Në fokus

October 20, 2017 | 10:08

Në trurin e fëmijëve me depresion

1

Nëse një fëmijë nuk gëzohet kur merr dhurata, mund të ketë diçka që nuk shkon. Disa kërkues kanë gjetur se fëmijët me depresion klinik nuk reagojnë ndaj shpërblimeve në të njëjtën mënyrë si fëmijët e tjerë. Kërkime të mëparshme kanë gjetur se shenja kryesore e depresionit klinik te fëmijët e vegjël është aftësia e pakët për të përjetuar gëzim.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

“Kënaqësia që ne marrim nga shpërblimet, lodrat dhe dhuratat, na motivon të kemi sukses dhe të kërkojmë më tepër shpërblime. Dëmtimi i hershëm i këtij procesi është një shqetësim serioz, pasi mund të përcaktojë mënyrën sesi një person do të qaset ndaj detyrave shpërblyese më vonë në jetë”, thotë studiuesi kryesor, Joan L. Luby, drejtor i Programit të Zhvillimit të Hershëm Emocional në Universitetin e Uashingtonit.

Kërkimi përfshiu 84 fëmijë dhe ishte pjesë e një studimi më të madh për depresionin klinik te fëmijët 3-7 vjeç.  Fëmijëve iu mat aktiviteti elektrik i trurit, duke përdorur një pajisje elektroencefalograme (EEG). Më pas, ata luajtën një lojë kompjuterike që kërkonte të zgjidhnin midis dy dyerve të shfaqura në ekran. Zgjedhja e një dere u jepte pikë, ndërsa zgjedhja e derës tjetër bënte që të humbisnin pikë. Fëmijët që zgjidhnin derën e duhur disa herë, fitonin një lodër, të cilën mund ta merrnin nga një kosh me figura, i shfaqur para fillimit të lojës. Truri i fëmijëve me depresion klinik përgjigjej në mënyrë të ngjashme me atë të fëmijëve pa depresion kur humbnin pikë, por përgjigja ishte e paqartë kur zgjidhej dera e duhur. Pra, dallimi u vu re në reagimin e trurit, vetëm për reagimin ndaj shpërblimit.

Autorët thanë se kur një fëmijë i vogël nuk kënaqet nga shpërblimet, lodrat dhe dhuratat, kjo mund të jetë një shenjë që është i depresuar ose i prirur ndaj depresionit. Nëse ky problem vazhdon, ata sugjerojnë që prindërit të flasin me një pediatër.“Ka faktorë të qartë risku. Aftësia e pakët për t’u kënaqur nga aktivitetet dhe nga loja është një shenjë kyçe. Fëmijët që ndihen tejet me faj për veprimet e gabuara dhe ata që përjetojnë ndryshime në gjumë dhe oreks mund të jenë në rrezik. Nëse ata janë vazhdimisht të trishtuar, të irrituar ose më pak të motivuar, këto janë shenja që mund të flasin për depresion, madje edhe te fëmijë të vegjël, 3 ose 4 vjeç dhe ne rekomandojmë që prindërit t’i çojnë ata për vlerësim”, shpjegon njëri nga autorët.

Autorët po planifikojnë të studiojnë nëse përgjigjia ndaj shpërblimit ndryshon pas trajtimit, duke shpresuar që ajo të përmirësohet. Gjetjet janë publikuar në revistën “Journal of the American Academy of Child & Adolescent Psychiatry”.

Referenca:  Washington University in St. Louis. (2016, December 15). Depressed children respond differently to rewards than other kids. ScienceDaily. www.sciencedaily.com/releases/2016/12/161215124756.htm

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top