Në fokus

July 13, 2018 | 8:10

Përfitoni maksimumin çdo ditë, ja shprehjet që do ju bëjnë të reflektoni

Shprehja latine carpe diem fjalë për fjalë do të thotë “të nisësh ditën”, ose “të kapësh momentin”, domethënë, të mos e humbasësh, dhe as ta lësh të kalojë sikur të mos kishte rëndësi. Është një lloj rregulli që na fton për ta jetuar të tashmen me qetësi dhe plotësi, për të bërë maksimumin çdo ditë.

carpe-diem

Kjo shprehje u krijua nga poeti romak Orazio dhe me kalimin e kohës u bë gjithnjë e më shumë popullore. Kuptimi që ajo ka si frazë ka të bëjë me: të mos i shtysh gjërat, të mos jetosh në të kaluarën apo në të ardhmen, por të shfrytëzosh sa më shumë ditën.

Që nga kohët romake e deri në ditët e sotme, kjo shprehje ka ushtruar një ndikim të madh. Përveçse është përfshirë në vepra të panumërta letrare, ajo ruan gjithmonë ndjenjën e saj thelbësore, atë të të jetuarit të jetës në momentin aktual. Frymëzuar nga ky mesazh i thellë dhe i mençur, kemi zgjedhur shtatë frazat që na inkurajojnë të shfrytëzojmë sa më shumë ditët.

Shprehjet për të bërë maksimumin e çdo ditë:

Mos harroni të qeshni

Një nga frazat më të bukura për të përfituar më të mirën e çdo dite i përket të famshmit Charles Chaplin, i cili thekson rëndësinë e gëzimit. “Një ditë pa një buzëqeshje është një ditë e humbur”.

Edhe pse në shumicën e rasteve në rrethanat të vështira, nëse e kërkojmë, gjithmonë do të gjejmë një arsye për të buzëqeshur. E para është fakti i të ndjerit i gjallë, i frymëmarrjes së ajrit dhe i gëzimit të shiut apo rrezeve të diellit, por mbi të gjitha duke qenë të vetëdijshëm.

Gjithmonë shikoni anën pozitive

Ndonjëherë janë autorët anonimë që na kanë lënë shprehje të mrekullueshme, si në këtë rast: “Jepni çdo dite mundësinë që të bëheni më të mirët e jetës suaj”.

Është një pohim që na fton të vlerësojmë çdo ditë dhe ta bëjmë atë shprehjen më të mirë të jetës sonë. Sepse çdo ditë mund të jetë më e mira nëse ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë si të tillë.

Çdo ditë është unike

Walt Whitman ishte një nga poetët më të mëdhenj të historisë. Pak prej tyre kanë shkruar si ai për alegrinë dhe gëzimin e jetës. Jo çuditërisht, ai shkroi poemën e quajtur “Carpe Diem” dhe jeta e tij ishte një ekzaltim për ekzistencën.

Një nga frazat e Walt Whitman që na fton të përfitojmë në maksimum çdo ditë është: “Mos lejoni që dita të përfundojë pa u rritur paksa, pa buzëqeshur shumë, pa ushqyer ëndrrat tuaja”. Ai kishte të drejtë, sepse pavarësisht nga rrethanat, çdo ditë mund të shkojmë pak më tej, mund të vazhdojmë të rritemi.

danzadeamor-1024x768

Mos shtyni asgjë

Qeniet njerëzore kanë tendencë të harrojnë se vdekja ekziston. Megjithëse është një e vërtetë absolute, që ne të gjithë do të vdesim, shpesh e harrojmë atë. Ne jetojmë sikur koha të ishte e përjetshme dhe sikur të ekzistonim përgjithmonë.

“Mos e bëni jetën tuaj një projekt, ndoshta nuk do të keni kurrë kohë për të bërë një kopje të mirë”. Kjo fjali na kujton se jeta përfundon, ndaj më pak plane dhe më shumë veprime.

E tashmja është ajo që është

E tashmja është një pikë në kohën në të cilën është kondensuar e kaluara, ajo nga e cila kemi ardhur, dhe e ardhmja që ne po ndërtojmë. Është momenti më i vërtetë dhe duhet të bëjmë shumë përpjekje për të.

Kjo është ajo që na kujton Albert Camus duke thënë:  “Bujaria e vërtetë drejt së ardhmes konsiston në dhënien e gjithçkaje për momentin”. Kjo do të thotë se ajo që do të vijë do të varet tërësisht nga ajo që ne bëjmë sot.

Rreziku më i madh

Kjo frazë që na nxit të bëjmë maksimumin çdo ditë, është shkruar nga Mark Zuckerberg, gjeniu i teknologjisë. Ai thotë: “Rreziku më i madh është të mos nxitosh. Në një botë që ndryshon kaq shpejt, strategjia e vetme që garanton falimentimin është të mos vraposh drejt rreziqeve”.

Zuckerberg na nxit ta marrim jetën më intensivisht, duke tejkaluar frikërat tona. Asgjë nuk është e garantuar, por nëse e shmangim rrezikun me çdo kusht, përfundojmë duke e privuar veten nga jeta.

Koha mbaron

“Nëse jetoni çdo ditë sikur të ishte e fundit, një nga këto ditë do të keni të drejtë”. Kjo shprehje i takon një gjeniu tjetër teknologjik, Steve Jobs.

Ashtu siç nuk mund ta dimë nëse sot do të jetë dita më e mirë e jetës sonë, as nuk e dimë nëse do të jetë e fundit. Edhe një herë, insistojmë në idenë se jeta përfundon dhe, për këtë arsye, çdo ditë duhet të kuptohet sikur të ishte vetë jeta.

Këto citate na kujtojnë se sa e rëndësishme është të bëjmë maksimumin çdo ditë, që shtyrja, pritja për kushte më të mira ose humbja e kohës në gjëra të padobishme nuk janë opsione të vlefshme. Përfitoni nga çdo ditë, sepse jeta nuk zgjat përgjithmonë.

Përgatiti Orjona TRESA

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top