Oqeani tregon historinë e një djali indian, brengën për lamtumirën e pathënë. Oqeani sjell në breg të mirat e të ligat. Më kujton, kur dua të harroj. Sa herë kam matur fuqitë me forcën që ndan fatet tona dhe i jam lutur: ma shtro para gjithë të keqen që më ke taksur, lëmë ta pi njëherë e mirë gjithë dhimbjen si një kupe melhemi zeher. Dhe po të jem më e fortë se ajo gosti e kobshme, pastaj më shtro të mirat.
Një histori dashurie e trazuar dhe e torturuar mes ndjenjave të detyrës, dëshirave shpirtërore dhe brerjes së ndërgjegjes.
Maksi dhe Toska janë dy vëllezër binjakë, të shpërngulur në Amerikë, në Lalaland, në kërkim të lumturisë dhe Tokës së Premtuar. Maksi, një shpirt artist, bohem e kokëkrisur, dhe Toska, i matur, akademik e filozof, përbëjnë dy anët e një peshore që kanë nevojë të domosdoshme për njëri-tjetrin për të ruajtur ekuilibrin.
Të lidhur ngushtë, jo vetëm përmes kapilarëve të hollë të gjakut, fëmijërisë dhe ëndrrave të tyre, përjetësisht të pandashme, mes tyre futet shpirti i një gruaje. Tesa, “e marra mish e thua e të vëllait”, do të trondisë marrëdhënien e tyre, duke i larguar, por edhe duke i ngërthyer keqaz me njëri-tjetrin. “Vala” e fatalitetit do t’i rrëmbejë në vorbullën e vet të tria qeniet, sidomos pas një aksidenti tragjik që do të pësojë Maksi, duke i mbajtur pezull mes “dhunës e dhuntisë”.
Kritika
Arma kryesore e Enit Karafilit është njohja shumë e mirë që ka për letërsinë… […] Ajo përshkruan thjesht, pa ngarkesa jetën pas ’90. […] Ka një prozë të këndshme, që lexohet rrjedhshëm, pa patetizma, rrëfen ngjarjet realisht siç kanë ndodhur. Agim Baçi
Autorja
Enit Karafili Steiner, lindur në Tiranë, jeton prej më shumë se 20 vitesh në Zvicër. Ajo mban një PhD në anglistikë nga UCLA dhe Universiteti i Zyrihut, është asistent profesore në Universitetin e Lozanës dhe autore e disa librave dhe artikujve akademikë në letërsi angleze. Romani i saj i parë “Tokëmjalta” (Botime Pegi, 2015), u mirëprit nga lexuesi shqiptar.
Titulli: Dhunë e dhunti
Autori: Enit Karafili Steiner
Zhanri: Roman
Data e botimit: Nëntor, 2017
Numri i faqeve: 160
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.