Mirëqenie

March 3, 2018 | 11:27

Diola Dosti Baftiu: Nutricioni më përshkon enët e gjakut, jeta është shumë e shkurtër për t’u ushqyer keq!

Është e vërtetë që shpesh nutricioni është kontradiktor. Kjo sepse ne dimë shumë pak për ushqimet. Sa më shumë të lexosh për to , aq më shumë i vetëdijshëm je që nuk di asgjë! Bota e ushqimit është egzaltuese për mua, është ngacmuese, është e fshehtë dhe pikërisht këto gjëra e bëjnë më tërheqëse dhe sfiduese. Ndodh që sot bën një studim mbi vlerat e një ushqimi apo bime dhe nesër të del diçka tjetër. Kjo lojë shkencore më nxit më shumë që ta dua. Bota e ushqimeve për mua është oqean herë i pastër e herë i turbullt.

 

Prej sa kohësh e ushtroni profesionin e nutricionistes dhe si është jeta e një nutricioniste?

Realisht kam afro 5 vite që nëpërmjet ekranit në Kosovë, pastaj edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, jap këshilla mbi të ushqyerit shëndetshëm, nën logon Mësimet e Diolës. Për nutricionin fillimisht kam mësuar në mënyrë autodidakte, pasi nuk ka patur specializime të mirëfillta në këtë fushë në vendin tonë. Kam studiuar Shkencat e Natyrës, Shkencat e Mjekësisë në nivelet Master, pastaj kam lexuar autorët më të mëdhenj të fushës së nutricionit dhe mjekësisë ortomolekulare, herbale, naturopathe etj., dhe aty kam marrë  informacione të shumta. Pastaj vazhduan studimet bazike në nutricion dhe tashmë jam PhDc dr.sc. në nutricion dhe shkencën e ushqimit.

Nga Diola Dosti-Baftiu, Nutricioniste, dietologe dhe biologe

Nga Diola Dosti-Baftiu, Nutricioniste, dietologe dhe biologe

Jeta e një nutricioniste nuk është aspak e thjeshtë. Edhe pse në pamje të parë, duket gjithçka e bukur. Më është dashur shumë mund e kohë fillimisht të bind dhe edukoj familjen time (bashkëshortin, vajzat) në aspektin nutricional. Për shembull çfarë është e mirë dhe çfarë jo për t’u konsumuar. Në familjen time ka rregulla të ngulitura në lidhje me atë se çfarë i shërben trupit tonë. Në Kosovë më herët nuk është njohur shumë koncepti i ‘nutricionit’ (flas këtu pjesa më e madhe) dhe shpesh ngatërrohej me mjekësi popullore. Kjo ka qenë një sfidë më vete. Pastaj fusha e mjekësisë nuk e ka pranuar për kohë të gjatë (flas vetëm nga eksperienca me pacientët e mi) faktin se ka lidhje midis ushqimit dhe sëmundjes. Edhe kjo ka qenë një sfidë e veçantë.  Një tjetër sfidë ka qenë pastaj dalja e pseudoprofesionistëve të cilët nuk kanë shkollimet bazike dhe dilnin nëpër media duke dhënë këshilla të ndryshme (që edhe mund të binin ndesh me ato që realisht janë të sakta në aspektin shkencor). U desh pak kohë derisa njerëzit të kuptonin se kush po jep vërtet kontribut në këtë fushë, kush është profesionist dhe kush po e bën për të shitur ‘një çaj më shumë’.

Ndërsa sfida e përditshme që më ndjek, është se vlerësoj me sy kritik çdo ushqim që konsumoj dhe në parim duket  çdo gjë në rregull, por duke ditur nivelin e sigurisë ushqimore në Ballkan, mund të them se është shqetësim më vete. Këtë jua kam transmetuar edhe vajzave të mia. Kjo sigurisht shkakton edhe stres ndonjëherë tek ato (sidomos vajza e madhe që shkon në shkollë) pasi ndikohet nga shoqëria. Edhe pse e ka përballuar goxha mirë deri tani, falë Zotit. Unë punoj edhe si nutricioniste, edhe pedagoge e jashtme (profesoreshë) e nutricionit në një universitet, përveç pjesës së televizionit, mbaj seminare të ndryshme (më shumë në Maqedoni) mbi të ushqyerit shëndetshëm, vazhdoj doktoraturën për nutricion. Pra gjithë jeta ime sillet rreth nutricionit.

Cili është pasioni qe të lidh pas kësaj bote të gjerë e ndonjëherë kontradiktore mes vetes?

Nuk bëj absolutisht asgjë që nuk ka lidhje me pasionin tim. Dhe e kam parim që mos të merrem me gjëra që nuk më interesojnë. Nutricioni më përshkon enët e gjakut. E ndjej që dua çdo gjë që ka të bëjë me të. Ka patur dy arsye se pse unë jam lidhur emocionalisht me punën time. E para është humbja e gjyshit tim. Gjithmonë më ka vrarë ndërgjegjia se përse nuk arrita ta ndihmoja në aspektin mjekësor që ta shëroja (theksoj kam qenë viti i tretë në gjimnaz në Tiranë në atë kohë). E dyta ka qenë eksperienca ime në Super Model of Albania në 2007, organizuar në atë kohë nga i madhi Fadil Berisha. Peshoja afro 58 kg dhe isha ‘mbi peshë’, krahasuar me gocat e tjera. Kjo më kompleksoi dhe u futa në dietë. Haja vetëm sallatë jeshile me djathë (nisur nga një dietologe) dhe jo vetëm që humba peshë, por desh humba veshkat. Filluan të më binin flokët, lëkura m’u tha, nuk pija dot as një pikë ujë. Dhe ka qenë shoku im që studionte mjekësi në Tiranë (tani bashkëshorti im) që më tha se kjo duhet të merrte fund. Hoqa dorë, pashë efektet e dietës së vetme që kisha mbajtur ndonjëherë, fillova të dua veten më shumë, të vlerësoja trupin tim dhe të kërkoja më shumë mbi atë se çfarë dëmi i bëjmë vetes me vendime të pamatura mbi ushqimin apo edhe mbi informacionet e gabuara.

Është e vërtetë që shpesh nutricioni është kontradiktor. Kjo sepse ne dimë shumë pak për ushqimet. Sa më shumë të lexosh për to , aq më shumë i vetëdijshëm je që nuk di asgjë! Bota e ushqimit është egzaltuese për mua, është ngacmuese, është e fshehtë dhe pikërisht këto gjëra e bëjnë më tërheqëse dhe sfiduese. Ndodh që sot bën një studim mbi vlerat e një ushqimi apo bime dhe nesër të del diçka tjetër. Kjo lojë shkencore më nxit më shumë që ta dua. Bota e ushqimeve për mua është oqean herë i pastër e herë i turbullt.

Çfarë ju këshillon nënave të reja në lidhje me kujdesin ndaj fëmijëve?

Të ushqyerit me qumësht gjiri është gjëja e parë. Çdo sëmundje e ka bazën tek zorrët, tek stomaku, tek truri jonë i dytë. Shëndeti i fëmijës e ka fillesën tek AND-ja e prindërve dhe ushqimi pas lindjes, kurse jetëgjatësinë e ka në tryezën familjare. Fëmija lind me stomak steril (të pastër). Nga procesi i lindjes, ai takohet për herë të parë me bakteret e nënës (në kanalin e lindjes) apo me bakteret e dorezave të mjekëve (kur lind me operacion), me bakteret e  ambientit dhe janë këto baktere që ndërtojnë mikroflorën e stomakut ditën e parë të lindjes. Pastaj qumështi i gjirit është vaksina e parë natyrale. Përveç rasteve të veçanta patologjike, asnjë justifikim nuk duhet gjetur për të ndërprerë gjidhënien. Deri në moshën 3 vjeçare, stomaku i fëmijës krijon një nivel pothuajse total të baktereve të mira dhe atyre të këqija në stomakun e tij që do të jenë bazë për shëndetin apo sëmundjen. Prandaj përzgjedhja ushqimore është vendimtare në këto vite. Kjo lidhet edhe me daljen e dhëmbëve në gojën e fëmijës dhe është një lloj shenje fiziologjike që tregon se fëmija tani është i gatshëm të përballojë ushqimet si një i rritur. Prandaj thuhet se pas moshës 3 vjeçare, fëmija mund të hajë ushqimet e njëjta që hanë edhe prindërit.

Shoh shpesh nëna që postojë në rrjete sociale ushqimet e bebeve të tyre, pjata me shumë fruta të ndryshme apo perime të ndryshme, por jo sezonale. Kjo nuk është në rregull (duke respektuar vullnetin e tyre të mirë dhe përkujdesjen) pasi të gjitha frutat dhe perimet, duhet të jenë vetëm sezonale. Duhet patjetër të shtojnë përdorimin e lëngut të kockave të këmbeve të lopës, vicit, pulës apo peshkut në supërat me perime. Janë paketë e fuqishme aminoacidesh, kolagjen natyral, minerale si fosfor, magnez, kalcium që ndihmojnë kockat dhe dhëmbët e fëmijës. Marrja e omega 3 gjithashtu ka rol shumë të rëndësishëm pasi yndyra e tillë ndihmon në krijimin e membranave qelizore dhe trurit. Trupi ka shumë nevojë për acidet yndyrore (EPA dhe DHA) dhe nëse nuk i merr, do përdorë yndyrën jo të shëndetshme që mund t’jua jepni fëmijëve tuaj nëpërmjet gatimit me vaj të rafinuar, apo në patatina, ushqime të gatshme bebesh etj, dhe në këtë formë, truri dhe çdo qelizë e fëmijës tuaj, ndërtohet me bazën e atij acidi yndyror jo të shëndetshëm. Ndërsa kur fëmija merr acide yndyrore të shëndetshme si vaj peshku, fara, arra, lajthi, avokado etj, trupi përdor këto yndyra natyrale për metabolizmin e tij.

Mos e prezantoni fëmijën me ushqime të pashëndetshme. Sidomos të sheqerosurat. Sheqeri shkakton varësi  dhe kjo është e vërtetuar. Edukoni fillimisht frigoriferin tuaj, veten tuaj pastaj fëmija do veprojë si ju.

Po të rejave në lidhje me kujdesin ndaj vetes?

Shoh një tendencë të jashtëzakonshme për një make up totalisht të panevojshëm. Do thoni juve  “Ç’hyn nutricioni tek lëkura”. Po lëkura është organi më i madh në trupin e njeriut. Lëkura ka pore dhe ajo ushqehet. Çdo gjë që i vendosim lëkurës, brenda 26 sekondash hyn në sistemin e qarkullimit të gjakut. Të bësh make up kur je në televizon (edhe pse po të shohësh intervistat e mia që nga 2013, unë 80% të rasteve jam pa make up), apo kur ka raste të veçanta është OK. Por të bësh make up ditor, është jo vetëm e panevojshme (se të rejat kanë bukurinë natyrale,pa përjashtim), por e dëmshme. Krijon rrudha të parakohshme plus shumë krem pudra kanë kimikate të rrezikshme. Mundësisht edhe kur t’i përdorni, gjeni krem pudër me bazë natyrale.

Këshilla e dytë që dua t’ju jap të rejave, është të duan trupin e tyre. Kanë një ndikim nga jeta e instagramit, gjërave perfekte që induktohen nga bota virtuale. Por duhet TË DUAN VETEN MË SHUMË! Ne kemi të gjithë individualitet biokimik brenda nesh. Pse të jemi njësoj të bukur jashtë? Nëse ushqehesh mirë, do kesh flokët më të bukur, lëkurën më të mirë, mendjen më të gatshme për të memorizuar materiale të mjaftueshme… kjo është bukuri që nuk krahasohet me modelet e gatshme apo kukullat barbi që janë bërë njësoj.

Kur ushqehesh mirë, pranon veten më lehtë dhe ke energji pozitive që nuk të le të jesh në të njëjtën frekuencë me ‘vajzat e zakonshme’. Të gjithë jemi mrekullisht ‘jo perfektë’!

Këshilloj të kujdesen për lëkurën e tyre duke pirë sa më shumë ujë. Ujë, ujë, ujë… të përdorin krem vetëm me përgatitje bimore. Të mos rrezatohen nëpër solariume por të shijojnë vitaminën D nëpërmjet rrezeve të mrekullueshme të Diellit. Të lajnë flokët me sapun. Për shembull me bazë hithre. Shampot e sotme, ndoshta jo të gjitha, por kanë derivate të naftës si propylene glycol, sodium laurenth sulfate që dobësojnë strukturën normale të flokut. Prandaj vetëm sapun dhe shpërlaje me çajëra si kamomil apo hithër.

Të mos kenë trup që të marrin ushqimin me vete, qoftë në punë apo shkollë. Sot madje je më ‘in’ nëse merr një kuti me perime apo edhe gjellë, sesa të hash ushqime të gatshme të bëra me kushedi se çfarë! Jeta është shumë e shkurtër për t’u ushqyer keq!

Përgatiti: Brikela Daci

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top