Në fokus

August 26, 2016 | 7:30

Dëshmi/Pranvera Borakaj: Gënjejmë veten duke mohuar realitetin

E vërteta në vlerësimin e saj është atypari. Aty ku ndodh dhe dukshëm shfaqet. Kontakti i përditshëm, rrethanat, situatat që krijohen na i bëjnë më të prekshme ngjarjet që zhvillohen në realitetin mbizotërues. Të dhimbshme apo jo, këtu nuk ka vend për të mohuar të kundërtën. Por, ajo që bie ndesh dhe që në fakt na ka përfshirë, ka të bëjë me sjelljen e shoqërisë, e cila duket se e ka shndërruar këtë të kundërt, gënjeshtrën, në një sindromë të kohëve që jetojmë.

Në perceptimin e saj, Pranvera Borakaj nuk mund t’i shpëtojë këtij realiteti. E sheh veten të pashmangshme. Flluskat në ajër e të besuarit të gjërave ndryshe, zmadhuar për nga rëndësia apo kamufluar për të rritur ndjeshmërinë. Ky fakt shtrihet dukshëm në shoqëri, politikë apo në ekonomi. “Më ndodh shpesh të pyes veten nëse më pëlqen të di të vërtetën e hidhur, apo të jetoj në gënjeshtrën e bukur. Nuk e kam gjetur kurrë përgjigjen. Herë më vjen shumë inat kur njerëzit tentojnë të mohojnë inteligjencën time dhe më gënjejnë, e herë të tjera më pëlqen shumë të ëndërroj në gënjeshtrën e ëmbël. Në fund të fundit, jeta është shumë e shkurtër, pse duhet ta hidhërojmë më kot kur ekzistojnë dhe gënjeshtrat e bardha. Kam përshtypjen se jo vetëm unë jam me këtë dilemë. Ndoshta të gjithë njerëzit janë kështu. Nuk ekziston perfektja, për sa kohë nuk është kjo, ka të meta. Kur ka të meta, ka kritika. Po pse duhet të kapemi në kritika, kur kemi mundësi të shohim lulet e jetës dhe të bëhemi pozitivë, qoftë edhe duke ‘mashtruar’ me ca komplimente më shumë. Neve na pëlqen të jetojmë kështu jo vetëm kur flitet për të bukurën, por edhe kur bëhet fjalë për familjen, për shoqërinë, e mbi të gjitha për politikë. Përpos ngjyrave që mbajnë partitë në Shqipëri, ajo që ne shohim në fjalët e tyre kur përshkruajnë realitetin, është një botë bardhë e zi. Nëse marrim rritjen ekonomike p.sh. një parti thotë se jemi të dytët në Europë, ndërsa tjetra shprehet se po përjetojmë krizën më të thellë. A tentojmë ndonjëherë të depërtojmë në shifra? Jo! Thjesht na pëlqen të gënjehemi nga cila palë na intereson më shumë. Kështu na pëlqen ta gënjejmë veten se jetojmë shumë mirë, edhe pse kemi një vit pa lëvizur një fundjavë me familjen jashtë qytetit. Apo të ankohemi se jemi shumë keq, ndonëse kemi shëndet dhe s’kemi borxhe. Neve nuk na pëlqen të shohim realitetin. Nuk na pëlqen të shohim se fëmija pi cigare, pi alkool, apo lë orët e mësimit. Gënjejmë veten se kjo s’është e vërtetë dhe nuk tentojmë ta përmirësojmë.

Ne e gënjejmë veten se çdo gjë është mirë në lidhjen tonë, edhe pse partneri nuk ka më asnjë emocion kur të sheh. Ne gënjejmë veten se jemi më të mirët në një projekt, edhe kur kuptojmë që rezultatet janë në disfavorin tonë (po ai e fitoi me lekë dhe mik). Ndaj i rikthehem sërish pyetjes sime, tashmë jo më në numrin njëjës: A jetojmë ne me realitetin apo në një botë të gënjeshtërt, e cila s’na bën më të fortë, por sigurisht më të lumtur, qoftë edhe për pak kohë?”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.83

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top