Këshilla & Arsye

January 31, 2018 | 9:50

Dhimbje dhe fryrje barku, shqetësimet që sjell zorra e irrituar

Një situatë parehatie që ndodh shpesh apo vihet re mes pacientësh që rendin të marrin ndihmën e parë tek mjeku specialist. Bëhet fjalë për sindromin e zorrës së irritueshme, një çrregullim i karakterizuar nga dhimbje dhe fryrje barku, kapsllëk ose diarre. Për shkak të ndryshimit të mënyrës së jetesës, kjo sindromë sipas Dr. Altin Cekodhima është shndërruar në një situatë të përgjithshme mes njerëzve. Sipas tij, nuk jep dëmtime të përhershme të zorrës dhe nuk çon në një sëmundje serioze siç është kanceri. Shumica e njerëzve mund t’i kontrollojnë shenjat me dietë, duke kontrolluar stresin ose me ilaçe të rekomanduara nga mjeku.
Sindromi i zorrës së irritueshme ndodh më shpesh te femrat se te meshkujt. Ai fillon të shfaqet në moshën 35 vjeç në rreth 50% të njerëzve.

Dr. Altin Cekodhima

Dr. Altin Cekodhima, Gastroenterolog, Endoskopist dhe Endosonografist

Cilat janë shenjat e sindromit të zorrës së irritueshme (SZI)?
Dhimbja dhe fryrja e barkut janë shqetësimet më të shpeshta të SZI-së. Gjithsesi, shenjat variojnë nga personi në person. Disa mund të kenë kapsllëk, që do të thotë vështirësi për të dalë jashtë.
Disa të tjerë mund të kenë shtrëngime dhe dhimbje gjatë daljes jashtë (defekimit) dhe sado që mundohen, nxjerrin masa të vogla fekalesh (mbetje ushqimore). Disa njerëz të tjerë me SZI kanë diarre, e cila është e shpeshtë dhe e ujshme.
Disa njerëz të tjerë kanë alternime të kapsllëkut dhe diarresë. Shpeshherë tek disa njerëz shenjat qetësohen për pak muaj dhe pastaj rikthehen, ndërsa disa të tjerë referojnë shenja të ashpra të cilat zgjasin për një kohë të gjatë.

Çfarë e shkakton sindromin e zorrës së irritueshme, (SZI)?
Kërkimet ende nuk kanë treguar ndonjë shkak specifik të SZI-së. Në teori, njerëzit që vuajnë nga SZI kanë një zorrë të trashë, e cila është e ndjeshme dhe reagon ndaj disa ushqimeve dhe stresit.Sistemi imunitar i cili lufton infeksionet, mund të përfshihet gjithashtu si shkaktar.
Personat që kanë sindromin e zorrës së irritueshme mund të mos kenë një lëvizshmëri normale të zorrës. Ajo mund të jetë spastike ose mund të ndalojë së lëvizuri përkohësisht. Spazmat janë kontraktime të forta të papritura të muskujve të cilat vijnë dhe shkojnë. Shtresa e mukozës së zorrës e quajtur epitelium, e cila është prekur nga sistemi imunitar dhe ai nervor, rregullon rrjedhjen e lëngjeve brenda dhe jashtë zorrës. Në sindromin e zorrës së irritueshme duket sikur epitelium punon normal. Mirëpo, kur përmbajtja brenda në zorrë lëviz shumë shpejt, zorra humbet aftësinë për të përthithur lëngjet. Rezultati është prania e shumë lëngjeve në feçe. Tek persona të tjerë lëvizjet brenda zorrës janë shumë të ngadalta. Ato shkaktojnë përthithje të tepërt të lëngjeve dhe si rezultat personi bëhet kaps.

2Zorra e një personi mund të përgjigjet fort ndaj një stimuli, siç janë disa ushqime të veçanta dhe stresi, gjë që mund të mos të shqetësojë persona të tjerë.
Kërkimet e fundit kanë treguar se serotonina ka lidhje me funksionin normal të traktit gastro-intestinal. Serotonina është neuron transmetues ose lëndë kimike që përçon mesazhe nga njëra pjesë e trupit tek tjetra. 95% e serotoninës në trup është e lokalizuar në traktin gastro-intestinal kurse pjesa tjetër, 5% gjendet në tru. Qelizat që veshin pjesën e brendshme të zorrës punojnë për të mbajtur dhe transportuar serotoninën jashtë traktit gastro-intestinal.
Njerëzit me SZI kanë zhdukje të aktivitetit receptor duke shkaktuar vlera anormale të serotoninës që ndodhet në traktin gastro-intenstinal. Si rezultat, njerëzit me SZI kanë probleme me lëvizshmërinë e zorrës dhe receptorët e tyre janë më të ndjeshëm ndaj dhimbjeve të traktit tretës.
Për më tepër, njerëzit me SZI vuajnë shpesh nga stresi dhe ankthi i cili mund t’i ashpërsojë shenjat. Gjithashtu, në të njëjtën mënyrë dhimbjet prej zorrës se irrituar mund të shkaktojnë ankth dhe stres.
Kërkimet kanë treguar se sindromi i zorrës së irritueshme mund të shkaktohet prej një infeksioni bakterial në traktin tretës.
Studimet tregojnë se njerëzit që kanë pasur ndonjëherë gastroenterit zhvillojnë dhe sindromin e zorrës se irritueshme i quajtur ndryshe dhe SZI post-infeksioni.
Studiuesit gjithashtu kanë gjetur sëmundje celiake të lehtë tek disa njerëz me shenja të ngjashme me atë të sindromit të zorrës së irritueshme. Sikurse dihet, njerëzit me sëmundjen celiake nuk mund të tresin glutenin i cili gjendet tek gruri, thekra dhe elbi.

1Disa arsye se përse përkeqësohen shenjat e sindromit të zorrës së irritueshme:
– Vaktet e mëdha në sasi;
– Fryrja prej gazrave në zorrë;
– Medikamentet;
– Gruri, thekra, elbi, çokollatat, produktet e qumështit dhe alkooli;
– Pijet me kafetinë si p.sh. kafeja, çaji, koka-kola;
– Stresi, konfliktet dhe shqetësimet emocionale.
Studiuesit kanë gjetur se tek gratë me sindromin e zorrës së irritueshme, shenjat gjatë ciklit menstrual janë më të ashpra, çka do të thotë që hormonet riprodhuese ashpërsojnë problemet e SZI.

Çfarë bën zorra e trashë?
Zorra e cila është e gjatë rreth 1.5 metra lidh zorrët e holla me rektumin dhe anusin. Funksioni madhor i saj është të përthithë ujin, lëndët ushqyese, kripërat dhe pjesërisht të tresë ushqimet që vijnë nga zorrët e holla.
Lëvizshmëria e zorrës kontrollohet nga nervat, hormonet dhe nga impulset e muskujve të zorrës. Kontraksionet (tkurrjet) lëvizin përmbajtjen nga brenda zorrës në drejtim të rektumit për të dalë jashtë. Përgjatë këtij kalimi, uji dhe lëndët ushqyese janë përthithur nga trupi dhe çfarë kanë mbetur janë vetëm mbeturina.
Megjithatë, në qoftë se muskujt e zorrës, sfinkterave dhe të legenit nuk lëvizin në mënyrën e duhur, përmbajtja e zorrëz nuk lëviz për në dalje, duke shkaktuar kështu dhimbje barku të lehta ose në formë krampesh, konstipacion, ndjesinë e moszbrazjes së plotë të zorrës ose diarre.

3

Si diagnostikohet SZI?
Hapi i parë që duhet të bëni është të takoni doktorin. Në përgjithësi SZI diagnostikohet nëpërmjet një historiku mjekësor të kujdesshëm dhe ekzaminimit fizik. Nuk ka teste specifike për SZI, edhe pse testet diagnostikuese mund të përjashtojnë sëmundje të tjera. Testet diagnostikuese mund të përfshijnë: ekzaminimin laboratorik të feçeve (koprokulturë/feçe parazit), teste laboratorike të gjakut dhe ekzaminimin radiologjik. Gjithashtu doktori zakonisht kryen edhe sigmioidoskopinë ose kolonoskopinë të cilat përjashtojnë problemet serioze siç është kanceri i zorrës ose i rektumit.
Në qoftë se testet e sipërpërmendura rezultojnë negative, doktori mund të vendosë diagnozën në bazë të shenjave ku përfshihen: sa shpesh keni dhimbje barku krahasuar me vite më parë, kur fillon dhimbja dhe a ndalon ajo pasi keni defekuar (jashtëqitje), sa herë defekoni në ditë si dhe a ka ndryshime të përbërjes së materialeve fekale (jashtëqitjes).


Për të vendosur diagnozën e zorrës së irritueshme doktori u referohet disa simptomave, si më poshtë:

Lehtësohet nga defekimi (dalja jashtë);
Kur fillon, ka ndryshime sa herë qe ju defekoni (dilni jashtë);
Kur fillon, ka ndryshime në përbërjen ose ngjyrën e feçeve.
Mund të jenë prezente edhe disa simptoma të tjera, siç janë:
Ndryshime lidhur me shpeshtësinë e defekimit në ditë (daljen jashtë);
Ndryshime në mënyrën e defekimit;
Ndjesia e urgjencës për të defekuar ose defekim i pakontrolluar;
Vështirësi në defekim (dalje jashtë);
Feçe me mukus (si qurre).

Gazrat, ose fryrja e barkut, gjakderdhja, temperatura, humbja në peshë, dhimbjet e forta dhe të vazhdueshme nuk janë simptoma (shenja) të sindromit të zorrës së irritueshme, por mund të tregojnë për probleme të tjera siç janë sëmundjet inflamatore të zorrës (koliti) dhe shumë rrallë kancerin.

 Burimi: https://shendeti.com.al

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top