Marrëdhënie

February 6, 2016 | 6:50

Dëshmi/Gaqo Apostoli: Nuk jam i prirë të mbaj sekrete!

Gaqo Apostoli politikan

 Në perceptimin e tij, të thuash ndonjë sekret nuk është mëkat. Ama dhe të mbash shumë të tilla nuk është ndonjë gjë e pashmangshme. Përkundrazi, jeta me njerëzit, shoqëritë e ndryshme dhe të jetuarit në situata të gjithanshme të vendosin në realitete edhe për shkak të pozitës si individ. Për politikanin, Gaqo Apostoli sekretet që dikton jeta private dhe shenjtëria e saj, sado e përkohshme të jetë kjo pjesë, të detyrojnë të shmangesh nga sinqeriteti dhe të shtiresh, sadopak”. E megjithatë, ai nënvizon se nuk është i prirë të mbajë apo të mbrojë sekrete, një përpjekje për të qëndruar kurdoherë larg intrigave, poshtërsive dhe hajdutërive, të cilat siç thekson politikani Apostoli, “të bëjnë të përthyhesh dhe të deformohesh në karakter, ku çdo ditë për sekrete të tmerrshme që detyrohesh të fshehësh brenda vetes do të duhet t`i rrëfehesh Djallit dhe jo Zotit”.

Intervistoi: Orjona Tresa

Cila është marrëdhënia juaj me sekretin?

Intimiteti apo pjesa private, është e shenjtë, qiellore, ku çdo ditë njeriu i rrëfehet vetëm Zotit dhe, për ta zbuluar duhet të kërkosh në tërë yjësitë qiellore të pa zbuluara. Mosha, pozita e njeriut në shoqëri, pozicionimi publik janë faktorë që në raport me sekretin sjellin situata e ngjarje të veçanta sipas dimensionit të përfshirjes së njeriut, disa prej të cilave, për nga shkalla e madhe e gravitetit që ushtrojnë tek njeriu, kanë rëndësi vitale për tërë shoqërinë, e marrin rëndësi për fatin e njeriut, si në politikë edhe në rastin e dashurisë. Jam duke jetuar një dashuri të madhe që, edhe pse nuk përbën sekret për shumë njerëz të mi të afërt dhe të njohur të tjerë, përmes revistës tuaj unë po e zbres në Tokë për publikun e gjerë, Yllin e dashurisë sime…

Dhe cilët janë personat besnikë ku rrëfeheni?

Sipas rastit, Zonja ime, miqtë e mi më të ngushtë dhe në shumë raste vetvetja ose poezia, e cila botohet një ditë kur vjen koha, si edhe kënga, sa herë që më jepet rasti.

 Prirja për t’i nxjerrë ose jo sekretet është zgjedhje personale, apo kulturë e mësuar ?

Duke konsideruar se zotëroj një shkallë të lartë integriteti si njeri dhe person publik, vlerësoj se nuk jam i prirë të mbaj apo të mbroj sekrete. Kjo nuk ka të bëjë me zgjedhjen time, por me karakterin dhe kulturën që më kanë dhënë apo kam fituar. Edhe prindërit e mi kanë patur një mënyrë sjelljeje plot dritë para nesh, me dashuri e respekt ndërmjet tyre, pa u shtirur edhe ndonëse herë-herë me grindje të hapur e që në ndonjë rast përfundonte me disa fraza sekrete në gjuhën arumune, që ata e zotëronin, por që ne fëmijët nuk e mësuam dot asnjëherë. Kjo gjendje sinqeriteti e jetës mua më pëlqen, sepse dua ta jetoj jetën time mes njerëzve, natyrshëm, pa u shtirur, sepse sekretet që dikton jeta private dhe shenjtëria e saj, sado e përkohshme të jetë kjo pjesë e saj, të detyrojnë të shmangesh nga sinqeriteti dhe të shtiresh, sadopak. Kjo nuk ka të bëjë aspak me besnikërinë për të mbajtur fjalën që i kam dhënë dikujt për t`i mbajtur një të fshehtë të cilën ai ma ka besuar, sepse jam tepër koshient për atë që më besohet. Me këtë do të desha të them se do të ishte e tmerrshme për mua që të posedoja sekrete që do të duhet të ruheshin për një kohë të gjatë apo që do të duheshin të merreshin me vete edhe në varr. Jam munduar të qëndroj kurdoherë larg intrigave, larg poshtërsive dhe hajdutërive, të cilat të bëjnë të përthyhesh dhe të deformohesh në karakter, duke u futur në një jetë private të pushtuar nga ferri, ku çdo ditë për sekrete të tmerrshme që detyrohesh të fshehësh brenda vetes do të duhet t`i rrëfehesh Djallit dhe jo Zotit.

Cilat sekrete ruani me fanatizëm? Të përgjithshmet familjare apo ato në çift?

Duke mos qenë i prirë të ruaj sekrete, kurrsesi tek unë nuk ka vend për asnjë lloj fanatizmi të tillë. Ato që njerëzit përgjithësisht mundohen të mbrojnë më fort janë ato që lidhen me atë çka dëmton familjen dhe marrëdhënien e dashurisë si bërthama e saj. “Hesapet e familjes nuk dalin në Pazar” thotë një fjalë e urtë, në kuptimin se e keqja fillon dhe amplifikohet në mënyrë të pakontrolluar, dashuria fillon e përdhoset dhe familja merr tatëpjetën. Përsa i takon politikës, ruajtja e sekretit ka konsistuar vetëm në drejtimet e taktikave elektorale, në votimin në parlament etj., por edhe këtu, duke respektuar vendimet kolegjiale politike, shpesh vendimet e mia janë publikuar hapur duke dalë edhe jashtë kuadrit zyrtar politik, duke u shpallur në rolin e rebelit, rol i cili më ka pëlqyer tërë jetën, sepse e konsideroj mision dhe veten misionar në politikën për lirinë, për demokracinë, si edhe për e vërtetë, të cilat përbëjnë themelin e duhur për të ndërtuar një Paqe Universale në botën që jetojmë.

 Ju ka ndodhur që dikush t’ju ketë nxjerrë sekretet sheshit? Si keni reaguar?

Kur më duhet t`i them dikujt diçka nga jeta ime private nuk është se e kam detyruar të verë dorën mbi Bibël për t`u betuar se nuk do t`ja thotë njeriu tjetër. Kur sekreti del në shesh pa ndonjë dëm si pasojë e dekonspirimit, lihet në heshtje apo kalon me të qeshur, nëse ka pasoja reagimi rritet. Më shpesh kjo ka ndodhur me djalin tim, i cili kur, më tregon për arritjet e tij profesionale në kompaninë e tij më porosit që të mos flas andej këtej për këtë sukses, por unë, si prind i dhembshur dhe i malluar për të, në biseda me miq, filloj e hapem me vërtetësi. Për fat të keq qëllon ters që ai e merr vesh. Zemërohet, mban qëndrim për një kohë dhe pastaj fillojmë përsëri si zakonisht dhe historia përsëritet. Vlen të shtoj dhe rrezikun e madh të kërshërisë që kanë disa njerëz për të zbuluar sekretet e jetës private të njerëzve, madje edhe të atyre që i kanë shumë të afërt. Ky mos respektim i jetës private dhe, sidomos shpallja e kësaj jete, apo e sekretit që ajo përmban në publik, shkakton trazime dhe drama të mëdha në jetën e njeriut të cenuar, apo edhe tronditje të kësaj jete që përfshin tërë familjen edhe më gjerë.

Botuar në revistën Psikologjia, Janar 2012

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top