Në fokus

December 9, 2015 | 14:31

Dëshmi/Anita Haradinaj: Jemi ekip i fortë!

2Anita Muçaj gazetare pranë RTK dhe Ramush Haradinaj lideri i AAK-së në Kosovë; prindër të Gjinit, Hanës dhe Trimit.

Institucioni familje është përgjegjësi e madhe, dhe si e tillë duhet të bartë vlerat që i meriton, kryeveprat gjithashtu, të cilat vijnë në jetë me dashurinë që i mban lidhur fort. Me gjithë uljet-ngritjet përgjatë martesës, çifti Anita dhe Ramush Haradinaj pavarësisht pengesave dhe distancës gjeografike, ia ka dalë mbanë si një ekip i fortë. Anita thotë se kurrë nuk i janë dorëzuar fatit, edhe pse rrugëtimi tij ka qenë me sfida të vështira. Por, përkundrejt kësaj periudhe, që quhet e shkuar tashmë, ata janë një familje me kurajë, energji e dinamizëm për të vazhduar më tutje!

Intervista:

Historia juaj është e veçantë, nisur dhe nga ngjarjet që kanë shënjuar lidhjen tuaj.

U bë kaq kohë që jemi martuar, që kemi lidhur jetët tona bashkë, që kemi nisur krijimin e një institucioni me shumë përgjegjësi, të quajtur familje, që kemi kurorëzuar dashurinë tonë, si të duam mund ta quajmë, por e vërteta është se tashmë kemi një emër: Ne jemi një familje! Më 3 korrik bëhen 12 vjet që kemi nisur rrugëtimin tonë të përbashkët, për të krijuar gjithçka që ka jeta bashkërisht, e në këtë rrugëtim, padyshim kemi krijuar tri kryevepra, Gjinin, Hanën dhe Trimin, të cilët na japin forcë, kurajë, energji e dinamizëm për të vazhduar më tutje. Dashuria e tyre janë motivi dhe shtytja kryesore në këtë rrugë me plot sfida siç e kemi pasur ne.

Në normalitetin dhe rrjedhshmërinë e kohëve që jetojmë, sa vite shënon martesa juaj dhe si ka qenë për ju të qenit në DY?

Të jesh në çift apo të jesh Dy, do të thotë: Të jesh Dy në Një! Nuk është e lehtë të jesh Dy. Gjithçka duhet bërë bashkërisht, duhet të mendosh njësoj, të frymosh njësoj, të japësh dhe të marrësh njësoj. Dhe të mësohesh që të funksionosh njësoj, besoj se për çdo çift është sfidë në vetvete. Pastaj me kalimin e kohës, ose mësohesh ose të shndërrohet në rutinë, por ajo rutina fillon e të pëlqen sepse gjithçka është më e lehtë kur ndahet në Dysh. Kur Ramushi është akuzuar nga Tribunali i Hagës, unë kam mbetur e vetme dhe ka qenë shumë e vështirë të bësh rolin e dyshit, të jesh nënë dhe baba në të njëjtën kohë, të jesh shumë e zënë me procesin gjyqësor, me punën time në RTK, me udhëtimet, vizitat në burg dhe të jesh nënë e devotshme, të japësh maksimumin, duke u munduar që në asnjë çast të mos i bësh fëmijët të vuajnë ose të ndjejnë mungesën e diçkaje. Prandaj, vazhdoj edhe sot të mendoj që në DY është e vështirë të mësohesh, fillimisht të funksionosh, por pastaj gjithçka është më e lehtë, duke filluar nga ndarja e përgjegjësive e deri te marrja e vendimeve, edukimi i fëmijëve, administrimi i familjes, por edhe harmonizimi i punëve.

Me çfarë fjalësh do ta përshkruanit raportin në çift?

Raporti në çift është një ekip i mirë dhe i fortë në jetë. Është një bashkëjetesë e suksesshme, një miqësi e gjatë dhe e ngrohtë, që gjithçka e ndan me sinqeritet mes miqsh të vjetër, por po ashtu edhe një raport i plotë dhe i pastër me sfida e përpëlitje, te tatëpjeta e teposhtë, por megjithatë një raport i qëndrueshëm në shpirt dhe në vepër është një ndarje e përgjegjësive herë në marrëdhënie kontraktuale e shumë herë në marrëdhënie ndërnjerëzore. Një ekip që menaxhon me sukses dhe balancë çdo vështirësi, çdo gëzim, çdo tronditje dhe çdo arritje.

Përgjatë këtyre viteve jeta ju ka përballur me risi dhe ndryshime në funksion të familjes. Si i keni kapërcyer në çift këto etapa?

Jeta më ka përplasur shumë herë shuplaka në fytyrë, por më ka dhuruar edhe shumë e shumë kënaqësi dhe gëzime në jetë. Nga një gazetare, jam plotësuar edhe me rolin më të çmuar në botë, atë të nënës. Me shumë kënaqësi kam lejuar ndryshimet në funksion të të mirave të fëmijëve të mi, të familjes. Për të arritur këtu ku jam, ka qenë rrugë e gjatë. Kemi kaluar një proces maratonik gjyqësor, plot 10 vjet, në funksion të të cilit kam dhënë gjithçka që kam mundur të jap. Ka qenë shumë e vështirë ajo periudhë, duke filluar nga aspekti psikik, njerëzor, moral, emocional por edhe financiar. Kam dhënë maksimumin tim. Kam sakrifikuar gjithçka sa duhet për të mbajtur një familje të mirë, me shumë harmoni, fëmijë të edukuar mirë, të shëndoshë dhe të lumtur. Ajo etapë nganjëherë mendoj që ka forcuar lidhjen tonë. Jemi njohur edhe nga një këndvështrim tjetër me njëri- tjetrin. Pra në çift, si unë edhe Ramushi nuk njihemi më vetëm nga mënyra normale e një çifti. Ne jemi njohur me njëri-tjetrin edhe në qeli, aty ku edhe po u inatose nuk ke ku shkon, aty ku edhe po u gëzove shumë, nuk ke si shpërthen me emocion. E rëndësishme është që ka përfunduar me sukses. Ne kemi qenë të rinj dhe gjithçka e kemi nisur nga fillimi, dashurinë, punën, jetën.

Sa ndikon në stabilitetin familjar mbështetja pa kushte e njeriut me të cilin ndan jetën?

Në çift është e rëndësishme të bësh kompromis, por paradoksi është që gjithmonë kompromisi i njërit fiton mbi kompromisin e tjetrit. Rëndësi ka që çdo gjë të jetë reciproke dhe me mirëkuptim. Kur bëhet fjalë për politikën, aty vlen kompromisi i Ramushit, megjithëse unë nuk jam tip që rri në heshtje. Unë flas shumë dhe i jap vetes të drejtë edhe aty të shprehem. Nuk është se merrem parasysh, por e rëndësishme është ta them. Pastaj për të tjerat jemi shumë të mirëkuptueshëm gjithmonë në të mirë të njëri-tjetrit!

Stabiliteti në familje varet dhe nga mënyra se si e ndërton një lidhje, si vepron dhe ekuilibrat për të mos cenuar askënd?

Unë i dua fëmijët e mi pakufi. Ata më kanë mësuar se si me të vërtetë dashurohet. Ekzistenca e tyre më ka bërë ta shoh dashurinë si fenomen, si nocion, si formë e përmbajtje. I dua sa nuk ka fjalë. Është pak të them që i dua nga toka deri në qiell dhe nga qielli deri në tokë, megjithëse jam dakord me rrëfimin sepse fëmijët janë fryti i dashurisë së një çifti, i një nëne dhe i një babai, pastaj fëmijët do të jenë më të lumtur do rriten më të shëndetshëm dhe do jenë me më pak komplekse, do ndërtohen si karaktere më pozitive, si personalitete më të fuqishme mes prindërve që e duan njëri-tjetrin. Dashuria mes prindërve reflekton edhe te fëmijët edhe te dashuria mes tyre. Fëmijët i duan prindërit që dashurohen mes tyre, sepse fëmijët, prindërit e tyre do t’i marrin si shembull për shumë kohë gjatë, edhe fëmijët do bëhen më të dashur nëse janë të rrethuar me dashuri. Kjo është mëse e natyrshme, dhe është komplet e kundërta e kësaj nëse prindërit nuk dashurohen mes tyre dhe fëmijët e vënë re këtë.

“E dua bashkëshortin tim më shumë se fëmijët”, është rrëfyer një shkrimtare amerikane për të treguar se vetëm kështu mund të ndërtohet një familje e shëndoshë. Sa jeni dakord me këtë?

Veprat e mëdha përbëhen nga copëza të veprave të vogla. I madh je kur respekton gjërat e vogla, sepse janë imtësitë dhe detajet e vogla ato që e përbëjnë jetën. Ndoshta në vitet e para të martesës i vëren më tepër gjërat e mëdha që bëhen nga partneri për të të bërë të lumtur, por me kalimin e kohës, fillon të respektosh ato të voglat. Për shembull: në fillim të jetës në çift, gëzohesh kur merr një dhuratë apo një buqetë me lule, sepse e pa gjithë dynjaja sa shumë më dashka, por me kalimin e kohës bashkë, fillon e i gëzohesh një komplimenti të vogël nuk të intereson më a e mori vesh dynjaja veprën madhore, mjafton ti të ndihesh mirë! Me kalimin e kohës gjithmonë e më shumë fillon e i vëren imtësitë.

Të bashkëndash superfuqitë shtëpiake, ideja e detyrave të shtëpisë, pazaret, arredimi, sistemi i shtëpisë etj. Kush është “supernjeriu” në familjen tuaj?

E në fund fare, për ta përmbyllur këtë intervistë, që ishte kënaqësi për mua, me plot kompetencë them që në këtë aspekt “supernjeriu” jam unë!

Botuar në Revista Psikologjia, nr.97

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top