Në fokus

August 26, 2016 | 7:10

Gënjeshtra, e dëmshme për shëndetin

Përralla e Pinokut e shpjegon prej kohësh se gënjeshtrat nuk duhen thënë, ndaj edhe nënat që në vitet e para të jetës u kërkojnë të vegjëlve të mos gënjejnë. Dhe dihet që, në fund të fundit, ato kanë gjithmonë të drejtë. Një studim i bërë kohët e fundit na shpjegon se gënjeshtra është e dëmshme për shëndetin. Ky kërkim është rezultat i një eksperimenti të paraqitur në konventën e fundit të “American Psychological Association” në Orlando.

Grupi i docentes së psikologjisë në Universitetin e Notre Dame në Indiana, Anita Kelly, vendosi të rishkruante përrallën e famshme të Xhepetos dhe të buratinit Pinok. Studiuesit vendosën të testonin në makinën e së vërtetës 110 persona nga mosha 18 deri në 71 vjeç, duke përllogaritur për rreth dy muaj e gjysmë numrin e gënjeshtrave që ata do të thoshin përgjatë një jave dhe, nga ana tjetër, analizuan mirëqenien shpirtërore të pjesëmarrësve në këtë studim.

Testi: Grupi studimor ka zbuluar që njerëzit, sa më shumë gënjejnë, aq më keq ndihen. Kjo, jo vetëm në këndvështrimin mendor, por edhe në atë fizik. Personat, të cilët nuk janë të sinqertë, sëmuren më shpesh. Ata janë lehtësisht të prekshëm nga dhimbja e kokës, grykët e skuqura, depresioni, si dhe ndihen të tensionuar apo të stresuar. Me sa duket, gënjeshtra sëmur trupin, por edhe shpirtin. Studiuesit i ndanë pjesëmarrësit në dy grupe. Në grupin e parë bënin pjesë ata që ishin “të detyruar” të thoshin vetëm të vërtetën, pra, të mos gënjenin askënd për asnjë arsye. Njerëzit u lanë të lirë të mos u përgjigjeshin pyetjeve, të ruanin një sekret, por vetëm gënjeshtra nuk duhet të thoshin. Ndërsa grupit të dytë nuk iu kërkua asnjë gjë. Pjesëmarrësit ishin të lirë të gënjenin pa u udhëzuar nga studiuesit.

Pasi vëzhguan të dy grupet, psikologët arritën në përfundimin se njerëzit më të sinqertë ndihen më mirë shpirtërisht dhe në harmoni. Gjithashtu, një numri më të vogël gënjeshtrash në një javë i korrespondojnë kushte më të mira shëndetësore. “Kishte një lidhje shumë të fortë mes përmirësimit të gjendjes shëndetësore dhe cilësisë e marrëdhënieve personale me zvogëlimin e numrit të gënjeshtrave të përditshme, – thotë Anita Kelly, koordinatorja e këtij studimi. – Duke thënë të vërtetën vihet re se janë mënjanuar probleme psikologjike si melankolia apo tensioni, por edhe probleme fizike si dhimbje koke apo dhimbje grykësh. Përveç kësaj, janë vërejtur rezultate pozitive edhe në marrëdhëniet ndërpersonale”.

 

Mirëqenia dhe sinqeriteti

Ekuacioni “më pak gënjeshtra e barabartë me më shumë shëndet” ka rezultuar veçanërisht solid në grupin e personave të cilëve u ishte kërkuar të thoshin gjithmonë të vërtetën. Mesatarisht këta vullnetarë kanë thënë më pak se një gënjeshtër në javë. Përfundimi ka qenë se në javët me më tepër sinqeritet, mirëqenia shtohej. Për t’ju dhënë një ide për efektin, një numër javor gënjeshtrash 3 herë më i ulët se sa ai i nxjerrë në javët e tjera, i korrespondonte një numër shqetësimesh psikologjike rreth 4 herë më të ulët dhe një numri problemesh fizike 3 herë më të ulët. “Të dish të thuash të vërtetën, mposht nivelin e stresit. Ndërsa të jetosh me një konflikt të brendshëm, që na çon drejt gënjeshtrave, shton një peshë të rëndë tensioni në jetën e përditshme”, – shpjegon Linda Stroh, profesoreshë e sjelljes organizative në “Loyola University of Chicago”.

 

Roli i psikikës

Që të predikojmë ndershmërinë si terapi, shpjegojnë specialistët, do të ishte një hap tejet i guximshëm. “Është me siguri një objektiv për t’u lavdëruar që ka persona të prerë për t’i thënë gjërat troç, të aftë për të ndërvepruar me të tjerët në mënyrë më të sinqertë, – komenton psikologu Robert Feldman nga ‘University of Massachusetts, Amherst’. – Sigurisht që përfitimet nuk do të mungonin, të paktën në nivelin shoqëror. Mirëpo jam paksa skeptik, teksa mendoj se sinqeriteti mund të na bëjë më të shëndetshëm fizikisht. Në nivel psikologjik sigurisht që do të na bënte mirë kjo lloj sjelljeje”. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: për njerëzit aspak të sinqertë, jeta mund të shndërrohet në një problem dhe rrëmujë të vërtetë. Dhe të dalësh nga rrjeta e gënjeshtrave mund të jetë një punë shumë e vështirë. Njësoj si në filmin “Liar, liar” (“Gënjeshtar, gënjeshtar”), ku Jim Carrey interpretonte një avokat që i mbronte me sukses klientët e tij falë gënjeshtrave. Por pikërisht këto të fundit, kaq të nevojshme në punën e tij, iu kthyen në një problem në jetën private.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top