A e mbani mend se çfarë ju ka bërë të ndiheni të veçantë kur keni qenë të vegjël? Është e mundur që kanë qenë ato momente që keni ndarë me prindërit, kur ndiheshit se ta dashur dhe të pranuar.
Megjithatë, 70% e prindërve të sotëm pranojnë se kanë pak kohë për të luajtur me fëmijët e tyre. Sipas një studimi nga “Osservatorio del Gioco Infantile” fëmijët kalojnë vetëm 10% të kohës në shoqërinë e prindërve të tyre, edhe pse 60% e më të vegjëlve dëshirojnë që prindërit e tyre të jenë të pranishëm gjatë kohës së lirë. Kështu, kur kalojmë kohë me fëmijët, është e rëndësishme të sigurohemi që të jetë kohë cilësore.
Vetmia e pafundme e fëmijëve
Jeta e sotme është bërë kaq frenetike. Punë, ritëm, objektiva për t’u përmbushur, e kështu e gjithë dita jonë është e zënë me projekte profesionale, duke i lënë pak kohë familjes. Fëmijët e sotëm, në rastin më të mirë rriten me gjyshërit, por ka dhe nga ata prindër, që nuk kanë mundësi dhe i lënë fëmijët në kopshte me orar të zgjatur. E kur kthehen në shtëpi, i vetmi mjet argëtimi mund të jetë televizori, telefoni, tableti… Shpesh fëmijët janë të pandërgjegjshëm e të pavetëdijshëm mbi punën e prindërve, sa fitojnë ata, sa kohë u duhet të punojnë për të marrë atë rrogë mujore. Ama, një fëmijë e ka shumë të rëndësishme që të kalojë kohë me prindërit e tij, të luajë me ta, të dalë shëtitje, të hanë së bashku të gjithë të ulur në tryezë.
Kini parasysh se mënyra më e mirë për të investuar kohën tuaj është ta bëni atë në familje, me njerëzit që keni pranë dhe në zemrat tuaja. Nëse nesër nuk do të jetojmë më, në pak ditë dikush do të na zëvendësojë në punë, por për familjen dhe për fëmijët që mund lëmë pas, do të jetë një humbje e përjetshme. Vlerësojeni kohën që kaloni me familjen, sepse nuk ka gjë më të çmuar në këtë jetë. Dhe sigurohuni që t’ua tregoni fëmijëve tuaj se sa shumë i doni.
Nuk mjafton të doni, është e nevojshme ta shprehni dashurinë!
Fikni telefonin
Kur ktheheni në shtëpi, fikni telefonin dhe të paktën gjysmë ore kushtojani fëmijëve. Të vegjlit do të jenë më të kënaqur kur e dinë se kanë vëmendjen tuaj maksimale, kur nuk shpërqendroheni nga telefonatat apo mesazhet. Në fakt, 33% e fëmijëve ankohen se prindërit e tyre e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në telefon. T’i kushtoni më shumë vëmendje do të bëjë të mundur që çdo minutë të jetë kohë e vyer. Në këtë mënyrë, jeni duke i thënë fëmijëve që për ju ata janë shumë të rëndësishëm.
Fikni televizorin dhe mjetet elektronike gjatë ushqimit
Kur e gjithë familja ulet në tryezë është e rëndësishme që asgjë të mos e shqetësojë vëmendjen e prindërve dhe të fëmijëve, si: reklamat televizive apo mesazhet në telefon. Në tryezë mund të krijohen çaste shumë të kënaqshme, përveç faktit që fikja e çdo mjeti elektronik do t’ju lejojë të shijoni më shumë ushqimin dhe shoqërinë e familjes.
Bëni të mundur që momenti i shtrirjes në krevat të jetë magjik
Fëmijët e vegjël, në veçanti, do të kenë kujtime të çmuara të atyre minutave kur shtriheshin në shtrat dhe mami apo babi u lexonte një përrallë. Ky zakon nuk është vetëm qetësues për fëmijët, por krijon edhe një lidhje shumë të veçantë e të ngushtë me prindërit. Veç të tjerash, lexi-mi stimulon zhvillimin e trurit të fëmijëve.
Mos ia lini mangut puthjet, përqafimet, përkëdhelitë
Fëmijët kanë nevojë për kontakt fizik, sidomos kur janë të vegjël. Nëpërmjet puthjeve, përqafimeve dhe përkë-dheljeve ua tregojmë atyre dashurinë. Përfitimet e përqafimeve janë të mëdha dhe stimulojnë prodhimin e neurotransmetuesve si: dopamina dhe ositoksina, të cilat do t’i bëjnë të ndihen më të çlo-dhur dhe do të përmirësojnë besimin dhe lidhjen emotive. Një fëmijë që ndjen se e duan, do të jetë një fëmijë që e do veten dhe beson te vetja e tij, që nuk i vjen turp të shfaqë dashurinë.
Flitini fëmijës duke e parë në sy
Mënyra më e mirë për të komunikuar me fëmijët, është t’i shohësh drejt e në sy. Kontakti viziv është shumë i rëndësishëm, sepse kap vëmendjen, që zakonsht është e shpërndarë gjatë viteve të para. Përveç kësaj, lejon të caktoni një lidhje më personale. Kështu, kur fëmijët janë të vegjël, është e këshillueshme që prindërit t’u afrohen për të folur të ulur në gjunjë, në mënyrë që të jenë në nivelin e tyre.
Bëjeni pjesë në marrjen e vendimeve
Shumë prindër mendojnë që fëmijët e tyre janë tepër të papjekur për të vendosur. Edhe pse është e vërtetë se nuk kanë shumë përvojë jete, kjo nuk do të thotë se nuk kanë shijet dhe preferencat e tyre. Ndaj, për aq sa është e mundur, kërkoni mendimin e tyre, kur bëhet fjalë për vendime që u përkasin atyre. Kështu, fëmija do të ndihet i vlerësuar dhe do të zhvillojë një vetëvlerësim të shëndetshëm. Në këtë mënyrë në të ardhmen do të jetë një njeri më i sigurt për veten, i cili nuk do t’i lejojë të tjerët të vendosin për të.
Luani me fëmijët
Një prej kujtimeve më të bukura të fëmijërisë ka lidhje me lojën. Edhe pse fëmijët rriten dhe do të kenë shokët e tyre të lojës, kënaqësia për të luajtur me prindërit nuk mund të zëvendësohet. Është interesante të vëmë re që shumë fëmijë kanë thënë se ndjenin që prindërit e tyre bënin shumë gjëra dhe ditët e tyre ishin tej mase të programuara. Ndonjëherë është e nevojshme të kaloni pak kohë së bashku vetëm për të luajtur dhe të argëtoheni, pa asnjë plan, duke lënë që gjithçka të rrjedhë natyrshëm. Në të vërtetë, loja nuk i bën mirë vetëm fëmijëve, por edhe prindërve, sepse i ndihmon të ulin stresin dhe të harrojnë shqetësimet e përditshme.
Dhuroni gjeste të vogla dashurie
Nuk duhet të ketë një arsye për t’i thënë fëmijëve se i doni. Mos u lodhni asnjëherë t’ia thoni dhe dhurojini gjithmonë gjeste të vogla dashurie. Shkruajini letra të lezetshme, jepini dhurata që i keni bërë vetë… Në këtë mënyrë, fëmijët do të mësojnë të vlerësojnë dhe detajet e vogla.
Gëzohuni për sukseset dhe sforcot e fëmijës
Asnjëherë mos i denigroni rezultatet e fëmijës. Sado i vogël të jetë fëmija juaj, festoni dhe inkurajojeni të vazhdojë të sforcohet. Megjithatë, kini parasysh se duke e lavdëruar më tepër se sa duhet, mund të shkatërroni vetëvlerësimin e tij. Ndaj është thelbësore t’i jepni rëndësi mundit që ka bërë, më shumë se sa aftësive bazë që ka. Kjo është një nga dhuratat më të mëdha që mund t’i bëni në jetë.
Disiplinojeni me dashuri
Fëmijët kanë nevojë për disa rregulla dhe norma, duke qenë se ato i ndihmojnë të jenë të sigurt dhe i japin një kuptim botës së tyre. Gjithashtu, këto norma i tregojnë se çfarë prindërit presin prej tyre. Por është e nevojshme të siguroheni se duhet të dënoni sjelljet e këqija, jo fëmijën. Mos e kushtëzoni asnjëherë dashurinë tuaj bazuar te sjellja e tyre me shprehje të tipit: “Nuk të kam xhan, nëse sillesh keq”. Bëjini të ditur se i doni, edhe nëse ajo që kanë bërë është e gabuar. Mund të disiplinoni edhe me dashuri.
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.