Mirëqenie

October 20, 2017 | 9:44

Dhuro një shpresë për fëmijët e Bishnicës

Për gati dy vjet, kam punuar dhe po punoj me fëmijët e Bishnicës dhe në mënyrë të pakrahasueshme ata kanë ndryshuar jetën time. Në ato zona malore ka një ndryshim jete, duke parë sytë e atyre fëmijëve që janë të dashur, të vuajtur nga vështirësitë ekonomike, të etur për dije. Ata janë fëmijët e harruar, që askush nuk do t’i njohë apo do t’i mendojë, për shumicën e qyteteve të Shqipërisë, por jo të fondacionit ku unë jap kontributin tim si psikologe. Për shumë persona, ideja për t’i njohur apo për t’i takuar këta fëmijë është e madhe, por gjithçka mbetet në “stacionin” e njohjes paraprake, jo të ndihmës dhe as të dhurimit të një shprese.

untitled

diola MalasiNë ndryshim nga fëmijët që jetojnë në zonat urbane, unë kam parë te këta fëmijë, një jetë të vakët, disa edhe pa fëmijëri, ndërkohë fëmijët e qytetit kanë një “pistë” zgjedhjeje dhe qindra mundësi shkollimi, kursi, talenti, futbolli, basketbolli, etj.

Por çfarë ndodh me shumicën e fëmijëve që mbarojnë klasën e 9-të në zonën e Mokrës?

Duke qenë se këta fëmijë jetojnë në terrene thellësisht malore dhe të largëta shkollimi, për shumicën e tyre arsimimi stopon deri në klasën e nëntë. Ata ose emigrojnë për një punë dhe ekonomi më të mirë, ose qëndrojnë duke bërë punë bujqësore dhe blegtorale. Fytyrat e fëmijëve të zonës së Mokrës janë lehtësisht të lexueshme. Unë fillova të mësoj se për çfarë kanë nevojë këta fëmijë dhe t’i ndihmoj për nevojat e tyre, të cilat dilnin nga një shpirt i brishtë. Dhe në përfundim, unë arrita të kuptoj se “misioni im”, nëse mund ta quani kështu, është që t’i mbaj këta fëmijë të gjallë në ato zona, që për shumë njerëz janë të harruara, t’i mbajmë ngrohtë dhe të ushqyer, duke i bërë të ndihen të rehatshëm. Së bashku me gjithë anëtarët e stafit të fondacionit ku kontribuojmë, kemi formuar një skuadër vepruese, me qëllim që në sytë e atyre fëmijëve të ketë fëmijëri. Dhe unë besoj e shpresoj që ky fondacion ka dhënë shpresë për këta fëmijë. Në Bishnicë, fëmijët mbartin vlera humane dhe ata kërkojnë mbrojtjen tonë në shumë mënyra, dhe ne jemi aty, këmbëkryq që t’u falim gjithçka. Janë bërë shumë punë me këta fëmijë dhe ka ende shumë për t’u bërë, për atë që sjell ndryshimin në ta, veshje, vakte ushqimore, trajtime mjekësore, këshillime psikologjike, shoqërime, lojëra psiko-sociale, e mbi të gjitha, një dorë e ngrohtë. Këto veprime bëhen edhe në mungesë përvoje.

Fëmijët e Bishnicës kanë nevojë për ne, dhe jashtë asaj që mund të bëjmë praktikisht, ne duhet t’u tregojmë këtyre fëmijëve forcën tonë, shpirtin tonë dhe mbi të gjitha të mos rreshtim së dhëni shpresë, shpresë se gjërat mund të ndryshojnë edhe në këto zona të thella malore dhe të tregojmë kurajën e të mos heqim dorë t’u dhurojmë shërbime, pasi ata janë fëmijë si gjithë fëmijët e botës. Gjatë punës me fëmijët e Bishnicës, ndjehemi mirë dhe ata e dinë tashmë se dikush po kujdeset për ta, se tashmë ka zbritur nga qielli dërgimi i lutjes së tyre, se shumë persona janë aty për t’i ndihmuar, si përgjigje e lutjes së zemrave të tyre. Ky mendim dhe kjo ndjesi, i bëri ata të besojnë se gjërat e mira ndodhin përsëri, se mirëqenia e tyre po rritet dhe kjo është dhurata më e rëndësishme e jona për ta. Që prej vitit 2015 që unë punoj me fëmijët, shumë fytyra të tyre u futën në zemrën time dhe ngecën në mendjen time si fëmijë me një shpirt të brishtë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.117

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top