Nga Orjona TRESA
E enjte. 26 shtator. Afërmend kujtoja se ende nuk kisha pasur mundësi ta kisha intervistuar. Të jetuarit jashtë kufijve e kanë këtë ‘risk’. Ama, teknologjia mundëson. Këtë herë kisha një gur të fortë. Qëllimi, dëshminë e artistit për marrëdhënien e tij në çift. Dhe e dini çfarë më ndodhi?! Surprizë. Për të ajo e enjte ishte festë. Jubile në fakt. Bashkë me të shoqen, Kristinën, Agim Hushi festonte përvjetorin e 30-të të martesës. Më gëzoi edhe më shumë fakti që unë do t’i merrja ashtu siç ata po i përjetonin, emocionet e gjithë këtyre viteve së bashku. Tenori me famë botërore, me nënshtetësi australiane, ish-mësuesi i letërsisë dhe psikologjisë, më thotë se kjo ishte ftesa më e veçantë dhe e më e bukur në këtë datë. Nga Viena më përgjigjet menjëherë duke cituar: “Kristina është dashuria dhe forca e gjithçkaje që kam arritur! Jam martuar me të 20 vjeç”. Ata e kanë gjetur çelësin e harmonisë e jetëgjatësisë në çift. Përvoja e tij i ka kaluar tashmë kufijtë e besimit apo rrezikut, sepse të dy bashkë kanë mundur të përballen si me vështirësitë e regjimit të asaj kohe, ashtu dhe me shanset për të qenë aty ku janë sot. “Jam njohur, dashuruar dhe martuar me Kristinën në moshë shumë të re, në Shkodër si studentë të Institutit Pedagogjik. Jeta e Shkodrës ishte e mbushur me bukuritë jo vetëm të jetës rinore por edhe me të veçantën e qytetit të bukur verior që të frymëzonte me magjinë e artit, muzikës, humorit, pranverës dhe verës së Liqenit, luleve të mbira në tokën e lashtë të Kalasë së Rozafës që unë i mblidhja për Kristinën, “Kafes së Madhe” ku ne pinim birrë në mbrëmjet e ngrohta të verës, plot aromë bliri, në shëtitoren e bukur ku grindeshim dhe putheshim duke i falur njëri-tjetrit mungesën e perfeksionit. Gjithsesi ka një thelb në këndvështrimin tim ai çelës, për të cilin më pyesni: Besnikëria! Besnikëri ndaj bindjeve dhe ndjenjave, ndaj dashurisë dhe ëndrrave, ndaj principeve dhe moralit, besnikëri ndaj atyre që të duan dhe atyre që të rrethojnë me dashurinë e tyre, në të mira dhe në vështirësi”.
Sakrificat e forcojnë lidhjen
Sakrificat janë pjesa më e bukur, më kuptimplotë, mishërimi i një lidhjeje dashurore apo martesore. Për Agim Hushin, dashuria e tij për Kristinën u ndërtua mbi sakrifica. “Në moshën 18-vjeçare u dashurova me një vajzë që kur e pashë për herë të parë, ‘u murosa’ përjetë aty. Kristina rrezatonte jo vetëm bukurinë, por dhe buzëqeshjen e karakterit të saj. U dashurova me gjithë fuqinë dhe pasionin e moshës, por dhe me imazhin pothuaj idealist të një poeti romantik. Isha rritur me vargjet e Eseninit, Pushkinit, Lomonosovit, Çehovit, Balzakut etj. Kristina, një vajzë me karakter të fortë prej malësoreje, u shndërrua padyshim në frymëzimin dhe përkushtimin e jetës sime. Kishim dallime që nga mënyra e të folurit deri në shpjegimin e gjërave. Vinim nga fe të ndryshme, nga qytete me kultura dhe formim ndryshe. Ajo nga Puka e unë nga Kavaja, por të dyve na lidhte principi i dashurisë pa kushte, ëndrra për të ndërtuar një familje me dashuri, besnikëri. Patëm vështirësi të panumërta në fillimet e jetës sonë. Megjithëse na lindi djali, Aldo, dhe Kristina ishte lehonë, sistemi kriminal i asaj kohe na dërgoi të dyve si mësues në një fshat katër orë në këmbë maleve të Rrogozhinës. E kujtoj si sot fytyrën e asaj gruaje të pashpirt në seksionin e arsimit të Durrësit, që megjithëse iu luta të paktën për Kristinën, t’i gjente një vend diku më afër, ajo ktheu kryet me bezdi për të mos na dëgjuar. Me gjithë këto sakrifica e në këto kushte dashuria jonë funksionoi. Teatri në familje e vret dashurinë. Oksigjeni që ushqen, e mban gjallë atë. Pas disa muajsh unë u mora në Teatrin e Operas si solist, si rasti më i jashtëzakonshëm i këtij institucioni, për t’u ndeshur me sakrifica të tjera të rritjes sime si artist por dhe si baba, si bashkëshort… isha vetëm 22 vjeç!” Jeta është një lojë të cilës duhet t’i mësosh së pari rregullat pastaj se si të luash. Dhe përpara tezës se “të pranosh rritjen e partnerit” do të thotë në fakt të rritesh vetë, tenori i njohur thotë se: “Meqenëse ne u lidhëm gati fëmijë, ishte e natyrshme rritja apo transformimi i karakterit gjatë jetës bashkëshortore. Kështu nga një djalë province, rritur me halle dhe vështirësi, unë pata rastin të shihja botën shumë herët. Po ashtu Kristina, që u lidh jo me një tenor, por me një mësues letërsie apo ndoshta një poet të ardhshëm që shkruante vjersha të ndjera, iu desh të përballej me një realitet shumë të ndryshëm nga ai i cili filloi lidhja jonë. Kristinës iu desh shumë shpejt të përballej me një botë tepër mondane, të matej me sjelljen, veshjen, zakonet e një borgjezie të sofistikuar, në të cilën ajo u përshtat në mënyrë të përkryer. Kemi takuar presidente shtetesh, ministra, personalitete botërore dhe Kristina nuk ishte më ajo vajza e ndrojtur, por një zonjë aristokrate e vërtetë. Një rritje e saj që mua më gëzonte pa masë, ashtu siç Kristina pranoi atë ndryshim të jashtëzakonshëm që ndodhi me mua që nga një djalë i varfër u shndërrova në një tenor të suksesshëm në botë. Rritja ka rreziqet e saj por ne e menaxhuam me forcën e përkushtimin për njëritjetrin dhe me idenë e qartë se njeriun nuk e bën as karriera, as fama, as pasuria, por familja, humanizmi dhe vlerat morale!”. Janë rritur bashkë por ama, duke u përshtatur dhe korrigjuar njëri-tjetrin. Agimi thotë se me Kristinën janë tipa të kundërt. Ajo shumë korrekte, e rreptë. Merr vendime të vështira shumë më shpejt se ai, ndërsa konsideron çdo gjë seriozisht. “Është perfekte dhe preferon skepticizmin para optimizmit. Ndërsa unë jam optimist ekstrem, jam më i butë në situata të vështira dhe preferoj tolerancën para një vendimi ndëshkues. Sigurisht i bindur në sinqeritetin dhe ndershmërinë natyrore të Kristinës, jam unë ai që lëshoj terren në shumicën e rasteve. Kristina është një grua me karakter të fortë, ka një inteligjencë natyrore shumë të lartë, por mbi të gjitha, ka një intuitë femërore e cila më mahnit.” Ata vazhdojnë të ndjekin shkollën tradicionale të familjes, gjë që pasqyrohet në pohimin e sinqertë të Agim Hushit. “Unë nuk di të laj as rroba, as enët, as të hekuros… megjithatë jam një nikoqir i mirë për të bërë pazarin e ushqimeve, por jo atë të rrobave. Ashtu siç më pëlqen të gatuaj makaronat, mishin e pulës, peshkun dhe të pjek zarzavatet. Ndërsa Kristina është dizenjatorja, autore e rregullit dhe pastërtisë në shtëpi ashtu siç është mjeshtre e byrekëve me vezë, spinaq dhe djathë, supave, sallatave, ëmbëlsirave… Ne kemi rregulla që janë bërë natyrshëm, pa diskutuar për to. Kristina merret me anën zyrtare të menaxhimit të shtëpisë, pagesat, taksat ashtu siç merret me kontratat dhe studentët e mi. Për sa i përket anës financiare, kemi të njëjtën llogari dhe mbajmë aq sa na nevojitet me vete, megjithëse Kristina vazhdon të ketë maninë të shpjegojë edhe për cent-ët që u shpenzuan”. Plot 30 vite martesë dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Thonë se janë të njëjtët. E masin dhe me kohën që shpenzojnë para pasqyrës. Por mbi të gjitha, sipas tenorit, “me mallin dhe mungesën e padurueshme kur jemi larg njëri-tjetrit. Të jesh i dashuruar është një arritje shumë më e madhe se të jesh i pasur apo i famshëm! Dhe për këtë, ndihem sinqerisht me fat!”
Botuar në revistën Psikologjia, nr,78.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.