Posta

November 15, 2017 | 13:59

POSTA / Drejtuar psikologes Adelina Pjetra. Fëmija 26 muajsh ka probleme në komunikim

111Kam një vajzë 26-muajshe dhe ka disa muaj që largohet nga njerëzit që i afrohen. Ka pothuajse dy muaj që e kam dërguar në çerdhe dhe sot e vura re që ajo rrinte në cep të murit vetëm, kurse fëmijët e tjerë ishin ulur përreth me karrige që të dëgjonin edukatoren, kurse kjo hiç, vetëm i shikonte nga larg. Për të folur, flet p.sh: do unë, do çaj, do bukë, do djathë. Kur ha diçka, thotë: e mirë, e mirë, thotë emrat e shume objekteve, por jo të qarta tamam, gati të gjitha fjalët i flet dhe madje si bëjnë kafshët apo dhe t’i shohë në figurë, i njeh dhe thotë: ja lopa, ja ariu etj, por për moshën që ka, 26-muajshe nuk flet fjali si gjithë fëmijët e tjerë. Tani problemi që mua më shqetëson, është se si ka mundësi që kur e nxjerr jashtë dhe i afrohen shoqet e mia t’i flasin, ajo ul kokën dhe qan ose zë fytyrën me duar, dhe kur shkoj te qendra e vizitave dhe gjej njerëz në radhë, kjo zë fytyrën me duar dhe kërruset. Kam lexuar që këto janë shenjat e autizmit, sepse kjo nuk do të socializohet, por do të izolohet. Dhe në shtëpi nuk luan gjithmonë me vëllanë, por rrallë. Gjatë kohës në shtëpi, hap e mbyll sirtarët apo kanatat e dollapit, gjë që nuk është fare normale për moshën që ka, e sado që i flas: largohu, nuk do. Më duket fëmijë mjaft kokëfortë, por dhe i përkëdhelur. Por i zbaton dhe shumë komanda në shtëpi që i them pa problem, por më shumë ka dëshirë t’i përplasë sendet. Jam shumë e shqetësuar për indiferencën e saj në lidhje me të tjerët. Faleminderit!

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike &Terapiste EMDR

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike &Terapiste EMDR

E dashur nënë, pikë së pari hiqni dorë nga kjo mënyrë e vetë-diagnostikimit të fëmijëve tuaj dhe mësoni që, kur ju shqetëson diçka, fillimisht duhet t’i drejtoheni mjekes pediatre të fëmijës tuaj, më pas një specialisteje për vlerësimin e zhvillimit të fëmijës. Mbase mund të arrini të kuptoni që sjelljet e saj apo mënyra e saj e të vepruarit, ka një shkak apo arsye tjetër, që ndoshta s’ka të bëjë aspak me autizmin. Keni cituar pak më sipër që fëmija juaj hap dhe mbyll sirtarë dhe kanate dhe e cilësoni si jo normale. Seriozisht e mendoni këtë?…

N.q.s nuk është normale që një fëmijë të eksplorojë, të prekë, të përplasë, të ketë eksperiencën e vet me botën që e rrethon, më falni po unë nuk e di se çfarë mund të quhet normale.

Ka fëmijë që e pëlqejnë zhurmën dhe tingujt e saj (tani po kujtoj edhe djemtë e mi që bënin të njëjtat gjëra me fëmijën tuaj në atë moshë). Ndërsa përsa i përket: nuk më dëgjon kur i them largohu, ose mos e bëj këtë, provoni t’ia thoni në mënyrë jo urdhërore dhe me ton të lartë të zërit, por uluni në lartësinë e fëmijës tuaj, shikojeni në sy, me një ton të qetë dhe ftues të zërit  shpjegojini që zhurma është tepër e fortë dhe nga kjo mund të bëjë që t’i dhembë koka, a do të ishte më mirë të luante me diçka tjetër (lodra prej pelushi p.sh. që nuk bëjnë zhurmë).

Në lidhje me shqetësimin që paraqisni, nuk mund t’ju them diçka konkrete pa u bërë një vlerësim specifik për fëmijën tuaj. Duhet kuptuar si ka qenë shkëputja nga ju, dhe hyrja në kopsht. A ka pasur ndikim kjo pjesë në ndryshimin e sjelljes së saj? A mund të ketë ndonjë faktor tjetër stresues që ka kontribuar dhe kështu me radhë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top