Në fokus

March 27, 2016 | 11:19

Dëshmi/Erion Kristo: Energjia më ka dashur gjithmonë!

Sugjestionimi mendor në njëfarë mënyre është kanalizimi i energjive psikike në një drejtim të caktuar. Unë e kam përdorur shpesh këtë energji dhe më ka ecur. Më kujtohet një herë kur isha i ri dhe luanim tombola me miqtë. Ishte një çmim që unë doja ta fitoja. Dhe aq shumë e sugjestionova situatën, sa po përcaktoja numrat që dilnin nga sfera. Ishim rreth 30 veta dhe fitova unë. Të gjithë mbetën si të shastisur. Është një lloj karikimi energjetik, si bateria plot e celularit. Kam pasur dhe sugjestionime të tjera në jetën time. Disa herë ka qenë fati, disa herë ka qenë qëndrimi im psikik. Unë kam një fiksim në jetë, them “jam shumë i pasur”. Sepse paratë as më shtohen, as më mbarohen. Sa herë që kam nevojë për para, do të dalë diçka që do të më plotësojë. Duke qenë se jam një njeri që induktoj pozitivisht, edhe pse paraja nuk më ka qejf hiç (ngase ajo në fakt ka qejf njerëzit që s’ia dinë vlerën), prapë unë kam arritur gjërat që kam dëshiruar. Natyrisht, jam kufizuar në dëshirat e mia, duke menduar se jo të gjitha dëshirat janë të mira për njeriun. Por, gjithsesi, qëndrimi im ndaj portofolit ka ndikuar që ai të jetë plot, edhe pse shpesh bosh. Ka ndikuar këtu edhe fakti që unë dhuroj. Ka pasur raste kur të afërm të mi kanë qenë të sëmurë dhe unë nuk jam shqetësuar fare, por kam thënë që me të parën: nuk ke asgjë, je si kokrra e mollës. Dhe më ka dalë fjala. Një sugjestionim i bukur ka qenë kur u divorcova nga shteti dhe politika. Vendosa që të bëj gjëra që më pëlqejnë në jetë, e të mos jem një ingranazh në mekanizmin gllabërues të politikës. Unë mendova se dy fusha paraqisnin interes: pedagogjia dhe media. Ia arrita të dyjave, megjithëse më kanë penguar sa më s’ka. Katër herë ma humbën dosjen kur aplikova në Universitetin Publik. Edhe kur zbulova mungesën e shoqërisë civile në Shqipëri dhe mendova të bëja vetë atë që s’e bëjnë të tjerët, ishte i njëjti sugjestionim. Edhe për shumë e shumë gjëra të tjera. Shpesh forca ime mendore ka përcaktuar ngjarjet. Disa herë e kam thënë me saktësi qysh më përpara sesi do të shkojnë gjërat. Dhe ato kanë marrë atë rrjedhë. Nuk e kam përdorur sugjestionimin në situata të vështira, sepse unë situatat e vështira dua t’i vuaj si pjesë esenciale e jetës. Ndaj nuk e kam bindur veten se duhen anashkaluar. Thjesht i kam vuajtur. Kam pasur natyrisht idenë fikse se shpesh të gjithë të këqijtë e kësaj bote nuk kanë atë fuqi që do të donin të kishin. Kurse e mira, ka një fuqi të pabesueshme. Vetëbesimin e kam shumë të fuqishëm, deri në marrëzi. Po kjo më ka mbajtur. Nuk kam pasur ndonjëherë dyshime për veten. Unë kam një shprehje: “Po e ktheva kapelën mbrapsht, nuk kthehem më prapa”. Energjia më ka dashur gjithmonë dhe është përthyer sipas vullnetit tim. Ndoshta është besim, ndoshta është fat. Por, gjithsesi, është real.

Botuar në revistën Psikologjia, nr 104

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top