Lifestyle

August 8, 2016 | 8:28

Flokë të bukur me ushqimet e duhura!

A e dini se shëndeti i flokëve tanë reflekton edhe mënyrën e të ushqyerit? Kur nuk ushqehemi si duhet apo përjetojmë një periudhë të ngarkuar me punë e plot stres, kjo gjendje reflektohet edhe në flokët tanë, të cilët bëhen më të dobët dhe këputen lehtësisht. Flokë që bien, pa shkëlqim dhe lëkurë të thatë apo me zbokth janë disa nga simptomat që tregojnë se nuk ushqehemi në mënyrën e duhur. Mungesa e hekurit shkakton rënie të tepruar të flokëve. Gjithashtu, edhe thinjat e tepruara (përveç thinjave të trashëguara) mund të jenë shkak i stresit të lartë dhe mungesë e antioksiduesve që merren me anë të ushqimit. Kryesisht flokët përbëhen nga aminoacide, të cilat ndodhen tek ushqimet e pasura me proteina. Njerëzit që nuk marrin sasinë e duhur me proteina nga ushqimi i tyre, priren të kenë problem edhe me shëndetin e flokëve.

Ushqimet që duhet të bëjnë pjesë në menynë e përditshme:

Salmon: Mund ta quajmë pa frikë ushqimin e bukurisë. Salmoni është i pasur me acide yndyrore të dobishme për lëkurën e kokës. Acidet yndyrore Omega 3 ndihmojnë që të mos thahet lëkura dhe ushqejnë flokun.

Spinaq: Është shumë i pasur me vitaminat A dhe C, të dobishme për ushqyerjen e epiteleve të flokut (parandalon rënien) duke i bërë më të fortë ndaj trajtimeve të ndryshme. Vitamina C ndikon në prodhimin e kolagjenit si dhe në uljen e radikaleve të lira. Sasia e lartë e antioksiduesve ndikon dhe në ngadalësimin e enzimave përgjegjëse për thinjat.

Fasule: Janë të pasura me antioksidues dhe aminoacide, hekur, zink dhe biotinë, të cilat janë elementet bazë për ushqyerjen e flokut.

Mish pule ose gjel deti: Një burim shumë i mirë me proteina që përmban aminoacide thelbësore për parandalimin e rënies së flokëve.

Vezë: Ushqimi me vlerën më të lartë biologjike të proteinës, i pasur me vitaminë B12 dhe biotinë, ndikon në shëndetin e flokëve. Jo rastësisht veza përdoret për maskat e flokëve.

Drithëra integrale: Sa më e zezë buka, aq më shumë ushqehen flokët. Drithërat integrale, së bashku me celulozën e tyre janë më të pasura me hekur, zink dhe me kompleksin e vitaminave B, të cilat janë elementë të nevojshëm për riprodhimin dhe shëndetin e flokëve.

Mish i kuq: Një nga simptomat e anemisë është dhe rënia e flokëve, ndaj mishi i kuq është burimi më i mirë për të furnizuar organizmin tonë.

Prodhimet e detit: Prodhimet e detit si midhjet, karkalecat, etj., janë shumë të pasura me mineralet e duhura që i nevojiten flokut tonë. Kanë përmbajtje të lartë hekuri, zinku, të cilat janë të domosdoshme për mirëmbajtjen dhe rigjenerimin e tyre.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top