Në fokus

January 15, 2016 | 10:44

Dëshmi/Eni Vasili: Për dashurinë që shemb një burrë

Orjona Tresa

Intervistoi:Orjona Tresa

Ajo është profili i qetësisë në mes të një konflikti, i autoritetit të një gruaje përballë pushtetit të politikës, i integritetit që fitohet vetëm larg kompromisit me profesionin. Një nga figurat femërore më të admiruara të tregut televiziv shqiptar, por njëkohësisht edhe më e rezervuara, gazetarja Eni Vasili vjen në këtë intervistë për revistën “Psikologjia” si kurrë më parë, me profilin e saj personal larg prozhektorëve të studiove televizive.

Hijeshi përballë agresivitetit të politikës, dëshira për intimitet përballë histerisë për ndërtimin e një fame vetëm me formë e pa përmbajtje, beteja për audiencën por edhe brishtësitë, dëshirat, ëndrrat dhe dashurinë e një vajze të rritur brenda profesionit.

Përshëndetje Eni. Jeni një personazh që nuk e ndeshim shpesh nëpër media të shkruara dhe jo vetëm, e bëni për të ruajtur imazhin tuaj apo ka të tjerë faktorë?

Unë mendoj që ka një kontradiktë brenda meje, mes dëshirës për t’u marrë me televizion dhe vullnetit për të qenë larg protagonizmit personal. Kam besuar gjithmonë se shërbimi më i mirë që do t’i bëja publikut është përkushtimi ndaj lajmit, ngjarjes, së vërtetës që marr përsipër të tregoj. Jam përpjekur të bëj më të mirën time për të qenë e paanshme, e pakorruptueshme nga interesat që shërbehen nëpër servise të kushtueshme, por që koston e tyre e paguan me besueshmërinë përballë publikut. Ky objektiv nuk më ka lënë mundësi për protagonizëm personal edhe pse nuk e mohoj si një njeri i stërvitur në “fabrikat” e komunikimit që PR dhe marketingu janë një nga çelësat e tregut të suksesit. Të qenit e rezervuar është pjesë e karakterit tim. E kam të vështirë të dal nga vetja.

Vini në kopertinën tonë shumë ndryshe nga si jemi mësuar t’ju shohim brenda kornizave të një emisioni politik, seriozitetit dhe ngurtësisë që detyron një format i tillë. Cila është Eni në të vërtetë?

Janë pjesë të së vërtetës sime. Jeta ime jashtë profesionit është si ajo e çdo vajze që i gëzohet ekzistencës së vet dhe dhuratave që fati i ka bërë me shumë bujari.

Kur është “armë” e juaja protagonizmi? E përqafoni idenë se në fakt duhet të bësh diçka për protagonizëm?

Ka një moment kur unë mendoj shumë për protagonizmin. Atëherë kur më duhet të vihem në funksion të një kauze tek e cila besoj. Protagonizmi në këtë rast është i kauzës nëpërmjet meje. Nuk ka përmbushje më të madhe sesa momenti kur publiku mirëpret një ide, një çështje, një ngjarje për të cilën unë investohem. Konfirmimi i publikut se kam zgjedhur kauzën e duhur dhe jam vënë nga ana e së drejtës është një shpërblim i pa çmim.

Cili është raporti juaj i të qenit emër publik me famën? I ke përzgjedhur gjërat me mençuri, eventet ku ke dashur të shfaqesh apo ato që ke krijuar dhe mbështetur?

Nuk di të them nëse i kam përzgjedhur me mençuri. Këtë mund ta thotë vetëm publiku. Mund të them që i kam përzgjedhur me zemër. Ndërkaq nuk kam realisht asnjë marrëdhënie me famën. Unë harroj shpesh që jam person publik dhe faktin që më njohin të gjithë. Për shembull, humori im varet shumë nga drita e ditës. Ditët pa diell me dërgojnë në mendime të trishta dhe ato janë momentet ku guxoj me lukun ekstravagant apo tutat sportive. Mund të më gjesh shpesh në rrugët e qytetit duke shëtitur kështu. Mikeshat e mia thonë që kjo nuk është një gjë e mirë për një person publik por kjo jam unë.

Po në profesion? Kam parasysh faktin që në mjediset tuaja, rivaliteti shkon në ekstrem pikërisht ngase pretendohet maja. E njihni veten si femër të fortë?

E vërteta është që unë do të isha një version i keq i vetes pa konkurrencën dhe rivalitetin e lëmit tonë, që më tërheq çdo ditë drejt përmirësimit dhe përsosjes. E kam fjalën për atë konkurrencën e shëndetshme mes kolegësh ku gara ka shijen e kreativitetit. Por konkurrencën më të madhe ndjej ta kem me veten. Jam një njeri që nuk kënaqet thjesht dhe të qenit e fortë për mua përkthehet në të qenit këmbëngulëse në idetë e mia.

Cila jeni ju në raport me karrierën dhe familjen? Çfarë roli luan familja, dhe sa mbështetje keni gjetur tek ata në momente të ndryshme?

Marrëdhënia ime me televizionin ka nisur në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Pak ditë pas emërimit tim në departamentin e informacionit, sipas procedurave të atëhershme mora edhe kartën që më identifikonte si punonjëse të këtij televizioni. Ishte hera e parë që nën emrin tim shkruhej gazetare. E ruaj këtë kartë si një nga kujtimet më të shtrenjta dhe këtë moment, si fillimin e një rrugëtimi të gjatë, me shumë vështirësi, me zgjedhje të drejta e të gabuara, por që nuk do ta ndërroja për asgjë. Unë kam zgjedhur të jem gazetare për pasion, dhe karrierën e kam konceptuar si të tillë, si fryt i një pasioni të madh. Prindërit e mi kanë qenë mbështetësit e mëdhenj të kësaj dashurie. Si dy artistë të vërtetë, ata patën mençurinë të kuptonin që duke më lënë të lirë të zgjidhja rrugën e pasionit për profesionin, më bënë dhuratën më të lumtur që dy njerëz mund t’i falin krijesës së tyre. Do t’ju jem mirënjohëse përjetë.

Shkurti është muaji i Shën Valentinit. E keni takuar ju njeriun e zemrës apo jeni ende në pritje të tij?

Disa muaj më parë, në shtëpinë e Helena dhe Ismail Kadare, së bashku me të ftuar të tjerë, ndërsa drekonim me gatimet e mrekullueshme të një zonje të rrallë si Helena, më bënë të njëjtën pyetje. Pas shpjegimeve të mia të stilit përvjedhës, Ismaili më thotë: “Ti çoç ke pritur nga dashuria? Në kokën tënde librat kanë ndërtuar për dashurinë ndoshta që në vogëli pritshmëri që nuk i takojnë realitetit”. Iu përgjigja se kjo ishte e keqja më e vogël. Më e madhja është që vazhdoj të besoj akoma njësoj.

Po si e përfytyroni ju dashurinë?

Të fuqishme sa të shembë një burrë. Kështu thotë poeti i dashurisë, Lasgushi:

Për dashurinë-o Zot,

Që shemb një burrë,

Që s’e pat ndjerë dot

Gruaja kurrë;

Që qesh e qan e zien,

E s’jep të qetë,

E zien e bren e shfren,

E s’vdes përjetë.

Jeni natyrë që pendoheni apo e shkuara ka vendin e saj dhe e ardhmja të vetën?

Pendohem për zgjedhjet e gabuara por nuk qaj mbi to. Përpiqem t’i korrigjoj. Janë dy ditë në vit për të cilat nuk mund të bëjmë asgjë. E djeshmja dhe e nesërmja. E vetmja gjë që dimë me saktësi është ku jemi sot. E tashmja është e vetmja pasuri.

Prej dhjetë vitesh keni emisionin tuaj “Studio e Hapur”. Cila janë vështirësitë brenda këtij profili, “të qenit i hapur”?

Gazetaria në Shqipëri është pjesë e kontekstit ku jetojmë e s’mund ta idealizojmë e as ta nëpërkëmbim. Është një botë plot me probleme ashtu si edhe vetë shoqëria shqiptare dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Të qenit “të hapur” është sa një përpjekje realiste po aq sa edhe një arritje utopike. Nuk ka vlera absolute në këtë gjë. Personalisht përpiqem me shumë vullnet të gjej ekuilibrin midis interesit publik, lirisë dhe censurës gjithfarësh.

Emisioni juaj “Studio e Hapur” në “News 24” ka shikueshmëri të lartë sipas treguesve që bëjnë matësit e konkurrencës mediatike. Si ju bën të ndiheni?

Arritja e audiencës së lartë nuk është një qëllim në vetvete, përkundrazi. Nëse do të kërkoja thjesht këtë të fundit, zgjidhja do ishte e lehtë. Elementët komerciale, debatet me formë e pa përmbajtje, temat pa peshë, por që masa i përtyp kollaj dhe pak vanitet do mjaftonte. Kërkesa ime është shumë larg kësaj. Interesi publik më së pari, temat e forta dhe personazhet e rrallë. Shpeshherë duke guxuar me këto elementë, kam rrezikuar edhe shikueshmërinë, por ky synim nuk ka tradhtuar mesazhin, çka është elementi më i rëndësishëm. Por kjo nuk mund të arrihet pa mbështetjen e televizionit ku unë jam, pa lirinë editoriale që më ofron, por edhe garancinë për çdo nismë të guximshme. Gjej rastin të falënderoj Drejtorin e Televizionit “News 24” Kasem Hysenbelli, për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë emisionit “Studio e Hapur” që nga dita e parë e transmetimit. Dhe mbi të gjitha, për faktin që ka motivuar stafin e emisionit “Studio e Hapur” për të kërkuar gjithmonë përtej të zakonshmes.

Me cilin nga personazhet e keni kapur kurbën më të lartë të shikueshmërisë?

Intervistat me personalitet më të larta politike si, Kryeministri Rama, Kreu i opozitës Basha, kreu i Parlamentit dhe LSI Meta, Ish-Kryeministri Berisha kanë gjithmonë një audiencë e garantuar. Por edhe debatet e aktualitetit janë të tilla. Me shikueshmëri të lartë së fundmi kanë rezultuar disa përballje, si ajo e Drejtorit të Policisë së kryeqytetit Çipa me gazetarët apo maratona kushtuar përmbytjeve ku emisioni qëndroi për gati dyfishin e kohës në transmetim, plot tri orë.

Një femër që përballet me kauza të forta dhe me ngarkesë gjithashtu. Rasti i Nazime Vishës apo i Elivar Golemit. Çfarë ju ka shtyrë drejt këtyre kauzave dhe si jeni ndjerë pas mesazhit tuaj të ndjerë dhe me ndikim në shoqëri?

Shpesh mendoj se ndërtueset me të zellshme të murit të lartë të maskilizmit në Shqipëri janë vetë femrat. Ekziston një lloj konkurrence e heshtur, një lloj gare zilish e smirash që i largon nga një solidaritet i domosdoshëm mes tyre që do të jua bënte botën më të mirë dhe jetën më të lehtë. E kam ndjerë këtë në karrierën time, e ndjej këtë në përditshmërinë e temave që trajtoj. Tek të dyja kauzat ku jam investuar, kam besuar thellësisht. Ashtu siç besoj edhe sot që Nazime Visha nuk u fal për faj të paragjykimit, maskilizmit dhe interesave të nëndheshme politike, ndërsa Elivar Golemi mbeti në mënyrë të turpshme në burg vetëm se ishte një femër pa përkrahje as politike dhe as financiare. Ky është realiteti ku jetojmë. Të dyja këto gra edhe pse në skaje të ndryshme të shoqërisë, njëra e mitur e dhunuar, e tjetra në majat e financës përjetuan një fat të përbashkët. Atë të femrës shqiptare përballë maskilizmit të një shoqërie që jo vetëm nuk fal, por mbi të gjitha nuk bën drejtësi.

Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga ekrani, dhe nëse po, cila do të ishte rruga që do të ndiqnit?

Unë nuk e kam menduar asnjëherë, por sigurisht do të vijë një kohë që skena do të jetë ndryshe nga ajo që njohim sot. Është në dialektikën e gjërave. Por është ende herët të flasim për këtë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr. 93

Fotogrtafia: Orsola Mema

Fotografia: Orsola Mema

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top