Marrëdhënie

February 8, 2016 | 8:29

Dëshmi/Era dhe Eduard Shalsi: Arkitektura e Dashurisë sonë

2Dr.(proc). Ark. Eranda Lici,

Pedagoge, Fakulteti Arkitekturës dhe Inxhinierive

Albanian University

 

 

 

Era Shalsi në një rrëfim ekskluziv për veten, familjen e re dhe pritjen e mrekullueshme të fëmijës së parë.

Midis qenies së brishtë femërore, rolit si bashkëshorte e Eduard Shalsit dhe botëkuptimit emancipues në shoqërinë shqiptare…

…Më kish ngacmuar të dija më shumë rreth lidhjes së tyre. Ndoshta për shkak të profesionit, statusi: gazetare. E pra, ai deputet i krahut të majtë politik, agresiv në foltore, fort i lakuar në media, ndërsa për atë thuajse nuk dihej gjë. Ishim në vitin 2012, mes maji. Vetëm dy zile përmes telefonit portativ dhe pa rënë e treta më përgjigjet një zë i qetë, korrekt, madje krejt i afërt njëkohësisht. Komunikimi i parë më shtoi kureshtjen por gjithsesi më krijoi shansin e një takimi “kokë më kokë” me femrën “misterioze”. Një prezantim formal dhe kafeja pranë vendit të punës së saj më dha mundësinë të konturoja përshtypjen e parë. Zbulova kush ishte vajza e re. Një zonjushe e çlirët, pa kurrfarë tabush, e për më tepër bijë e një aktori që unë e kisha shumë për zemër. Era Lici, siç m’u prezantua para se të lidhte kurorë me Eduard Shalsin, më rrëfeu shumëçka për jetën e saj. Vajzë nga Fieri, e rritur në skenën e teatrit të qytetit, që donte aq shumë arkitekturën, njohjen e veçantë me Edin dhe të kaluarën e tij prej së cilës ka fituar dhe një mik të ri; Patrikun, djalin adoleshent që deputeti socialist e kishte nga një martesë, i divorcuar prej vitesh. Dhe kaq me takimin e parë…

…Takimi i dytë kishte veçantinë e vet. E ngasur dhe nga pritja e dashur e bebes, i shpreh Erës dëshirën për të qenë pjesë e modelit të saj femëror edhe në revistën tonë. “Psikologjia” mund të shërbejë në këtë rast edhe për ata individë që kërkojnë përgjigje me letrat e tyre. Pa drojë, e shpenguar e me një perceptim për t’u pasur zili, Era vjen e plotë në këtë rrëfim ekskluziv, duke zbuluar ndjesi dhe emocione njerëzore që vazhdojnë të kenë vlerë, gjithsesi.

Një fillim viti që ju gjen me status ndryshe. Jo vetëm bashkëshorte, por edhe nënë në pritje. Si është kjo ndjesi?

Ndjesia e veçantë e të qenit bashkëshorte u kapërcye nga një ndjesi e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme: ajo e rritjes se një krijese brenda meje, të cilën po e përjetoj si një ëndërr. Zgjohem duke përkëdhelur barkun dhe bie të fle duke i kënduar, duke menduar gjatë gjithë ditës për të. Më ka bërë të ndryshoj zakone dhe mënyrën e jetesës, e natyrisht duke nxjerrë krejtësisht jashtë përdorimit gardërobën të cilën e kisha përgatitur me shumë kujdes. Shmang lokalet ku pihet cigare, kontrolloj me rigorozitet cilësinë e ushqimit, eliminoj sforcimet fizike dhe lexoj tashmë çdo gjë që ka lidhje me dhe për një shtatzëni të mbarë.

Viti 2013 mbart një numër supersticioz. Jeni e tillë, i besoni?

Po të merrni në konsideratë se unë kam lindur pikërisht në datën 13-të, atëherë do ta kuptoni se nuk kam arsye për të qenë supersticioze, përkundrazi.

FAMILJA E RE

Si u njohët me Edin dhe si arritët deri në vendosjen e unazave?

Konkurset e arkitekturës që Bashkia e Tiranës organizonte, ishin një eksperiencë e vyer për ne studentët e arkitekturës. E pikërisht, në një nga ato, konkursin për projektin e qendrës së Tiranës, u ndesha fillimisht me shikimin këmbëngulës të Edit e më pas me një bisedë të shkurtër por të këndshme me të. Në një tjetër konkurs, atë të rikualifikimit të një zone të Tiranës, më tërhoqi mënyra pasionante e të komunikuarit të tij dhe gatishmëria për të më dhënë një CD të cilën unë ia kërkova në lidhje me projektet e paraqitura. Ishte dashuri me shikim të parë, ndërkohë që CD-ja u bë sebepi i një serie takimesh me Edin, në fund të të cilave me ose pa dashje ai gjithmonë “harronte” të ma dorëzonte. Bisedonim gjatë dhe orët kalonin pa e kuptuar. Shpesh na krijohej përshtypja sikur e njihnim mirë njëri–tjetrin. CD-në jo vetëm që nuk e mora por druaj se Edi nuk e kishte marrë asnjëherë me vete. Kjo ishte arsyeja për takimin e radhës… Më duhet t’ju rrëfej që edhe sot e kësaj dite ende nuk e kam marrë atë CD dhe sigurisht që rreshta së kërkuari pasi kisha gjetur dashurinë e jetës sime.

Me sa di, keni diferencë në moshë. Si e gjykuat këtë detaj në fillim të lidhjes? A keni pasur në nënvetëdije një model për bashkëshortin e jetës?

Për hir të së vërtetës as që e kisha menduar moshën e Edit. Si tip sportiv dhe energjik, ai më linte përshtypjen e një bashkëmoshatari. U çudita kur më tha moshën por tashmë gjendeshim aq mirë me njëri–tjetrin sa asnjë detaj tjetër nuk kishte më rëndësi. Bisedat tona të gjata vërtiteshin rreth temave që të dyve dukej se na interesonin, librave, muzikës, shoqërisë, familjeve tona etj. Në mendjen time kisha pikturuar një model mashkulli të paraqitshëm, të ëmbël, të respektueshëm, të ndershëm, cilësi të cilat Edi dukej se i mishëronte. Kërkues ndaj vetes dhe tejet aktiv, unë vija re edhe kontrastin midis ashpërsisë së paraqitjes së tij mediatike në mbrojtje të çështjeve që besonte dhe butësisë në marrëdhënie me mua. Katër vite më pas jam e lumtur me zgjedhjen që kam bërë, pasi përveçse bashkëshort është edhe shoku im më i mirë, me të cilin më pëlqen të konsultohem për shumë gjëra. Sot ai është një burim mirëkuptimi dhe inkurajimi për jetën time personale e profesionale dhe më fal qetësi shpirtërore.

Studime të ndryshme thonë se një femër pranë një mashkulli disa vite më të madh se vetja është në kërkim të “figurës atërore”.E shprehur kjo si një nevojë e pavetëdijshme. A jeni dakord me këtë pohim?

Është e vërtetë. Në paralelizmin që bëj, ka virtyte të cilat i kam admiruar tek im atë dhe i kam gjetur tek Edi, ashtu sikundër edhe ndonjë ves e konsideroj të ngjashëm tek të dy.

Duke qenë partneri më i madh, mendoni se ndiheni më e përkëdhelur dhe më e mbrojtur?

Nuk e kisha menduar më parë por tashmë që ka ndodhur e konsideroj veten të privilegjuar që kam në krah një njeri që ka kaluar nëpër eksperienca të larmishme në jetë dhe të cilat e kanë rritur dhe bërë një njeri të fortë dhe dinjitoz. Ndjehem e qetë, e sigurt dhe më e maturuar. Ndoshta për shkak të natyrës sime romantike, vazhdoj të pëlqej kur me përkëdheli më trajton si një vogëlushe.

E përshkruani veten si femër të fortë?

Nuk mund ta them me siguri, për sa kohë jeta nuk më ka vënë në një sprovë të vështirë, por deri më sot i kam kaluar me sukses sfidat e jetës.

Si është jetesa nën një çati me njeriun e zemrës. Si ju duket vetja në rolin e zonjës së shtëpisë?

Duke qenë se i kalova të gjitha stadet e lidhjes, dashurinë, fejesën, bashkëjetesën dhe tashmë martesën, ndryshimet erdhën në mënyrë graduale dhe për asnjë çast nuk pata vështirësi. Përkushtimin ndaj familjes e bëj me shumë dashuri. Më duhet të mbaj një peshë më të madhe në punët e shtëpisë për shkak të impenjimeve të shumta të Edit, por nga ana tjetër besoj se familja është një institucion që qëndron falë dashurisë dhe investimit reciprok e të vazhdueshëm që partnerët bëjnë në të. Kujdesi, mbështetja, respekti, përgjegjshmëria, komunikimi adekuat i partnerëve, janë elementë pa të cilat një familje tradicionale ose jo, nuk mund të ekzistojë.

Profesionet e kundërta e bëjnë tërheqëse lidhjen?

Mendoj se nuk janë profesionet por, janë pasionet ato që përcaktojnë lidhjet.

SAKRIFICAT & PËRGJEGJËSITË

A besoni te dashuria e përjetshme?

Besoj dhe mendoj se një ndjenjë e pastër, e pakushtëzuar shoqëruar me një besim e respekt reciprok është e përjetshme.

Si do ta dëshironit familjen tuaj në të ardhmen, të madhe apo të vogël?

Do të më pëlqente një familje e madhe sepse unë i adhuroj fëmijët. Më pëlqen të qëndroj e të kujdesem për ta, por ndërkohë duhen peshuar mirë mundësitë, kushtet dhe ruajtja e ekuilibrave në jetë.

Tridhjetëvjeçaret lëkunden midis ambicies për karrierë dhe dëshirës për ngrohtësi. Psikologët thonë se është mosha e sigurisë, e ëndrrave por edhe moshës kur kërkohet një ekuilibër i ri. Sa pajtoheni ju me këtë?

Jam e qartë për gjërat që duhet të arrij në këto 10 vjet, qoftë në aspektin e familjes, qoftë në atë profesional, çka më jep siguri. Por në mënyrë që t’i bëj realitet, lus Zotin të më japë shëndet dhe vullnet.

Sa ju intereson protagonizmi? Cili është raporti juaj i të qenit emër publik me famën? Dashur pa dashur jeni bërë e njohur prej figurës së Eduardit.

Nuk i përkas asaj kategorie femrash që i pëlqen protagonizmi, përkundrazi. Kam pasionin tim për profesionin, arkitekturën, kam dëshirat e mia për ta jetuar jetën me intensitet dhe për ta pasur sa më të përmbushur. Por e kam të pamundur të shmang interesimin duke qenë se kam për bashkëshort një njeri publik, për më tepër politik. Natyrisht do të kujdesem fort që në mjedisin e ashpër politik shqiptar jeta politike e Edit të mos cenojë jetën tonë familjare, gjë për të cilën jam e ndërgjegjshme se nuk do të jetë e lehtë.

Sa e përfshirë jeni në jetën politike të partnerit?

Jo shumë. Madje mënyra se si bëhet politikë shpeshherë më trishton. Mundohem të jem gjakftohtë dhe e kujdesshme. E kam vështirë ta këshilloj Edin për çështje të ndryshme përveçse kur bëhet fjalë për etikë, vlera apo moral. Do të më pëlqente që për kauza të veçanta ta mbështesja fort, si p.sh në lidhje me mjedisin, planet rregulluese apo rolin e gruas në shoqëri.

Bebi…

Cilat janë momentet që po përjetoni?

Pa diskutim kjo është periudha më e bukur që po përjetojmë, çdo gjë tashmë rrotullohet rreth bebit. Tani që jam 6-muajsh, ai ka filluar të shkelmojë shumë dhe të gjithë rendin të prekin barkun për ta ndjerë, e unë me humor u them: Duhet të jetë shumë inteligjent sepse kur ju vendosni dorën ai nuk lëviz, do vetëm dorën e mamit. Kështu që tani më duket se është krijuar një lidhje shumë e ngushtë mes nesh, ndjej një dashuri të pazakontë për të voglin tim.

Kujt ia rrëfeve lajmin të parit dhe kush “ta përhapi” atë?

Prindërit tanë ishin të parët që e morën vesh, e unë nuk kam për ta harruar ekzaltimin e tyre. Ishin shumë të lumtur për mrekullinë që po vinte. Ndërsa për “ta përhapur” ishte po i njëjti person që bëri vite më parë publike lidhjen tonë, Anila Basha, me të cilën fola dhe iu rrëfeva gjatë kokteilit të dasmës në Hotel Rogner. Pas daljes së lajmit në gazetë ishin të shumtë miqtë që më telefononin e më uronin për lajmin e bukur.

Ekografia e parë, emocionet?

Eko-ja e parë ishte një njollë e zezë, e vogël, me të cilën u dashurova dhe ashtu e zhytur në delirin e kënaqësisë fillova të fantazoja kokën, trupin, gjymtyrët e bebushit. Akoma më të forta ishin emocionet kur të dy me Edin dëgjuam rrahjet e shpeshta të zemrës.

Mendimi i parë që të erdhi në kokë kur mësove se ishe në pritje të një krijese të re?

Të them të vërtetën nuk e prisja. Atë kohë isha duke u marrë me planifikimet e dasmës, por në ato çaste falënderova Zotin që na bekoi këtë dhuratë të çmuar, që dita-ditës po i jep jetës time një dimension të ri.

Po Eduardi, si e priti lajmin? Ky do të jetë fëmija i dytë për të.

Pavarësisht se është natyrë e fortë, nuk mundi t’i fshihte emocionet e të bërit sërish baba. Ai e dëshironte po aq shumë këtë fëmijë sa edhe unë.

Për Edin kishte preferencë një vajzë më mirë?

Preferenca për vajzë ishte e imja, madje aq shumë e besoja se do ishte e tillë saqë edhe dhomën e kisha lyer ngjyrë rozë që para se të mësoja se isha shtatzënë. Ndërkohë që Edi që në momentin e parë kishte ndjesinë dhe dëshirën që bebushi do të ishte djalë. Ditën që do të shihnim gjininë më rrëfeu: -Sapo u ndava nga disa miq të cilët më pyetën se ku do shkoja, e unë iu shpreha, po shkojmë me Erën t’i shohim gjininë… djalit!

Po për emrin keni menduar? Shumica e vajzave e krijojnë që herët një ide, madje fiksohen deri sa ligji i universit ia realizon?

Kisha bërë një kompromis me Edin që në fillim, nëse do ishte vajzë do t’ia vendosja unë emrin, nëse do të ishte djalë do t’ia vinte ai, natyrisht me pëlqimin e njëri–tjetrit. Kështu që emrin po e mendon babai, i cili na e ka lënë surprizë. Do të na e bëjë me dije në momentet e fundit.

Ke filluar të studiosh me themel për mënyrën sa më të shëndetshme të një shtatzënie e pse jo të rritjes së bebit?

Duke qenë se jetojmë në botën e internetit, informacioni që mund të marrim është i jashtëzakonshëm. Kërkoj, lexoj, shikoj video, abonohem në site të ndryshme, flas me mikesha që e kanë kaluar këtë eksperiencë e padyshim konsultohem rregullisht edhe me mjekun që po më ndjek. Që nga mënyra e shëndetshme e të ushqyerit e deri tek regjistrimi në kurset e lindjes që përfshijnë joga, ushtrime dhe të përgatisin për të qenë një nënë e përgjegjshme dhe shembullore. Ndërkohë së fundmi, në panairin e librit 80% të librave që bleva ishin me instruksione dhe këshilla për rritjen, ushqyerjen, larjen dhe kujdesin për foshnjat. Shkurt, po përpiqem të bëj e të jap maksimumin pasi e shoh si një përgjegjshmëri të madhe të qenit nënë.

Për dhomën e bebit ke nisur të bësh diçka?

Kjo pjesë më pëlqen shumë, pasi këtu intersektohen pasioni për arkitekturën e dizajnin dhe dashuria për të shtrenjtin, bebin tim. Kam filluar nga përgatitjet, e rileva dhomën me ngjyrën mente dhe të gjelbër e tani po merrem me mobiliet. Po i mendoj detajet në mënyrë të tillë që të krijoj një ambient të ngrohtë dhe të gëzueshëm si një oaz pranveror.

Sa e ndjen afër bashkëshortin në shtatzëni?

E shkëpus jo pa vështirësi nga impenjimet e tij të shumta dhe kam gjetur disa forma shumë interesante për ta zhytur thellësisht në botën time. P.sh, shohim së bashku videot tredimensionale mbi fazat e shtatzënisë dhe të zhvillimit të bebit, lexojmë këshillat për të porsalindurit. Dozat e përkujdesjes janë shtuar me kalimin e javëve dhe kjo më bën të ndihem mjaft mirë.

Duke qenë se Edi ka një djalë, Patrikun, si është raporti me të?

Marrëdhënia me Patrikun është shumë e mirë. Ai më sheh si një motër të madhe e unë e trajtoj si vëllanë e vogël. Ky afrimitet në bën që shpesh të kemi edhe sekretet tona. Duke qenë së unë kam një raport të mrekullueshëm me fëmijët, e përpiqem gjithmonë të hyj në botën e tyre, ai më kërkon shpesh ta ndihmoj me mësimet, ose t’i flas për kuriozitetet shkencore apo për përmbajtjet e librave.

MODELI I FAMILJES-PRINDËRIT

Cila është marrëdhënia me prindërit? Ç’keni përftuar nga modeli i tyre?

Marrëdhënia me ta ka qenë e vazhdon të jetë shumë e ngushtë. Edhe pse kam krijuar familjen time, ata janë një pjesë e pandashme e imja, që më shoqërojnë kudo e kujdesen ende për mua sikur të isha një vogëlushe. 28 vitet e martesës së lumtur të tyre më kanë mësuar se virtytet si besnikëria dhe respekti e mbajnë dashurinë solide dhe të sinqertë deri në përjetësi. Ndërkohë që përkushtimi i pazakontë që ime më ka pasur për mua dhe tim vëlla më kanë njehsuar modelin më të mirë se si unë duhet të përkujdesem për të voglin tim.

Cilit i ngjani më shumë?

Do t’i referohesha shumë një thënieje të tim ati që shpesh me mburrje e humor, ua thoshte miqve të tij. “Era vërtetë pamjen e ka si e ëma, po nga truri i ngjan babait”.

Nisur nga kjo bërthamë e fortë sa ju ka “fortësuar” dhe juve si natyrë?

Karakteri dhe personaliteti i fëmijës është pasqyrë e prindërve të tij/saj dhe ka qenë familja ime e dashur dhe e shtrenjtë që më edukoi dhe brumosi me idenë se familja është e shenjtë.

Kur të jesh në të njëjtat kushte cilit do të dëshiroje t’i ngjaje më shumë për nga roli?

Nënës për rolin edukativ dhe babait për karakterin.

Babai juaj është aktor. Di që lidhja juaj është e ngushtë. Sa ju ka mbështetur në formimin tuaj?

Baballarët përgjithësisht janë shumë të dhënë pas vajzave dhe nga ky rregull nuk bën përjashtim as rasti im. Ai ka ditur të jetë autoritar dhe liberal kur duhej. Më ka mësuar të jem e fortë dhe të luftoj për realizimin e ëndrrave. Asnjëherë nuk mi ka imponuar zgjedhjet që më është dashur të bëj në jetë, por përkundrazi, mi ka mbështetur ato, pasi ka pasur besim në pjekurinë dhe zgjuarsinë time, gjë për të cilën i jam tej mase mirënjohëse.

Po me vëllanë, cilat janë sekretet tuaja. Është ai tradicionali që mbikëqyr motrën në vendimet e saj apo mirëkuptoheni?

Redi pavarësisht se është rritur, do të jetë gjithmonë vëllaçkoja im i vogël, për të cilin unë përkujdesesha shumë. Mirëkuptimi, dashuria dhe dhembshuria që ne kemi për njëri–tjetrin, na ka bërë që mos ta ndiejmë largësinë këto vite që ai është me studime në Venecia. Shumë i lumtur që do të bëhet dajë. Ka filluar që tani t’i blejë bebushit dhurata.

KARRIERA

Profesioni juaj është arkitekte, njëkohësisht dhe pedagoge. Si ka qenë për ju investimi në këtë fushë?

E kam shumë të vështirë të mendoj për ndonjë profesion tjetër që mund të kisha bërë në jetë përveçse të isha arkitekte. Pasioni, përkushtimi, më bënin që ditë të tëra pa gjumë, orë të tëra mbi kompjuter, në vend të jepnin lodhje më falnin kënaqësi. Rezultatet e suksesshme në universitet pasuan me përfundimin e masterit dhe tashmë i kanë lënë vendin doktoraturës në Piza të Italisë. Mësimdhënia e shoqëruar me realizimin e projekteve janë tashmë kënaqësia e punës time. E ndërgjegjshme që jam ende në fillim të rrugës time të cilën do të vazhdoj ta ndjek me të njëjtin kujdes e këmbëngulje që e kam nisur.

Duke qenë një femër e hirshme, si kanë qëndruar tek ju bukuria dhe karriera? Ekuilibër apo sfidë e cila duhet fituar çdo ditë?

Në harmoni të plotë deri më tani falë punës e sakrificave. Por gjithashtu jam e vetëdijshme se për të ruajtur një ekuilibër të drejtë midis të dyjave, investimi duhet të vazhdojë. Mendja duhet ushqyer dhe stërvitur me lexime, meditime e projekte ashtu sikundër edhe trupi duhet t’i nënshtrohet përkujdesjes së vazhdueshme. Këto janë sfida të përditshme që duhen fituar. Natyrisht që është më e vështirë të punosh se sa të pushosh, të arsimohesh se sa të argëtohesh, por kjo është e vetmja mënyrë për të pasur një jetë të suksesshme dhe të përmbushur.

Ndonjë plan në mendje në drejtim të karrierës?

Prej katër vitesh jam fokusuar në karrierën akademike. Puna në fakultet më pëlqen së tepërmi, më jep mundësinë të jem në kontakt me të rejat e fundit të teknologjisë, pranë librave dhe kërkimeve shkencore. Ndërkohë po investoj edhe në rritjen time profesionale siç ju thashë, me ndjekjen e doktoraturës.

PASIONET

Po sportet, sa vend zënë në jetën tuaj?

Më pëlqen të bëj palestër apo edhe vrap në natyrë. Me ndihmon për t’u ndjerë më mirë fizikisht por edhe shpirtërisht. Më jep energji dhe pozitivitet. Ju tregova për një kurs lindjeje dhe tashmë mezi po pres për ta filluar.

Nëse do të zgjidhnit midis teatrit dhe kinemasë, kë do të preferonit?

Absolutisht teatrin, kam nostalgji për të pasi jam rritur mes artistëve. Shpesh im atë, kur isha e vogël, më merrte me vete kur bëheshin provat para shfaqjeve dhe asokohe aktrimi për mua ishte një ëndërr, që mbeti në sirtar…

Botuar në revistën Psikologjia, nr 69

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top