Festat janë një kohë jubilare, e mbushur me ngjarje, takime, dekorime, zhurmë, pritshmëri dhe përgatitje. Por pikërisht në mes të kësaj larmie mund të humbasim qetësinë mendore, dhe nëse nuk jemi të përgatitur, ajo mund të dëmtohet pa e kuptuar. Qëllimi i këtij artikulli është: të njohim faktorët që ndikojnë në qetësinë mendore gjatë sezonit festiv, dhe të zbatojmë strategji të përkthyera në praktikë.

1. Ndikimi i zhurmës dhe stimulimit të lartë
Studimet e fundit kanë treguar se përballja me zhurmë ambientale, ndjeshmëri ndaj zhurmës dhe “bezdisja” nga zhurma janë faktorë që ndikojnë negativisht në shëndetin mendor. Për shembull, një analizë sistematike mbi zhurmën ambientale në shtëpi zbuloi se “bezdisja nga zhurma” dhe shqetësimet e gjumit janë ndër faktorët kryesorë që ndërmjetësojnë lidhjen midis ekspozimit ndaj zhurmës dhe shëndetit mendor të dobët. Një meta-analizë identifikoi se njerëzit që raportojnë një nivel të lartë të bezdisjes nga zhurma kanë rreth 23% më shumë rrezik për depresion dhe 55% më shumë rrezik për ankth sesa ata që nuk janë shumë të bezdisur nga zhurma. Kjo do të thotë se zhurma, jo vetëm si volum, por si përvojë subjektive, ka aftësinë të kërcënojë “qetësinë tonë mendore”. Në kontekstin festiv, ku ka muzikë të lartë, tubime, drita intensive, shumë njerëz që flasin njëkohësisht, jemi ekspozuar në nivele të rritura stimulimi. Kjo përbën një sfidë për sistemin nervor: truri ynë duhet të përpunojë përherë sinjale që vijnë, dhe nëse nuk ka “kohë pushimi”, qetësia mendore dobësohet.
2. Pse është e rëndësishme të mbrojmë qetësinë mendore
Qetësia mendore nuk është vetëm mungesa e zhurmës, ajo është gjendja në të cilën mund të përpunojmë mendimet, të kthehemi tek vetja, të rikuperojmë energji, të ruajmë gjendjen tonë emocionale pa luhatje të mëdha. Kur nuk e kemi këtë qetësi, mund të shfaqen: lodhje psikologjike, ankth, gjendje të ndezura emocionale, mungesë përqendrimi, prirje për mospjesëmarrje ose tërheqje sociale. Duke marrë parasysh faktin që sezoni festiv sjell edhe presione: pritshmëri sociale, obligime, nevojë për prezencë, buxhet që zvogëlohet, nostalgji për kohëra të shkuara, mungesa të personave të dashur, të gjitha këto rrisin kompleksitetin e situatës. Organizatata si Substance Abuse and Mental Health Services Administration vë theksin se stresi gjatë festave mund të acarojë simptomat ekzistuese të çrregullimeve të shëndetit mendor. Prandaj, mbrojtja e qetësisë mendore nuk është luks, është një nevojë.
3. Strategji për të mbrojtur qetësinë mendore
Vendosni kufij dhe pritshmëri të qarta: Sipas literaturës praktike, është e rëndësishme të gjeni dhe të vendosni se çfarë jeni të gatshëm dhe jo të gatshëm të bëni gjatë festave. Për shembull: nëse njohim që ambiente me zhurmë të lartë na lodhin, mund të vendosim kohëzgjatje për qëndrimin në aktivitetet festive, ose të planifikojmë “dalje” të qetë pas një kohe. Të themi “jo” kur ndjejmë se po lodhemi, nuk është shenjë dobësie, por kujdesi për vetveten.
Mbani rutinën tuaj të përditshme: Rutinat janë një shtyllë për stabilitetin psikologjik. Kur festa thyen çdo gjë, oraret e gjumit, aktivitetet, ushqimin, rritet shansi që qetësia mendore të rrëshqasë. Literatura për stresin festiv sugjeron të ruhet në maksimum orari i gjumit, të bëhen pushime, dhe të ruhet aktiviteti fizik. Në ditët me shumë zhurmë, mund të planifikoni një periudhë “qetësie” p.sh., 15‑20 minuta larg telefonit, larg stimulimit, për të rikuperuar.
Kurimi i ambientit, krijimi i hapësirave të qeta: Në një ambient festiv, ndodh që ne të jemi të ekspozuar ndaj zhurmës, muzikës, bisedave të shumta. Njohuritë rreth “zhurmës” apo peizazheve të tingujve tregojnë se një ambient ku njerëzit ndjehen të përgjumur ose pa kontroll të tingujve mund të ndikojë negativisht në mirëqenien. Pra, a mund të krijoni një “çati” të qetë për veten: vend ku të shkoni kur dëshironi të largoheni prej stimujve; dëgjoni muzikë të ulët; përdorni kufje ose thjesht largohuni për pak nga tubimi. Kjo nuk do të thotë të shmangni plotësisht festën, por të zgjidhni momentet e qeta si pjesë të festës.
Kujdesuni për gjumin dhe rikuperimin: Studimi “Effect of Noise Sensitivity on Mental Health” zbuloi se ndjeshmëria ndaj zhurmës parashikon probleme gjumi, ankth dhe depresion. Kur zgjohemi shpesh gjatë natës për shkak të zhurmës, ose jemi të përgjumur para tubimeve, ne po amortizojmë rezistencën tonë psikologjike. Prandaj, përpiquni të mbani higjienën e gjumit, errësim, evitim i stimulimeve të forta para gjumit, kufizim i telefonave dhe ekraneve. Kjo është baza për ruajtjen e qetësisë mendore.
Praktikoni menaxhimin e stresit dhe të ndjesive: Në zhurmë dhe stimuj të lartë, sistemi nervor aktivizohet. Është e dobishme të kemi “mjetet” tona si: frymëmarrje të thellë, meditacion i shkurtër, ndjeshmëri, të shprehurit e ndjenjave me dikë (terapist, mik) kur ndiejmë se po ngarkohemi. Artikujt rekomandojnë: “Pauzë” për të reflektuar, pranoni ndjenjat, nuk është domosdoshmëri të ndjeheni gjithmonë të gëzuar. Kjo ndihmon të ruajmë kontrollin mbi reagimin tonë ndaj stimujve të zhurmshëm.
Lidhu me të tjerët, por me moderim: Festat janë për t’u lidhur me familjen, miqtë; por lidhja nuk do të thotë të humbasim veten në grup, në zhurmë, në pritje ekstreme. Mund të zgjidhim me kujdes se kujt i dedikojmë energjinë tonë, dhe të planifikojmë edhe momente individuale qetësie. Ndërkohë që nuk duhet të jemi tërësisht në vetmi, është e rëndësishme të ruajmë balancën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

