Psikofakt

January 11, 2020 | 8:02

Nga Av.Denisa Daka: Eksodi i vrasjeve nuk po njeh kufij, sa vlerë ka jeta e vdekja?

 

Eksodi i vrasjeve nuk po mund të ndalet në këtë vend! Agu i ditës së re na përcolli një tjetër tragjedi, sërish vrasjen e një gruaje. Mbi 100 gra të vrara përgjatë këtyre viteve janë një pasqyrë e qartë e asaj ç’ka po ndodh në këtë vend.

Denisa Daka, avokate

Denisa Daka, avokate

Ngjarja e rëndë ndodhur së fundmi, ku një tjetër grua humbi jetën barbarisht, na tregoi të gjithëve bashkë se sa vlerë ka jeta e vdekja këtu.

Viktimat e dhunës në familje, apo mijëra gra, nëna e vajza në këtë vend janë totalisht të pambrojtura e në mëshirë të fatit, duke parë me sy nga qielli a Zoti vetë, t’i mbrojë orë pas ore nga tmerri e ferri, fëmijët e tyre gjithashtu.

Por kush janë përgjegjësit e kësaj situate? 

Pse nuk fuksionojnë hallkat e ngritura për këtë qëllim?

Pse askush nuk i parandalon këto vepra të rënda, ndërsa dihen e njihen dhunuesit kudo, në çdo lagje e rrugicë.

Heshtja është kthyer në institucion, ndërsa ndërgjegjja qytetare është në nivele të pakonsiderueshme.

Në buxhetin e shtetit mungon ende një zë i posaçëm në favor të viktimave të dhunës në familje, për të ndjerrë nga mjerimi e varfëria çdonjërën ndodhur në këto kushte, shkak determinant i nxitjes së këtyre vrasjeve.

Shërbimi social, ngarkuar sipas ligjit për të ndjekur e monitoruar këto raste, është pothuaj inefiçent e i padukshëm.

Strukturat policore nuk ia dolën kurrë të parandalojnë raste të tilla, ndërsa sistemi i drejtësisë po shkon drejt kolapsit total.

Politikat qeverisëse ndër vite “në mbrojtje të viktimave të dhunës”, rezultuan të pastudiuara mirë, të paefektshme gjithashtu.

Komitetet drejtuese për bashkërendimin e veprimeve të insitucioneve përgjëgjëse, nuk funksionuan, ndërsa profesionistët e fushës u zëvëndësuan pothuaj në të gjitha rastet me ushtarë partie.

Shurdhëria e komunitetit ku jetojmë, solli sakaq shmangien e përgjegjësisë së secilit prej nesh për të raportuar a suportuar të tilla raste, ndërkohë që moskallzimi i krimit është i dënueshëm dhe sipas ligjit. 

E ndërsa ky zinxhir përgjegjësish nuk funksionoi prej 30 vitesh, situata vijoi të bëhet më e rëndë ditë pas dite. Askush nuk deklaron a mban përgjegjësi për çdo jetë të humbur e për këtë  arsye e jo vetëm, ky vend është i destinuar të humbasë shumëçka, përmes kësaj amullie e pasigurie totale.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com