Një dietë e pasur me acide yndyrore omega-3 mund të përgjysmojë dhimbjen e migrenës, veçanërisht tek gratë e reja, sipas një studimi të ri. Studiuesit zbuluan se një dietë e lartë në omega-3 mund të ul dhimbjet e vazhdueshme të kokës.
Acidet yndyrore, të cilat mund të gjenden në suplemente dhe peshq me vaj, kanë gjithashtu një efekt të dobishëm në zemër. Sipas NHS, një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar duhet të përfshijë të paktën dy racione të peshkut në javë, përfshirë një nga peshqit me vaj.
Botuar në British Medical Journal (BMJ), hulumtimi përfshiu 182 persona – 88% ishin gra me moshë mesatare 38 të cilat vuanin nga migrena pesë deri në 20 herë në muaj. Gratë u ndanë në tre grupe, me sasinë e acideve yndyrore omega-3 (acid eikosapentaenoik – EPA, dhe acid dokosaheksaenoik – DHA) që ndryshonte sipas dietës, gjithashtu u monitorua edhe acidi linoleik omega-6.
Gjatë provës pjesëmarrësve iu siguruan formulime vaji dhe gjalpi dhe ushqime proteinike, përfshirë peshqit, për të arritur nivele të ndryshme. Ata gjithashtu bën një test të ndikimit të migrenës dhe regjistruan çdo ditë frekuencën e dhimbjeve të kokës në një ditar elektronik.
Ata që konsumuan një dietë të lartë me omega-3 prej 1.5 gr në ditë panë një ulje të dy ditëve të dhimbjes së kokës në muaj. Ndërkohë, gratë me dietën e lartë me omega-3 plus omega-6 panë një reduktim të dhimbjes së kokës me katër ditë në muaj.
Ekspertët nga Universiteti i Karolinës së Veriut thanë se kishte kufizime në studim, duke përfshirë kufizimin në gra relativisht të reja. Sidoqoftë, ata thanë se studimi “ofron një demonstrim biologjikisht të besueshëm se dhimbja mund të trajtohet përmes ndryshimeve të synuara të dietës”.
Burimi / https://news.sky.com/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.