Dëshmi

April 24, 2025 | 17:30

Devi dhe Dori, ustallarët e TakFak / Emisioni investigativ në NEWS24 që do nuk do të zgjidhë vetëm halle, por do t’ju argëtojë në një format krejt ndryshe

Nga Orjona Tresa / Fotot Vlasov Sulaj

 

Emisioni investigativ në NEWS24 që do nuk do të zgjidhë vetëm halle, por do t’ju argëtojë në një format krejt ndryshe. Çdo të hënë dhe të mërkurë në orën 20:00.

img_2226

Me një lupë zmadhuese, ata rikthehen në ekran për të vijuar një mision që prej një dekade i identifikon si të tillë. Qëmtimit “dhëmbë për dhëmbë” të shqetësimeve qytetare, do t’i japin zë dhe zgjidhje, si dy “agjentë” të vërtetë. Me një staf të përkushtuar dhe kërkues, në ekranin më të madh të shqiptarëve – News24 – Devis Muka dhe Dorian Ramaliu do të vijnë dy herë në javë me emisionin satiriko-investigativ TakFak.

Dori dhe Devi, një dyshe fantastike komedianësh, janë bashkë prej 23 vitesh, që nga auditorët e Akademisë së Arteve. Të dashur për publikun, ata janë kthyer në një kanal të shpejtë komunikimi për adresimin e problematikave nga veriu në jug të vendit. Pavarësisht kostove emocionale apo sfidave të rrethanave të pafavorshme, ata besojnë se atje ku ka dashuri, ka edhe zgjidhje. Ky format është më shumë se një emision për ta, është një mision. Përtej të qenët thjesht prezantues artistikë, ata janë bërë njësh me grupin e punës që ka ngritur në këmbë TakFak, një ekip që do të na surprizojë me “betejat” e tij në këtë rrugëtim aspak të lehtë.

Për më tej intervista e dhënë prej tyre në Revistën Psikologjia, përcjell një mesazh të fuqishëm solidariteti: kur bashkohemi, bëhemi më të fortë.

img_2092

Riktheheni në ekran, sërish me një emision investigativ, por në një logo të re. Çfarë i ka bërë kaq shumë për vete dy aktorë skene në fakt?

Devis: Ne kthehemi me një emision investigativ, nën një logo të re, por emisioni do të jetë komplet ndryshe. Mënyra e trajtimit të halleve, të problematikave, do jetë ndryshe. Dhe mbi të gjitha, nuk do të jetë vetëm investigativ. Populli aty do të shohë jo vetëm hallet e veta, por në njëfarë mënyre do të shohë edhe hare, gaz, qyfyre, sepse nuk mund ta mbajmë vetëm me lot një emision në një vend që ka nevojë edhe për të qeshur.

 

Pra do të jetë si një “shfaqje teatri” për ta sjellë në një formë argëtimi?

Dori: Në emisionin e kaluar iu përmbajtëm atij formati, dhamë shumë nga vetja. Këtu kemi tjetër lirshmëri. Çdo gjë, nga A tek Zh, e kemi programuar vetë. Kemi pasur shumë dorë të lirë nga Presidenti Irfan Hysenbelliu dhe nga Televizioni.

Devis: Pra, nëse emisioni ku ishim, ishte një emision që e kishin qepur të tjerët, këtu ne vetë e kemi gjetur stofin, vetë e kemi qepur, dhe besoj që na rri mirë. Na pa njëra këtu dhe na tha “mirë ju rri si kostum”. (qesh)

 

Një kombinim ky i juaji i këndshëm, në përshtatshmëri edhe gjuhe, dialekti. (Dori) Më duket se Devi është bërë më shumë tirons?

Dori: Devi është bërë tirons komplet, unë nuk kam çfarë ndryshoj, unë jam. Kemi aq shumë vite që rrimë me njëri-tjetrin kështu që edhe pa folur, edhe në heshtje, e di shumë mirë ku do dali dhe e di shumë mirë se çfarë do thotë. Jemi si ajo marrëdhënia në çift, që ti e di ku t’ia bësh qejfin dhe deri ku e ngacmon. Ti e di çfarë t’i thuash. Është një marrëdhënie spontane, e thjeshtë. Kështu merremi vesh gjithë ditën, nga mëngjesi deri në darkë, edhe në telefon edhe bisedat tona në çat imitojmë njëri-tjetrin.

Devi: E bukura është që unë u bëra shumë vite në Tiranë se sa në Tepelenë. Dhe tani sa herë dëgjoj ndonjë fjalë për Tepelenën ose dikë që ka qenë atje, mallëngjehem. Unë bënë shumë vite në Tiranë, por e kam realisht të pamundur të lëviz.

Dori: Domethënë, aq shumë punë ka pasur Devisi, se në punë gjithë kohën bashkë, saqë në Tepelenë po themi në 15 vjet kam qenë unë më shumë se ai. (qesh)

img_2122

Në një njoftim paraprak në mediat tona sociale, se do të rifillonit emisionin nën siglën “Tak Fak”, pati një audiencë të madhe. Kjo përkthehet në atë që njerëzit kanë shumë probleme ndaj dhe i kanë sytë tek formate të tilla investigative. Kështu është edhe për ju?

Dori: Që në momentin që u shkëputëm nga programi ku ishim, më shumë më kanë ndaluar mua në rrugë se sa Devin (qesh). Në një pjesë të kohës që kalonim bashkë, flisnim çfarë do bënim. Njerëzit ishin të etur për të na parë në ekran. Ajo që vihej re ishte pikërisht në këtë format. Ne mund të zgjidhnim të bënim dhe një format tjetër, një late night p.sh, që të ishim prapë bashkë. Por me thënë të drejtën kishim rreth 10 vite që punojmë në të tillë format saqë ai është përshtatur shumë mirë me ne, ne shumë mirë me atë dhe realisht e duam punën që bëjmë. Nuk e bëjmë thjesht për të marrë atë pagesën në fund të muajit, është një punë që e bëjmë me dashuri. Është e vërtetë që emisionet kanë dhe komente, siç mund të jenë ato në rrjetet sociale që thonë “oh prapë u shtuan”, po ku ka gjë më të mirë. Jo 3 apo 4, por edhe 5-10 në fund të ditës është një emision që njerëzit marrin një lloj zgjidhjeje. Shërben për diçka. Unë nuk e shikoj as si rivalitet. Bravo iu qoftë të gjithëve për punën që bëjnë dhe publiku e vendos vetë! Po pse jo, të ketë një dritare më shumë nuk është asnjëherë keq. Unë mendoj që në këtë pikë ne “jemi me fat” në këtë vend ku jetojmë sepse emisione të tilla ose ky emision nuk mund të shterojë kurrë. Çdo vend ka problemet e veta, por si jemi ne, nuk besoj se ka vend tjetër.

Devis: Ironia e fatit për njerëzit që merren me të tilla emisione, duan që të ketë halle dhe problematika Shqipëria sepse përndryshe mbeten pa punë. Është si puna e një dentisti që shikon njerëzit që i mirëmbajnë dhëmbët dhe i lajnë përditë, përpiqet të mos u thotë gjë se mbeten pa punë. Përtej shakave, këtu në Shqipëri mbijnë edhe nga hiçi problemet. Fatmirësisht janë 1, 2, 3, 4, 5… dhe u shtofshin emisione të tilla. Madje sa më shumë të ketë aq më shumë halle zgjidhen. Sepse ç’është e vërteta, emisione të tilla të zgjidhin punë, jo të prishin.

 

Cilat janë problematikat më të ndjeshme?

Dori: Denoncimet janë pafund. Problematikat më të mëdha janë për atë jetesën e thjeshtë, rrugët e pashtruara, pusetat e hapura, uji, ndriçimi, në dukje probleme të vogla. Për dikë që jeton në fshat është i jashtëzakonshëm. Edhe Tirana, që ne na duket e bukur, si pa probleme, do merremi dhe me të shumë. Sipas optikës time, gjërat kanë ndryshuar, por që ka pafund. Tirana nuk është vetëm qendra, është më e gjerë. Ke dhe shqetësime të tipit “kam probleme me gruan, të ma zgjidhin Dori me Devin” (qesh).

Devi: Ka dhe ankesa të tipit, nuk na bën lopa qumësht, çfarë t’i bëj?” i dërgova mesazh zotërisë, i thashë do të të sjell Dorin se ai di të sillet me lopët, di të merret vesh.

img_2155

Si do të jetë i strukturuar si format?

Devi: Ne do përpiqemi të jemi pa strukturë fare. Çdo ditë që do dalë emisioni, do përpiqemi të bëjmë gjëra ndryshe. Do të jemi sa më të lirshëm dhe sa më interesantë për ata që na shikojnë. Do të dalim nga formatet shabllon, strikte, që ndonjëherë bëhen edhe monotone.

Dori: Unë mendoj se edhe nga ana regjisoriale do të jetë diçka ndryshe, që nga kamerat, dinamika e regjisë, do jetë tjetër gjë. Do e bëjë më interesante për t’u parë.

Devi: Ne kemi fatin e madh për grupin që kemi, se gjërat bëhen në grup, ndryshe nuk arrihet cilësia. Nga regjia jemi shumë të kënaqur, punojmë me një nga regjisorët më të mirë televizivë, është Armi. Drejtor kemi Alban Karabashin, që nga ana artistike dhe e spektaklit nuk na mungon asgjë. Ndihemi si në shtëpinë tonë.

Dori: Tek Albani doja të ndaloja pak. Më përpara e kisha më tepër si imazh. Duke punuar që në janar, për të qenë i vërtetë, po të mos ishte ai, ky emision nuk do bëhej. Albani ka marrë përsipër të rrijë edhe nga mëngjesi deri në darkë, edhe ditë të shtune apo të diele. Merret dhe kuron çdo gjë. Ai është mësuar me spektakle të mëdha, është i fiksuar për t’i parë gjërat me imtësi. Për ne është një ndihmesë e jashtëzakonshme.

 

Emisione të tilla padyshim që kanë vështirësi, e këtu e kam fjalën në përballje me paudhësinë apo të paudhët. Edhe e vërteta apo e drejta e kanë një çmim. Sa kurajë apo vetëbesim duhet për ta menaxhuar gjithë ngarkesën emocionale, por jo vetëm ndoshta?

Devi: Ç’është e vërteta, ne na ka bërë puna, që të jemi të sprovuar dhe le të themi që mos ta vrasim shumë mendjen për njerëzit që mund të na kërcënojnë, ose të na bëjnë ndonjë gjë më të rëndë. Ne e kemi krijuar një lloj “antiplumbi” për sa u përket këtyre gjërave. Është një punë shumë e vështirë që ne bëjmë, sepse e dimë se si është realiteti shqiptar. Shqiptari të heq qafe dhe për një vend parkimi, për një parakalim, për një shikim të shtrembër në lokal, imagjino për këto gjëra që ne trajtojmë në emision dhe ato gjëra që dalin aty. E kemi pak kokën në trastë për këto gjëra, po dashtë Zoti këto gjëra nuk më ndodhin mua, por Dorit (qesh).

Dori: Në fillimet tona ka qenë shumë e vështirë me thënë të drejtën, e kishin shumë problem të dy, qoftë edhe komentet. Shqipëria është e vogël. Ka patur raste, por jo shqetësuese.

img_2062

Ju nuk jeni vetëm padyshim në këtë mision, keni një staf të ngushtë që bashkëpunoni. Ka qenë e vështirë t’i përzgjidhni ata?

Devi: Ne jemi në përzgjedhje e sipër sepse emisione të tilla nuk është se i bëj unë apo Dori. Janë gazetarët e terrenit ata që dalin përditë, që shkojnë tek halli, lajmi, shqetësimi që ka populli. Unë dhe Dori jemi shumë komodë, por ç’është e vërteta jemi ende në kërkim të gazetarëve të rinj, të njerëzve që kanë grintën dhe “agresivitetin” e duhur që kërkojnë emisione të tilla.

Dori: është vetë lloji i emisionit që kërkon njerëz të guximshëm.

Devi: Ne i falenderojmë gazetarët e këtij emisioni që në një kohë rekord kanë bërë maksimumin për të ndjekur dhe për të gjetur tema. Pjesa më e madhe janë hulumtime që ne bëjmë. Dhe shikojmë problematika dhe shqetësime që ndodhin lart e poshtë në Shqipëri.

Dori: Dritan Laci është ai që merret me gjithë këtë pjesë, që shikon strukturën e gjithçkaje, një djalë shumë i përgatitur. E shikon në detaje të imta të lidhur nga ana ligjore, saqë askush të mos thotë nesër ia keni fut kot nga kjo gjëja. Puna që unë dhe Devi bëjmë është me pjesën artistike, bashkë me Albanin. Ndërsa Tani merret me temën kryesore që vë në lëvizje gjithçka. Në çdo puntatë që do jemi, do jemi në të drejtë të Zotit. Gjërat janë të para dhe të studiuara. Jemi shumë komodë nga kjo gjë.

 

Kujt i jeni mirënjohës që ju rikthehu në ekran me formatin që aq shumë e doni?

Dori: Absolutisht Irfan Hysenbelliut.

Devi: Takimi me Irfanin ka qenë shumë i çuditshëm, realisht. Ç’është e vërteta ne kemi shkuar në shumë televizione, por ishte dhe këmbëngulja ime, që nëse duam një ekran, që është popullor për të bërë një emision popullor që ne duam të bëjmë dhe populli të na ndjekë dhe të vijë të trokasë në një derë që do t’i hapet gjithmonë, është vetëm ekrani i News24. Sepse është realisht një televizion që e gjen në çdo shtëpi shqiptare. Shkuam dhe bëmë një takim me z.Irfan. E bukura është se u bë biseda as 5 minuta. Na dha dorën dhe na tha: Do bëhet!

Dori: Z.Irfan kishte shumë vite, madje tha një batutë: “Një moment tjetër sikur m’i solli Zoti”. E donte një emision investigativ ta prodhonte. Pas këtij takimi, fjala e Irfanit ishte: Derën e keni të hapur, kur do fillojmë? Sinqerisht, shprehim mirënjohje dhe shumë falenderim. Ishte momenti më i mirë i mundshëm, patëm një suport të menjëhershëm.

 

Tani, diçka me spec do të shohim në vazhdim, se janë dhe zgjedhjet parlamentare para?

Devi: Shqiptari ç’është e vërteta ka dy halle kryesore: hallin me gruan në shtëpi dhe hallin me politikën jashtë shtëpisë. Ne me politikën do të merremi se s’bën, por do përpiqemi të merremi ndryshe. Nuk do merremi siç merren studiot politike apo lajmet, por në një mënyrë tjetër, edhe me të qeshur, edhe me të ngjeshur.

img_2260

E kam dhe unë një denoncim. Tirana fatkeqësisht është shndërruar nga pronarët e katërputroshëve në një “tualet publik”. Kur do bëhet i zbatueshëm ligji që ekziston, që siç e ka bota, t’i mbledhin mbetjet e kafshës dhe t’i çojnë ku e kanë vendin, jo t’i shkelim përditë?

Devi: Është shumë interesante të bëhet një vëzhgim nëse zbatohet ky ligj por ty të ka bekuar Zoti që ke jetuar në Tiranë. Ne kemi pasur rastin t’i shohim kryeqytetet e Evropës, ku ma gjen jashtëqitjen e katërprutroshëve në kryeqytet.

img_2284

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top