Marrëdhënie

June 26, 2016 | 9:00

Dëshmi/Monika Kryemadhi: Fëmijët janë bota jonë

Sapo kish dalë nga dyert e Universitetit të Tiranës. I gëzohej diplomës si “Biologe” e re dhe startit për të bërë karrierë. Brenda vetes bluante plot ëndrra dhe dëshira për të realizuar njëherësh. Paralel me këto zhvillime, ajo kish bërë vend dhe për dashurinë e saj. Ishin vitet e para të ndërrimit të regjimit. Bashkë me njeriun e zemrës, ata do të ishin gjithashtu pjesë e grupit rinor për ndryshim. Të gjendur para sfidave, lidhja e tyre do të forconte jo vetëm ndjenjat. Më shumë se kaq, principet dhe pritshmëritë e secilit do të vendoseshin në plane konkrete duke i dhënë një faqe të re Shqipërisë. E në kulmin e pozitave nga ku ndodheshin, një surprizë akoma më e madhe do t’ia përkundte planet. Një embrion i vogël rritej brenda vajzës. Me mëdyshje, emocionet iu desh t’ia përçonte partnerit. Ndoshta si nevojë për zgjidhje, ndoshta për një mosprani në ato çaste të një bebeje. Por Zoti, ndoshta fati, desh që ai fëmijë të vinte në jetë. Një ogur i mirë edhe për pasardhësit e tjerë të familjes Meta. Bora, Besari dhe Era janë tri fëmijët e Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës. Tri dhurata të çmuara në kohë që kanë bërë që jeta e prindërve të tyre të jetë më e bukur. Të përkufizosh ardhjen e tyre në jetë, për Monikën është një mrekulli. Nga ato që thellë sjellin ndryshim rrënjësor jo vetëm fizikisht, por në marrëdhënien e vetë çiftit, familjes. Bora, Besi dhe Era, më e vogla, janë vetë bota në sytë e prindërve të tyre. Çdo lot, mërzitje, arritje apo gëzim që ata kanë, rrit dhe forcon te Monika dhe Iliri ndjesinë se fëmijët janë arsyeja për të jetuar. Formula e tyre ka veçantinë e vet, që sipas Monikës, “nga dje një njeri pa përgjegjësi mbi kurriz, në çastin që bëhesh me fëmijë përgjegjësitë rriten dhe nuk ka më lidhje me veten tënde po me diçka më të shtrenjtë për ty, ajo që ti ke në jetë”. Në rrëfimin e saj, nëna e tri fëmijëve, gruaja dhe politikania me bindje pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim, thekson se fëmija përfaqëson botën e vërtetë, atë që ajo e dëshiron me gjithë zhurmën, rrëmujën, përqafimet e shtrëngimet e forta që një dashuri e madhe fal pa doreza… “Kur isha shtatzënë me Borën isha në një situatë të pastabilizuar. Doja të abortoja por më thotë Iliri: “Nëse ti e heq atë fëmijë, jo vetëm në këtë botë nuk takohemi, po as në jetën tjetër”. Ndoshta do të dëshiroja të kisha pasur më shumë karrierë, por nga njëra anë janë ca vendime që nuk i marrim ne, i merr Ai atje lart dhe kjo gjë të bën të reflektosh për gjëra që janë të rëndësishme. Në muajin e shtatë apo të tetë bëj analizat e gjakut dhe dal që isha me rezus negativ. Po të kisha abortuar nuk do ta kisha marrë vesh dhe sot do të isha pa fëmijë.

 

E dua dhe një fëmijë tjetër!

Them shpesh që duhet të bëj dhe një fëmijë tjetër. Por vajza e vogël nuk do. Kam qenë gjithmonë partizane e të pasurit një familje të madhe. Më ka pëlqyer harmonia, festat familjare, rrëmuja, zhurma. Pavarësisht se jeta na ka bërë që rrallë të organizohemi në mënyrë të tillë. Fëmija jo vetëm që ndryshon jetën, por edhe njeriun. E bën më të ndjeshëm, të përgjegjshëm në marrëdhënie me partnerin, sepse çdo plan që bën, e arrin në funksion të familjes. Kjo varet dhe nga partneri. Kjo është një nga arsyet që fëmija ndikon sadopak për ta shtuar dashurinë. E zbukuron. Me Ilirin nuk kam më probleme pse e ke bërë ti këtë apo atë. Pse nuk merresh ti me djalin apo pse nuk merresh ti me vajzën? Ose më thotë: “Ti nuk je e përgjegjshme, pse u thua kalamajve kështu? Pse u bërtet?” Historia apo konflikti në çift nuk vjen midis dy të rriturve, por për fëmijët. Ndoshta dhe mosha bën punën e vet. Një nga debatet më të mëdha me miqtë tanë e kam për shkollimin e fëmijëve. Nuk dua që ata të shkojnë jashtë, sepse po ikën do kthehen me burrat ose gratë e tyre në krah. Nuk do kem fatin t’i puth e përqafoj. Të paktën ne prindërit na gëzuan deri në moshën 20-vjeçare. Por historia përsëritet. Jam pak më shumë individualiste apo ekspansioniste ose posesive. Nuk dua të bëhem as pesimiste, por fundja-fundit njeriu kur mbetet i vetëm, ka nevojën e bashkëshortit në vitet e pleqërisë. Ato mund të jenë vitet e vetmisë apo dashurisë.

Sipas Monikës…

Kur e vi e lodhur më vjen t’i kap e përqafoj fort, por i heq menjëherë, sepse atë depërtimin e energjisë negative, stresit, më duket se ua mbars atyre. Kohët e fundit i gjej në gjumë, i takoj, i puth, sa më thonë: mos na shtrëngo kaq fort. Por e lodhur bën veprime që nuk i kontrollon dot. Pastaj hyn në punë logjika. Kjo është një lloj sakrifice që bëjmë ne dhe në shumicën e rasteve e organizoj në atë mënyrë që të mos i kem gjërat minus. Fëmijët tashmë i kam adoleshentë e jam e detyruar që një pjesë të kohës të jem e vëmendshme, e kujdesshme dhe në ndjekje hap pas hapi të problematikave që ata kanë. Mosha bën të vetën, prindërit nga një situatë politike gjenden përballë konflikteve të papara. Themi gjithmonë që njerëzit mendojnë se politikanët kanë jetë shumë të mirë. Mund ta kenë të tillë në aspektin e mirëqenies, por kanë një jetë emocionale shumë të vështirë. Sepse problemet e mia nuk ka pse i merr fëmija im. Rëndom në shoqërinë shqiptare i kemi dhe i vuajmë këto. Po fëmija nuk t’i tregon të gjitha, se thotë: jam bërë i zoti, i zgjidh gjërat vetë. Por në fakt pasojat mund të jenë shumë të mëdha. Çdo gjë lë për fëmijët. Jeta e tyre është përpara. Dhe unë për çfarë punoj dhe sakrifikoj? Ndikimi i tyre është jashtëzakonisht i madh në jetën e një gruaje, por edhe të një burri. Të dhemb një dhëmballë dhe e lë, ndërsa një lot po t’i dalë fëmijës, marrosesh. Mungesa e parqeve, e lëvizjes së kontrolluar të fëmijëve ua bën jetën të mbyllur, disiplina në kuadër të shpenzimit të energjive të tepërta. Një nga gjërat më të mira që kemi bërë me Ilirin është shtëpia në plazh. Aty kanë oborrin, detin, ecjen me biçikleta, shoqëritë, festat në shtëpitë e njëri-tjetrit. Dhe kjo është shumë më e shëndetshme dhe i zhvillon, i stimulon.

Botuar në revistën Psikologji, nr.70

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top