort në dy drejtime, atë të skenës dhe të familjes së re. Të them të drejtën, s’ia hëngra hakun asnjërës, por me forcë e dashuri iu përkushtova të dyjave. Në këtë rast sakrifica ishte dopio.

Sa e ndryshon marrëdhënien në çift ardhja në jetë e fëmijëve?

Mirë se ishim dy të dashuruar që po kërcenin duke luajtur si kecat në lëndinë, ku na shoqëronte gazi, kënga, hareja dhe ëndërrimet për të ardhmen. Ajo ishte dashuria ime Rozi, e unë isha për të ylli polar, ku në përpunim të jetës asokohe, erdhi fuqishëm fëmija i parë. Unë ndjeva se dashuria ime Rozi mori pamjen e bukur, mahnitëse, pamjen fantastike të nënës tek mbante fëmijën në kraharor. Mua m’u dridhën gjunjët dhe m’u mbushën sytë me lot nga emocioni. U bëra baba. Filloi një kapitull i ri, impenjime të reja, furnizime të reja, përkujdesje edhe më e madhe, e një dashuri më e fortë për shoqen time të jetës, e cila më dhuroi dy pinjollë të mrekullueshëm. Sukseset në skenë vazhduan në rritje.

Cilat janë të kundërtat dhe të përbashkëtat në çiftin tuaj dhe sa ju kanë shërbyer për të ruajtur modelin që sot ua kenë ushqyer edhe fëmijëve tuaj?

Jam tip shumë i hapur. Kapërdij gjithçka e merrem vesh me të gjithë. Dhe më e bukura është kjo: Të gjithë merren vesh me mua. Po kështu edhe me bashkëshorten time Rozin, që në fillim, para 39 viteve edhe pse ishim shumë të rinj, ne kemi rënë në konsensus për mbarështrimin e familjes dhe kemi firmosur unanimisht të dyja palët me vullnet të lirë. Për çdo kundërshti apo akses i kthehemi kodit familjar dhe i shqyrtojmë nenet një për një. Kemi bërë gjithmonë më të mirën për integrimin evropian, më falni, integrimin familjar, me liberalizimin e vizave, më falni! Desha të them me liberalizimin e kushteve familjare, të cilat me rregull, disiplinë e devotshmëri realizohen më së miri në bazë të tolerancës dhe mirëkuptimit familjar. Me vullnet të mirë e kemi përhapur këtë përvojë edhe te fëmijët, të cilët do Zoti janë mirë e po realizojnë ëndrrat e bukura të familjeve të lumtura.

Për të pasur një jetë pa pendime, psikologët thonë se ka vlerën e vet të respektosh edhe gjërat e vogla. Sot pa kaq vitesh sa i vini në pah këto gjeste?

Në jetën time me Rozin, kurrë nuk i kam lënë pas dore apo nënvlerësuar edhe gjërat e vogla, në dukje të parëndësishme. Se kur mblidhen 6 apo më tepër prej tyre, në dukje të parëndësishme, ato bëhen më të rënda se të rëndësishmet, e të nxjerrin punë. Vjen një moment që të mërzisin e (të shqetësojnë familjen) prandaj si i shpejtë dhe energjik që jam, i dal punës përpara. Ia plotësoj çdo kërkesë që ka, shpejt e shpejt dhe pa hezitim. Për më tepër se, mua dhe fëmijëve na pëlqen t’i bëjmë surpriza njëri-tjetrit e veçanërisht Rozit. Bëjmë gjithçka që ajo të ndihet mirë.

Cilat kanë qenë pritshmëritë tuaja pas martesës? Sa janë realizuar ato?

Sipas parashikimeve të mia për martesën, edhe më pas kuptohet, them me plot bindje se, plani është realizuar 210 për qind më shumë se parashikimet e mia. Me punë, vendosmëri, devotshmëri, përkushtim e dashuri për familjen, mund të them se Rozi është një nga zgjedhjet më të mira që kam bërë në jetën time. Ajo më ka sjellë jetë të bukur, fëmijë të mrekullueshëm, të cilët kanë krijuar familjet e tyre të bukura, që na kanë gëzuar me nipa e mbesa, duke filluar nga Reina, profesoresha e gjyshit, Mateo, futbollisti i babës, (fëmijët e Julit) dhe Ema, fotozhenikja e gjyshit që del në foto si artiste e vërtetë (vajza e Marios). Këta fëmijë kaq të mrekullueshëm në dy familjet e djemve, rriten e edukohen me dashuri nga dy nuset e djemve të mi, Armanda (Biologe) dhe Enxhi, nusja e dyte (Psikologe). Ashtu siç Rozi më ka ndritur jetën mua, kështu edhe këto dy zonja më kanë rritur vlerat e familjes time, tashmë të madhe e të fortë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.110

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top