Gentian Zenelaj diplomuar në Akademinë e Arteve për aktrim. Ka realizuar një sërë rolesh në teatër dhe film. Aktualisht është protagonist në emisionet “Apartamenti 2XL” dhe “Sketch Show”. I martuar me Aidën, juriste. Kanë një djalë, Danielin 4-vjeç.
*Në fund të vitit që lamë pas Zenelaj është bërë baba për herë të dytë.
Sikur të mos ishin ato dhjetëra takime këmbëngulëse, të cilat shkonin deri në kapërcime prova fjalësh dhe rolesh skenikë, nuk do të ishte aty ku është sot. I bindur nga përvoja që përjetoi, absolute, kokëshkretë dhe plot emocione, ndjellazi e gjeti veten të dorëzuar pa kushte drejt dashurisë së jetës. Në të gjitha herët, rrëfen aktori i njohur Gentian Zenelaj, përballë zonjushës që kishte përballë, iu desh të zotëronte bashkëbisedimin, të përfshihej në prezantime spontane dhe jo vetëm, të krijonte situata ngacmuese, kërkuese dhe shpjeguese përballë imazhit që e kishte ‘goditur’ më shikim të parë. Ajo ishte Aida, partnerja që do ta shoqëronte në zgjedhjen ideale të jetës. Sot shënojnë plot 15 vite bashkë. E megjithatë, në kujtesë u vijnë të gjalla çastet që bënë të tronditen dy zemra prej fatit të dashurisë që ngjizi mes të dyve. Ai, Genti, i shprehte me gjeste dhe fraza, ndërsa ajo ishte e heshtur, gojëkyçur dhe e pazëshme në atë që perceptonte për personin që kishte para vetes. Rasti i gjeti si dy studentë në godina që shkëmbeheshin në zbritje të Qytezës, që njihet si streha e studentëve nga rrethet. Ai nga Lezha ndërsa ajo nga Saranda. Genti tregon: “Kur e pashë për herë të parë kisha shumë dëshirë të kishte një takim të dytë, të tretë, katërt…të njëmbëdhjetë. Si natyrë që tërhiqem pas detajeve të vogla, tek ajo më bënë shumë përshtypje sytë, më pëlqeu shikimi. Ndoshta qëllimi i saj ishte i tillë. Përdori anën me të cilën më goditi tamam në shenjë. Lëviza çdo gur që ta takoja edhe njëherë tjetër. E kisha parë në fillim teksa zbrisja para godinës së saj. Ajo ishte 16-ta ndërsa unë 23-i. Qëndronte në stolat e atij parku gjelbërues. U interesova mandej kush është ky person, kjo vajzë. Pastaj me kast një provim në Akademi, shfrytëzova rastin ta takoja, duke e ftuar. Mbaroi shfaqja e dalim të pimë një kafe, bashkë me një shokun tim që ishte interesuar për shoqen e saj. Ka qenë periudhë shumë e ftohtë. Aida ishte e kundërta e asaj që isha unë, që mbaja bisedën gjallë, shprehur me poezi, fraza filmash. Ajo ishte më e qetë. Edhe sot e kësaj dite është më racionale. Pimë kafen e parë dhe ju them se ishte një takim absolutisht i dështuar. Mandej vijuam me takime të tjera, në ato bar-et e zhurmshme te “Parku Rinia” në ’98, i cili deri atëherë nuk ishte kthyer në mrekullinë që është sot. Pastaj përgjithësisht në “Parkun e Kombëtar”. Më pëlqeu shumë natyra e saj. Më pëlqente ta eksploroja. Një ndjenjë për ta parë çfarë është ky njeri dhe a e fitoj dot apo jo? Djaloshar isha, adoleshent. S’kisha fare lidhje me atë që jam sot. Pas disa tentativave për kafe kuptova se edhe ajo ishte e interesuar për ta vazhduar këtë lidhje”. Në rastin e tij, vlera e asaj që do të vinte më pas duhej gërmuar mirë e mirë. Iu desh të provonte sjellje karakteresh nga ato me natyrë nervoze, te ato pa ide të qarta në kokë. Nuk ishte aspak e lehtë sipas tij t’ia fitoje zemrën Aidës. Këmbëngulës sistematik në përpjekjet për ta bërë për vete, edhe pse i ri, adoleshent ende, Genti arriti t’ia gjej fillin të dashurës. E ndërkaq të nxjerrë në pah cilësitë e mira në dyshen që do të krijohej me baza më tej. “Më ka studiuar ajo më tepër se sa unë atë. Isha tipiku i adoleshentit, më rrëmujë se ajo si natyrë. Vonë librat kanë rënë nga dollapi. Aida ishte më e qetë, e qartë. Në përgjithësi femra është e mistershme, ka një koracë që ia ka dhënë nëna natyrë. Thosha me vete: Ç’është ky njeri. Çfarë arsenali duhet të përdor unë. Pata një periudhë që tentova të isha tipi romantik. Nuk funksionoi. Një herë tipi aventurier. Sërish më ra poshtë. Tipi zhargon rruge. Asgjë. Unë isha aktor. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë nuk i krijoja bindjen e sigurt, derisa u skalit në më pak se një vit, ndodhi një puthje dhe një lidhje. Çastin që u solla ndryshe, pashë një kthesë nga ajo. Siç duket pati frikë. E kuptoi që karremi ishte gëlltitur e duhej të lëshonte nga pak. U lidh menjëherë një idil. Në fillime nuk kisha aspak një ndjenjë për lidhje serioze, ama ajo, ishte vajzë që vinte nga familje me traditë, ndaj dhe serioziteti i lidhjes duhet të ish i tillë”. Pas kaq vitesh bashkë, aktori i njohur, karakteristik në personazhet e ndryshëm që përjetëson me rolet e tij sa sarkastikë aq të vërtetë, rrëfen se ka ndryshuar shumë. “Kam shkuar unë te ajo. Aida ka ditur të gjejë pikat e mia të dobëta, ato ku acarohem, ku bëhem për vete, ku më qetësojnë. Më ka sjellë me këmbë në tokë”. Tashmë me Danielin, djalin e tyre katër vjeçar, investojnë paralel për profesionet dhe detyrimet familjare, për të cilat e gjejnë kohën e lirë dhe e shfrytëzojnë vetëm për njëri-tjetrin!
Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.