Marrëdhënie

July 15, 2016 | 8:35

Cili është fajtori për marrëdhëniet e dështuara?

U ndamë në dy kampe, një i femrave të pavarura dhe të forta, tjetri i burrave nga ata me “rr” të fortë, dhe nga këto pozicione kemi ngritur akuza kundër njëri-tjetrit për sa i përket dështimit në marrëdhëniet tona, të mbrojtura sigurisht nga një ego e fortë. Por në këtë monolog të egos dhe vuajtjes, a ka mundësi të kemi harruar diçka?

Në një kërkim të shpejtë në internet për sa i përket tipologjisë mashkullore ndaj së cilës është mirë të mbash distancë, të dalin para syve qindra faqe me botime dedikuar femrave. Këtu mund të gjesh tipologjinë e gënjeshtarit sentimental, e feministit pa shërim, e përfituesit ose e burrit-fëmijë etj. Në anën tjetër, në sitet dedikuar meshkujve, përfaqësuesit e seksit të fortë ofrojnë këshillat si të rrinë larg femrave të papërshtatshme. Sigurisht, mënyra e trajtimit është krejt e ndryshme, por thelbi është i njëjtë. Për të dyja gjinitë ekzistojnë të pafytyrët, të cilët janë gati të përfitojnë, të tradhtojnë, të gabojnë, të shkelin mbi zemrat plot dashuri të të tjerëve.

E vërtetë të jetë kështu?!

Psikologët pranojnë se nuk është e lehtë të mbash një marrëdhënie, sepse secili person vjen me pritshmëritë e tij, me një “bagazh” të caktuar nga e kaluara, e cila përkthehet në: trauma, eksperienca dashurie, edukim dhe fëmijëri. Nëse nisemi nga ideja se partneri mund të jetë trashaniku më i madh, kemi të gjitha mundësitë që nëpërmjet sjelljes sonë të përcaktojmë një dështim të marrëdhënies. Sipas parimit “nga çfarë ke frikë nuk shpëton”, psikoterapeutja Maryse Vaillant, autorja e librit “Si dashurojnë gratë”, na tërheq vëmendjen mbi perceptimin që kemi mbi veten dhe marrëdhënien. “Nëse të gjithë do të lënë mënjanë statusin e viktimës, do të heqin dorë nga ky rol i ëmbël-hidhur dhe do të pranojnë se janë përgjegjës për dështimet e veta, por pa u fajë- suar, ndoshta tërheqja ndaj vuajtjes do të ulet”, thotë Maryse. Si përfundim, për të zhvilluar një marrëdhënie të shëndoshë, duhet të jemi ne vetë të shëndetshëm, t’i ofrojmë vetes atë që kemi nevojë, materiale dhe shpirtërore, para se të hyjmë në një marrëdhënie. Atëherë pretendimet tona të projektuara mbi partnerin nuk do të jenë një rëndesë për të dhe një arsye frustrimi për ne. Dhe nëse duam me të vërtetë një marrëdhënie dashurie, duhet të tregojmë dinjitet për të. Dashuria është një ndjenjë kaq e lartë, e cila gjen vend vetëm në shpirtrat e pastër, kurajozë dhe të hapur. Kështu që, përpara se të jemi gra e burra, duhet të jemi njerëz. Dhe njerëzit nuk kanë nevojë në dashuri për shigjetat me helm.

Të jemi vetëm miq!

A mund të ekzistojë një miqësi e vërtetë, e pastër, midis një femre dhe një mashkulli, pa futur djalli bishtin e tij erotik dhe të kthehet diçka me kokë poshtë? – pyet psikologia Adina Rosetti. Përgjigjja nuk është aspak e lehtë!

Miqësia me ish-in

Ndoshta një nga marrëdhëniet më të diskutuara, por edhe forma më e përhapur e miqësisë midis gjinisë, miqësia me ish-in (bashkëshort/të dashur)është një koktej mjaft i komplikuar në përbërjen e të cilit hyjnë komponentë nga më të ndryshmit. Përzihet një pikë nostalgjie, disa probleme të pazgjidhura, një gram tërheqje fizike (kujdes, rrezik shpërthimi!), dëshira të fshehura pajtimi, kujtime vështirë për t’i harruar, pëlqime të përbashkëta dhe, në raste të rralla, plane të fshehura hakmarrjeje. Pa dyshim, është shumë e rëndësishme arsyeja e ndarjes, sepse midis “ne e kuptuam se nuk ndjejmë më shumë për njëri-tjetrin, kështu që kemi vendosur të ndahemi” dhe “më ka lënë për mikun/mikesha tim/ time më të mirë” është si një diferencë mes njërit që me kamerdare noton në një pishinë dhe një tjetri që mbytet në një det të trazuar, sepse dallgët i ‘gëlltitën’ edhe varkën e shpëtimit. Nëse në rastin e parë miqësia me ish-in mund të funksionojë falë mungesës së tërheqjes fizike, më lini të dyshoj për rastin e dytë që është e mundur mbajtja e një miqësie e panjollosur nga ideale apo objektiva të ndryshëm. Alma, një vajzë 25-vjeçare, sapo ka ri-lidhur një marrëdhënie miqësie me ish-in e saj, me të cilin u nda tri vite më parë sepse ai e tradhtonte me një kolege. Tani takohen herë pas here për një kafe, flasin për jetën e tyre, ikin bashkë në evente të organizuara nga miqtë e përbashkët. Në shikim të parë, ata janë si dy ish të dashur të transformuar në miq, por sa herë kthehet nga këto takime “shoqërore” Alma fillon të qajë dhe të fantazojë një pajtim të mundshëm, një shenjë e cila tregon se gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Vite me parë, Ermela, 30 vjeçe, ka ri-takuar falë një siti shoqëror dashurinë e saj të parë nga koha e gjimnazit dhe kanë filluar t’i shkruajnë menjëherë njëri-tjetrit, derisa pas disa muajsh kur kanë treguar për jetën e tyre diçka që mund të dihet. Janë bërë miq për kokë. Pas dy vitesh, ai ka hyrë në një marrëdhënie dhe që atëherë s’ka dhënë më asnjë shenjë ”miqësie”, duke e lënë Ermelën të gjejë përgjigjen e pyetjes: ”Çfarë ka qenë vallë…?!” Ka qenë një “miqësi” e vërtetë apo një përpjekje naive, e ndrojtur dhe pa sukses për të ri-ndërtuar një histori të vjetër, e cila u zhduk në momentin kur ka hyrë një tjetër? Ajo ende s’ka gjetur përgjigje. Sido që të jetë, miqësia me ish-in është një marrëdhënie në buzë gremine, e cila zvarritet në mënyrë të rrezikshme midis dy ekstremeve dhe mund të mbarojë pa asnjë lajmërim paraprak. Në shikim të parë nuk është aspak i keq: në vend të hidhesh si e verbër në një marrëdhënie me një njeri të papërshtatshëm, të paktën ke kohë ta njohësh më mirë si shok, t’i kuptosh kërkesat, të dish nëse ka shanse të emocionoheni nga të njëjtat gjëra. Nëse mbi këto shtohet, pas disa kohësh, edhe një përbërës dashurie, aq më mirë! Megjithatë, asgjë nuk garanton se një dashuri e lindur mbi bazat e një miqësie të konsoliduar ka shanse të mbijetojë më shumë se një që lind në mënyrë spontane. Është rasti i Aleksandrës, 27 vjeçe, e cila sapo ka dalë nga një lidhje me shokun e saj të ngushtë të fëmijërisë. Njihen prej 7 vitesh, dhe nga mosha 17 vjeçe janë zyrtarizuar si çift. Kjo lidhje ka rezistuar më shumë se dhjetë vite, deri kur papritur gjithçka përfundoi. “Është akoma më e dhimbshme sepse nuk humbet vetëm një të dashur, por edhe mikun më të ngushtë, njeriun me të cilin je rritur dhe je formuar!” Do të thotë se kishin të drejtë Sally dhe Harry kur mundoheshin të mbanin larg marrëdhënies së tyre seksin, për të ruajtur miqësinë.

Miqësia me …të ardhmen

“E di që ti më shikon si një shok, por, në fakt, unë ndjej një tërheqje të fortë ndaj teje!” Ky është një nga pohimet që i kemi dëgjuar shpesh dhe pikërisht në momentin kur mendon se mund të jesh vetëm mikeshë me një mashkull, i cili nuk do të të ngacmonte për më tej. Dhe këtu arritëm tek thelbi i problemit: a mund të ekzistojë një miqësi e padjallëzuar midis një femre dhe një mashkulli pa pasur frikë se diçka mund ta shkatërrojë? Përgjigjja është: varet nga mosha! Psikologët mendojnë se të paktën në disa periudha të jetës, kur niveli i hormoneve është i lartë dhe instinkti riprodhues i theksuar, është mjaft e vështirë të mos jetë i pranishëm një element erotik, sado i vogël, i cili jo domosdoshmërish duhet të konkretizohet. Në rastin e miqësisë midis një burri dhe një gruaje, nëse dëshirohet mbajtja e një mjedisi pa asnjë manifestim erotik, erotizmi i lindur i një qenie njerëzore të shëndetshme dhe në harmoni me veten, mund të ri-drejtohet tek një praktikë shpirtërore/fizike, në kreativitet etj. Lajmi i mirë është se, me kalimin e viteve, qetësimin e hormoneve, rritet edhe mundësia për të pasur një marrëdhënie miqësie pa “përzierje” të tjera. Ke parë sigurisht “When Harry Met Sally”, filmi ku personazhet të interpretuara nga Billy Cristal dhe Meg Ryan bëjnë pingpong plot humor me të dyja paraqitjet: miq dhe të dashur. Pa dyshim, duke qenë një komedi romantike, marka Hollywood, diçka përfundon më së miri dhe ata mbeten bashkë. Nuk ndodh gjithmonë kështu në jetën reale, por është e vërtetë se, shpeshherë, miqësia midis një femre dhe një mashkulli është thjesht një prelud për një marrëdhënie dashurie.

Avantazhet e një miku …gay

S’ka kuptim ta fshehim më, nga Karry Bradshow këtej, për këtë ëndërrojmë të gjitha! Shoku gay përfaqëson fantazmën e partnerit të gatshëm çdo herë të dalë me ty për shopping, të dridhet përpara një palë këpucësh tendencë dhe të emocionohet duke parë një film europian për Artën, i cili është në gjendje të kuptojë me aftësinë e psikologut problemet e tua emocionale dhe është i interesuar për gjërat për të cilat burrat e tjerë, shumë të preokupuar për të shfaqur burrërinë e tyre, i konsiderojnë… hëm… gay (kategori e cila përfshin me sukses ushqimin bio, ekologjinë, kërcimin bashkëkohor, filozofinë feng-shui). Miqësia midis një femre dhe një gay, thonë psikologët, nis nga “nevoja për një tjetër ndryshe, por jo kaq e ndryshme sa të frikësohemi dhe të largohemi. Një person gay ka cilësinë e jashtëzakonshme të të kuptuarit më lehtë seksin e kundërt ose të paktën për të mos qenë i perceptuar ndryshe nga ne”. Për më tepër, me mikun tënd gay nuk ke pse të shqetësohesh, kufiri i miqësisë nuk do të tejkalohet në drejtim të territoreve erotike, ashtu siç ndodh zakonisht në marrëdhëniet femër-mashkull. Do të ndihesh e sigurt, nëse të merr në krahë kur je e mërzitur, nuk e bën me asnjë qëllim të fshehur. Dhe ky mund të jetë ndonjëherë një mendim ngushëllues dhe i rehatshëm.

Të martuar, por secili me dikë tjetër

Fakti që secili prej jush keni një partner stabël dhe një familje, mund të përfaqësojë një garanci se gjërat nuk do të dalin kurrë jashtë kontrollit dhe idealet e pastra të “vetëm miqësisë” nuk do të jenë të shkelura asnjëherë, pavarësisht se në një moment të caktuar ekziston tërheqja ndaj “frutit të ndaluar”. “Nuk është e thënë që duhet të jetë patjetër një tundim i tillë”, – mendon Daniela, e cila prej pak kohësh ka një miqësi me një burrë që ka njohur në punë. Të dy janë të martuar, kanë fëmijë, por thjesht kanë zbuluar se kanë shumë gjëra të përbashkëta, nga muzika deri te rritja dhe edukimi i fëmijëve. Kështu, flasin në telefon shumë, takohen gjatë pushimit të drekës dhe planifikojnë bashkë edhe pushimet. “Nuk ka asgjë më shumë midis nesh”, – shpjegon ajo me bindje, pavarësisht komenteve të dykuptimta që mund të qarkullojnë në rrethin e tyre shoqëror. “Në fund të fundit, nuk bëhet fjalë për miqësi midis një burri dhe një gruaje, por për atë që lind midis dy njerëzve”. Dhe miqësia është një nga gjërat që na e bën jetën më të bukur.

Miqësia ideale.

A ekziston në të vërtetë? Po, mos u dëshpëro, mund të ekzistojë një miqësi e sinqertë midis dy personave të seksit të kundërt. Janë disa sekrete për suksesin e një marrëdhënieje të tillë dhe psikologët i ndajnë me ne. “Çdo mik (shok) i përfshirë në një marrëdhënie të tillë duhet të ketë lidhjen e tij në çift, funksionale dhe të shëndetshme. Nëse shfaqet tërheqja seksuale, është e rëndësishme që të përfshirët ta pranojnë, të paktën për veten e tyre, ose përpara mikut/mikeshës. Është e rëndësishme të mos e mohojnë ekzistencën e saj, sepse atëherë mundet të kapen në befasi, (p.sh: nuk di pse e bëra këtë, nuk mund ta shpjegoj etj). Më pas, nëse kanë nevojë për mbështetje, ata mund të flasin me dikë të afërt ose pikërisht me personin në fjalë. Mos përjashtoni mundësinë për të marrë mendimin e një specialisti (këshilltar psikologjik, psikoterapeut), i cili mund të gjejë rrënjët e kësaj tërheqjeje dhe disa mundësi për t’i bërë ballë. Por deri atëherë, të keni një miqësi të këndshme!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top