Përtej Adriatikut, nyjet lidhëse nuk ishin më aq të forta. Ato zhbëheshin pavetëdijshëm. Midis ‘kush je’ dhe ‘kush jam’, ndjenja po merrte tjetër vlerë. Tej kufirit ndarja ishte e paqtë. E përfshirë emocionalisht në të, guximi për të pranuar shkëputjen nga ‘shpirti binjak’ ishte e vetmja gjë që duhet të bënte. Gazetarja e njohur e kulturës, sot, kritike dhe gjuhëmprehtë përmes show-t të saj ndaj përditshmërisë mediatike, rrëfen përvojën personale se edhe mund të mbetemi miq me ish-in. “Unë dua të flas për ta ndryshuar këtë dreq mentaliteti. E di që nuk do ia arrij, por të paktën do të hedh pikën time të ujit për të bërë oqeanin. Të them të vërtetën, nuk e kam konsideruar ndonjëherë një qëndrim të emancipuar të pranosh se një lidhje nuk funksionoi. Përkundrazi, personalisht vlerësoj të kalbur mentalitetin e vendit tonë, i cili duhet të mos çuditet edhe aq nëse një vajzë në moshën 31-vjeçare ka pasur në jetën e saj histori dashurie, e cila më pas ka përfunduar. Madje, do të shtoja se duhet të shqetësohemi për një vajzë e cila në moshën 31-vjeçare NUK ka pasur një histori për arsye edhe sepse jeta është e mbushur me eksperienca që na ndihmojnë të rritemi dhe formohemi çdo ditë. Mik me ish-in?! Kam vetëm një përgjigje për këtë, dhe është shumë relative. Çdo marrëdhënie ka veçantinë e vet, sepse çdo njeri ndryshon nga një tjetër. Edhe ne vetë ndryshojmë në bazë të personit me të cilin shoqërohemi. Na bën një njeri më të mirë apo më të keq, kjo është çështje tjetër pastaj. Nuk ka rëndësi nëse në rastin e asaj historie unë ruaj apo jo marrëdhënie. E rëndësishme është që unë besoj se ka raste kur mund të ruajmë raporte shumë të mira me ish-in, ashtu siç nuk përjashtoj ato raste kur vetëm njëri nga të dy vuan më shumë nga ndarja. Në këtë rast mendoj se koha është e vetmja shpëtimtare. Me kohën që shëron plagën, rikuperojmë edhe raportin me ish-in ose e fshijmë plotësisht nga qenësia jonë. Mendoj se në një histori të vërtetë dashurie nuk ka fajtorë, as të këqij e të mirë. Unë thjesht mendoj se njëri nga të dy largohet. Arsyet? Mund të jenë shumë, por në thelb është mungesa e ndjenjës së madhe e përjetuar në fillimet e lidhjes. Mendoj se nuk ka njeri që nuk ruan në rrugëtimin e tij zhgënjime, edukim të caktuar në fëmijëri apo trauma. Gjithsekush besoj se ka të tilla në jetën e tij dhe shyqyr që janë këto, sepse në thelb të gjitha përvojat e çojnë njeriun në atë që në fund quhet zgjedhja e partnerit të duhur. Për fat të keq, në shoqërinë shqiptare njerëzit nuk pranojnë me çiltërsi dhe sinqeritet gjëra personale të jetës së tyre. Kjo i shtyn ata të bëjnë zgjedhje të gabuara, apo të ndërtojnë raporte mbi një flluskë të bukur sapuni, e cila nga momenti në moment plas”.
Botuar në revistën psikologjia, nr.74
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.