Psikofakt

June 26, 2016 | 7:50

Nga femra te nëna

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Kur vjen në jetë, njeriu, mashkull apo femër, madje edhe hermafrodit, lind si tërësi organesh, por duke u rritur, formohet mendërisht, shpirtërisht edhe si ndërgjegje më vete dhe për vete, kanë thënë e thonë shumë filozofë mendjendritur. Kurse filozofja franceze Simone de Beauvoir, në librin e saj “Seksi i dytë” (sjellë në shqipe nga shkrimtari Nasi Lera), shkon edhe më tej kur pohon se “femra nuk lind, por bëhet e tillë”. Ky pohim, me shumë gjasë, duhet të vlejë edhe për mashkullin. Pra, “mashkulli nuk lind, por bëhet i tillë”. Gjithsesi, le të qëndrojmë tek femra. Kur një femër piqet seksualisht, ajo është e gatshme të bëhet grua, por i duhet të plotësojë disa kushte të tjera për t’u bërë e tillë, kushte që kanë të bëjnë edhe me shpirtin, edhe me trupin, e thënë ndryshe, të dijë të dashurojë edhe me zemër e/ose mendje, pra, shpirtërisht, edhe me trup, pra, fizikisht. Kalimi nga gjendja “femër” në atë “grua” i bindet, edhe ai, njërit prej ligjeve të dialektikës, pikërisht atij të “mohimit të mohimit”: duke u bërë femër, pra, duke u pjekur seksualisht, një vajzë mohon fëmijërinë dhe adoleshencën e saj; po kështu, duke u bërë grua, një femër, mohon gjendjen e saj pararendëse. Rrjedhimisht, gjendje e re, përgjegjësi të reja.

Një grua, sidomos sot, me emancipimin e saj dhe të mbarë shoqërisë, mund të vendosë të qëndrojë në këtë stad, d.m.th, në atë të gruas, e thënë ndryshe, të vendosë të mos sjellë në jetë fëmijë. Shkrimtari francez Boris Vian, në romanin e tij “L’automne à Pékin” (Vjeshta në Pekin), tregon se si në një kantier ndërtimi dy shokë e kolegë bien në dashuri me të njëjtën femër, por kjo nuk lidhet me atë që e do më shumë. Ky i fundit sheh çdo mëngjes se si dashuria që e lidh çiftin dalëngadalë nis dhe e drobit gruan që ai e kishte dashuruar dikur; dhe ai arrin në përfundimin që, mohimi i femrës nga gruaja e vret femrën. Sot, shumë gra e dinë çfarë e ripërtërin femrën tek gruaja: mëmësia! Një burrë i vëmendshëm ndaj bashkëshortes së vet shtatzënë nuk ka sesi të mos e vërë re, për shembull, nurin që i bie asaj në muajin e tretë të shtatzanisë, lulëzimin e saj shpirtëror gjatë periudhës kur ushqen me gji fëmijën e tyre.

Kalimi nga stadi i gruas tek ai i nënës duket se është një hop cilësor në jetën e femrës. Jo rastësisht që nga shkrimet e shenjta deri te veprat e jo pak psikologëve, sociologëve, shkrimtarëve, piktorëve e kompozitorëve jo vetëm femra e gruaja, por edhe nëna është e pranishme. Shprehja e Kuranit “Parajsa është te këmbët e nënave”, pavarësisht bindjeve të njeriut – ateist, agnostik apo fetar qoftë ai – mbetet përherë e mrekullueshme; a nuk përmban ajo një program të tërë shpirtëror për emancipimin e femrës, e gruas dhe të nënës njëherazi, veçse jo vetëm në parajsë, por para së gjithash mbi tokë, në këtë jetë, mes nesh?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top