Mirëqenie

March 31, 2017 | 10:26

Dieta pranverore, balanca mes stinëve

Ardhja e pranverës sjell në vëmendje qëllimin e ndjeshëm, atë të të paturit një trup në formë. Si mendoni ju, cila duhet të jetë sjellja jonë ndaj ushqimeve në këtë periudhë dhe çfarë duhet të kemi parasysh?

Anila Kalleshi Dietologe

Anila Kalleshi
Dietologe

Këshilla ime personale është që të ushqeheni me produkte natyrale e të eliminoni ushqimet industriale. Ushqehuni me më shumë mish pule, i cili është burim i triptofanit dhe aminoacideve. Përpiquni që për asnjë lloj arsye të mos kapërceni vaktet ditore. Nëse trupi do të jetë për një kohë të gjatë pa ushqim, ulet sasia e sheqerit dhe rritet dëshira për të konsumuar karbohidrate. Ushqehuni 4 herë më shumë me zarzavate e sallata sesa me mish, vezë, djathë, peshk ose karbohidrate si oriz, bukë, patate, bishtaja. Çdo ditë përpiquni të konsumoni 5 porcione zarzavate të freskëta e të thata.

Një menu e shkëlqyer do të ishte: Mëngjesi: një gotë lëngje frutash natyrale dhe një gotë qumësht me 2 lugë tërshërë; Dreka: një pjatë e madhe sallatë, perime të stinës dhe në darkë dy lloje zarzavatesh. Është e rëndësishme të dini se sasia për vakte nuk duhet të kalojë sasinë që mbajnë dy duart tuaja. Perimet dhe frutat janë të pasura me antioksidantë që i duhen organizmit për t’u mbrojtur nga veprimi i radikaleve të lira që organizmi ka më shumicë nga veprimi i shumë faktorëve, përfshirë dhe veprimin e rrezeve të diellit. Asnjë kategori ushqimore që balancon raportin ushqimor nuk duhet të eliminohet plotësisht. Për këtë zgjidhen proteina më të lehta për metabolizmin. Mundohuni të konsumoni mish të kuq jo më shumë se tri herë në javë dhe jo më shumë se 120gr për femra dhe 175gr për meshkuj dhe natyrisht, t’i jepni përparësi konsumimit të peshkut. Provoni të hani fruta të thata në vend të tortave apo brumërave. Në gatime preferoni të shtoni sasinë e hudhrës dhe qepës. Zvogëloni sasinë e gjalpit, djathit e përdorni vajin e ullirit. Konsumoni sa më shumë sallata frutash në vend të akulloreve.

PRANVERA NJIHET SI STINA E ALERGJIVE, NDAJ PËR TË GJITHË ATA QË VUAJNË NGA SINDROMA E ALERGJIVE TË STINËS SË PRANVERËS DUHET BËRË KUJDES TEJET I MADH. KUJDESI DUHET TË FILLOJË TEK USHQIMET TË CILAT SHKAKTOJNË TESHTIMA, LOT NË SY, DJEGIE NË GJUHË ETJ. KUSH VUAN NGA ALERGJITË E STINËS DUHET TË JETË I KUJDESSHËM NË MOSKONSUMIMIN E DISA TIPE FRUTASH SI: PESHKU, DOMATET, LAJTHITË. MËNGJESI ËSHTË VAKTI MË I RËNDËSISHËM I DITËS, NDAJ KËSHILLOHET TË MOS ANASHKALOHET PËR TË PASUR NJË DITË MË PRODUKTIVE DHE AKTIVE. QUMËSHTI OSE LËNGJET E FRESKËTA TË FRUTAVE, TË KOMBINUARA ME DRITHËRA INTEGRALE KËSHILLOHEN TË KONSUMOHEN. KUJDES, ATO DUHEN KUFIZUAR NË MËNGJES. BRUMËRAT, SALLAMET, KONSERVAT, USHQIMET ME SHUMË YNDYRË, PIJET ALKOOLIKE DUHEN KUFIZUAR GJITHASHTU.

17504984_1555026861221459_7275137683923995930_o

Cilat janë sipas jush ushqimet bio të cilat ndihmojnë të kemi një organizëm të rregullt dhe trup në formë?

Ushqimet biologjike, të rritura pa pesticide apo produkte të tjera kimike janë shumë të shëndetshme për organizmin tonë. Por tregu e ka të pamundur të plotësojë kërkesat e konsumatorëve me këto produkte. Kërkime të shumta kanë treguar se këto lloj ushqimesh janë më të pasura me substanca që na ndihmojnë të ndihemi më mirë, si vitamina C dhe oksidues të tjerë. Kush i provon për herë të parë mbetet i shtangur nga shija dhe aroma e mrekullueshme. Sot, për fat të keq, të gjithë jemi të ekspozuar ndaj produkteve ushqimore të modifikuara, për prodhimin e të cilave përdoren hormone, pesticide apo kimikate të ndryshme të pakontrolluara, të cilat sjellin pasoja në organizmin e njeriut.

Çfarë mendimi keni për mënyrën se si ushqehen të rinjtë sot?

Rinia e sotme kequshqehet me një stil jetese të tmerrshëm, nëse mund të shprehem kështu. Ushqimet e shpejta, Hot dog, fast food, jeta sedentare pa aktivitet fizik është bërë zakoni më i keq i rinisë shqiptare.

Rreth 80% e femrave kanë celulit. Cila është këshilla juaj dhe çfarë mund të bëjnë ato për ta parandaluar atë?

Mjekët e konsiderojnë shqetësim të vërtetë, i cili përfshin shtresat e lëkurës si dhe qarkullimin e lëngjeve. Në të vërtetë, është pasoja më e dukshme e një shtimi vëllimi anormal të qelizave që përbëjnë indet depozituese, në prani të të cilave gjaku e limfa nuk qarkullojnë mirë, duke i lënë vend e hapësirë grumbullimeve. Efekti “lëkurë portokalli” fryrjet, humbja e kompaktësisë së lëkurës që karakterizon shfaqjen e celulitit janë me një fjalë shprehje e ngadalësimit të qarkullimit të likuideve për shkak të zhvillimit të ekzagjeruar të indeve depozituese. Në sferën mjekësore si përgjigje kryesore shihet jeta sedentare, marrja e kalorive të tepërta, si dhe shtimi i vëllimit të indeve depozituese. Për të kontrolluar celulitin pa e varfëruar organizimin, d.m.th. pa rrezikuar humbjen e energjisë, duhet marrë përditë 2200 kalori të shpërndara në këtë mënyrë: 15% proteina (mish, qumësht e prejardhjet e tij, peshk, vezë, perime) duke mos harruar që një gram proteinë përmban 4 kalori: 25% yndyra (vaj, gjalpë, djathë, sallam, mish), duke ditur që një gram yndyrë përmban 9 kalori: 60% karbohidrate (patate, bukë, biskota, fruta, sheqer) dhe që një gram karbohidrate përmban 4 kalori. Dietës bazë i shtohen sasitë e frutave e perimeve, të nevojshme për shkak të kripërave minerale e vitaminave. Kush ka nevojë vërtet që të dobësohet duhet të marrë 500-600 kalori më pak se zakonisht, d.m.th., rreth 1600-1700 kalori ditore, duke pasur kujdes në proporcionet e ushqimeve. Për të penguar shfaqjen e celulitit, duhet evituar të gjitha veshjet e ngushta që shtrëngojnë zonën e kofshës. Në të vërtetë, përdorimi i tyre pengon qarkullimin korrekt të gjakut, pasi vështirëson kthimin e gjakut nga pjesët e poshtme në zemër. Janë perfekte çorapët e lirshme, e sidomos ato që ushtrojnë pak presion mbi vena, duke favorizuar ngjitjen e gjakut lart e duke penguar grumbullimin e lëngjeve.

Një aktivitet fizik anticelulit duhet të ndjekë 3 objektiva: të favorizojë eliminimin e grumbullimit të yndyrave, të rregullojë qarkullimin e lëngjeve, e ta rikthejë tonifikimin e muskujve. Ky aktivitet përmbushet nga walking, ose më mirë shëtitja me hap të fortë, ose biçikleta. Për të arritur rezultatet e dukshme brenda një kohe të caktuar, duhet ecur të paktën 5 herë në javë përreth 45 minuta. Shpejtësia e duhur është ajo që të lejon të ecësh pa t’u marrë fryma. Si alternativë mund të pedalosh çdo ditë përreth 35 minuta. Ideale do të ishte alternimi i të dy aktiviteteve. Ndërsa sportet e rënda, s’bëjnë dobi ndaj celulitit, pasi nuk shkaktojë djegien e yndyrave, por atyre të sheqernave. Organizmi varfërohet kështu nga burimi i tij energjik: rezultati është një lodhje e shpejtë, që nuk të lejon vazhdimin e aktivitetit të paktën 35-40 minuta pa ndërprerje.

Me pak fjalë: një aktivitet muskulor pak intensiv, por i zgjatur, dobëson më shumë se një aktivitet i fuqishëm, pasi lejon përdorim si burim energjie depozitat e yndyrave.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top